1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: zgjedhja e presidentit nën hijen e protestave

Bekim Shehu24 Shkurt 2016

Opozita në Kosovë barrikadohet me tenda përballë qeverisë. Ata thonë se do të protestojnë 24 orë në ditë deri në rrëzimin e qeverisë dhe do ta pengojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit, President të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1I1Mj
Kosovo Anti-Regierungsproteste in Pristina
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Të premten (26.02) Kuvendi i Kosovës do të votojë për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Ky vendim u mor të merkurën (24.02) pasdite gjatë një mbledhjeje të kryesisë së Kuvendit, në të cilën sërish u hodh gaz lotsjellës nga një përfaqësues i opozitës në mbledhje. Kandidati i koalicionit qeverisës PDK-LDK, për postin e Presidentit të Kosovës është kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Hashim Thaçi, i cili gëzon mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe të pakicave të përfaqësuara në parlament. Sipas procedurave kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit, kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, 80 vota nga 120 deputet sa ka parlamenti.

Mirëpo, nëse kjo dështon në dy rundet e para, atëherë, në rundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Kundër-kandidati i Hashim Thaçit për postin e Presidentit pritet të jetë Rafet Rama, po nga PDK-ja, kandidaturë kjo për ta plotësuar formën procedurale të zgjedhjes së të parit të vendit. Hashim Thaçi, para se të nisë procedura e zgjedhjes së presidentit, duhet të japë dorëheqjen nga posti i krytetarit të partisë, pasi kështu e parashikon Kushtetuta e Kosovës.

Ndërkohë, partitë politike opozitare lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, tashmë janë mobilizuar siç thonë "për të mos e lejuar zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës. Kundërshtimi i tyre do të jetë brenda kuvendit dhe po ashtu me protesta në rrugë. Këto subjekte politike tashmë kanë vendosur tenda përballë qeverisë dhe parlamentit dhe me protestuesit brenda dhe jashtë tyre po tentojnë, siç thonë, ta bllokojnë zgjedhjen e presidentit të dhe po ashtu do të vazhdojnë të protestojnë 24 orë në ditë deri në rrëzimin e qeverisë. Tre liderët opozitar, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thonë se protestat e opozitës kundër qeverisjes aktuale do të vazhdojnë deri në zbatimin e kërkesave të tyre: rrëzimin e qeverisë Mustafa. "Protestat që po vazhdojnë, janë kundër regjimit që ka bërë uzurpimin e posteve publike. Do ta fillojmë protestën tonë të vazhdueshme kundër këtij regjimi antikushtetues, kundër këtij regjimi antirepublikë dhe kjo protestë do të vazhdojë deri në momentin e largimit të kësaj qeverie", thotë lideri i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri. "Fillon një etapë e re e kundërshtimit të vazhdueshëm, të përhershëm këtu në shesh. Ky aktivitet i kundërshtimit opozitar në sheshin e kundërshtimit tashmë është bërë me të gjitha përgatitjet e duhura, nënkupton qëndrim të përhershëm në tend", thotë Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së.

Kosovo Parlament Tränengas Polizei Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa/P.Prenaj

Situata politike në Kosovë sa vjen e tensionohet e nuk kanë munguar as incidentet. Gjatë natës së shkuar (23.02)dhe ditës së merkurë, persona tash për tash të panjohur i dogjjën veturën private njërit prej ministrave në qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqit, ministër i Bujqësisë dhe po ashtu dogjën veturën private zëvëndësministrit të pushtetit lokal, Bajram Gecaj. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto akte, sikundër që policia nuk i di autorët. Qeveria e Kosovës këto akte i ka cilësuar akte të paprecedentë kriminale. "Ky akt i paprecendent kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit", thuhet ndër të tjera në reagimin e qeverisë.

Prania ndërkombëtare në Kosovë është e shqetësuar me zhvillimet që po ndodhin tash e sa muaj me pothuaj një bllokadë totale të parlamentit. Përfaqësuesi i i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, u bën thirrje të dy kampeve politike që të përmbahen në retorikën e tyre, sepse, kjo mund të nxisë dhunë. "Ne kemi shprehur shqetësim për dhunën në Kuvend dhe për gazin lotsjellës në Kuvend, ashtu siç u kemi bërë thirrje edhe liderëve politikë për të kontrolluar retorikën e tyre, e cila mund të nxisë edhe dhunë. Ne nuk kemi opsion të preferuar politik në Kosovë. Qytetarët e Kosovës i votojnë liderët e tyre dhe ne punojmë me ta. Punojmë me Qeverinë, me Kuvendin. Nuk është që ne zgjedhim partitë. Ne luajmë me 'top' dhe jo me 'lojtarët'. Dhe topi ynë që të lëvizim Kosovën para. Ky është interesi ynë.", ka thënë Samuell Zbogar për mediat lokale.