1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kush mohon krimet e luftës përballet me pasoja

Bekim Shehu
6 Maj 2019

Kreu i diplomacisë kosovare ka marrë vendim që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë çdo zyrtari të Serbisë që mohon krimet e luftës në Kosovë. Kurse Kuvendi i Kosovës merr nismën për krijimin e Tribunalit për krimet serbe.

https://p.dw.com/p/3I044
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se ka marrë vendim që të shpallen persona non-grata, të gjithë ata zyrtarë serbë që përmes deklarimeve mohojnë krimet e luftës në Kosovë. Ky vendim i kreut të diplomacisë kosovare, pason edhe një paralajmërim të Institucioneve të Kosovës për nisjen e procedurave për themelimin e një gjykate për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, në një intervistë për mediumin rus "Vesti Rusia”, kishte mohuar masakrën e Reçakut, duke thënë se "ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s  kundër forcave serbe në Kosovë” në vitin 1999.

Serbien Außenminister Ivica Dacic
Fotografi: picture alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Pacolli reagon ashpër pas deklaratës së Ivica Daçiq

Deklarata e Ivica Daciqit është e papranueshme për ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli. "I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Reçakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet '90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, thotë në një postim në profilin e tij Behxhet Pacolli.

"Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkruan më tej Pacolli.

Dy zyrtarë serbë në qeverinë e Kosovës, një ministër dhe një zëvendësministër ditë më parë u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi edhe këta dy zyrtarë në deklarime publike thanë se "shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë”. Këto deklarime në mohim të krimeve të luftës në Kosovë, nxitën Ministrinë e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës të fillojë përgatitjet për hartimin e një ligji "që të dënohet secili person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99”.

Bedzet Pacoli
Fotografi: Imago/Zumapress

Nisma për Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë

Veprimet e institucioneve të Kosovës, që të ndjekin dhe dënojnë kryesit e krimeve të luftës dhe mohuesit e tyre, pason edhe një nisme tjetër të kryetarit të kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që të themelohet një Gjykatë Ndërkombëtare  për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, ndonëse një kompetentë të tillë e ka vetëm OKB-ja. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë se "për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-99, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi”. Ai thotë se tashmë ka nisur konsultat dhe procedurat, të cilat shumë shpejt do të rezultojnë me hapa konkretë drejt formimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

"Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, ka për të ndodhur, do të ndodh. Fundi në këtë proces ka vetëm një qëllim, drejtësi dhe të ardhme e pajtim. Ne kemi besuar tek e vërteta. Fatkeqësisht, kanë kaluar dy dekada dhe pak, ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim. Tribunali i Hagës, i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Millosheviçit. Për atë sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, nuk e ka bërë punën e saj që është dashur ta bënte”, thotë Kadri Veseli.

Kuvendi i Kosovës përmes një votimi të deputetëve tashmë ka themeluar një  komision të veçantë "i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t'i gjykojë krimet serbe në Kosovë”. "Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja është që përmes kësaj rezolute të bëhen hapat, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës e Parlament Evropian. Duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe dhe kjo duhet gjithsesi, është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. E keni mohimin e masakrave, e cila po ndodh sot dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve”, thotë Kadri  Veseli. Nisma për të ndërmarrë hapa dhe kërkuar themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, e ka marrë mbështetjen edhe të partive politike opozitare dhe të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Albanien PDK Kadri Veseli Politker
Fotografi: Shpresim.M.Shala

Daçiq: Ideja përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale

Beogradi zyrtar nga ana e tij nuk beson se bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë nismën e Kosovës për krijimin e një Gjykate kundër krimeve serbe në Kosovë. Shefi  i diplomacisë serbe, Ivica Daciq, ka thënë se "paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Gjykate e cila do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale”.

"E kam të vështirë ta mendoj se bashkësia ndërkombëtare mbështet që në Kosovë të krijohet një Gjykatë e cila do të dirigjohej nga ish anëtarë të UÇK-së, tani politikanë, e që shumë lehtë mund të gjenden para Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së”. Unë mendoj se i vetmi synim është që të qetësohet opinioni kosovar në momentin kur duhet të priten thirrje të tjera për liderët e UÇK-së që të paraqiten para Gjykatës Speciale”, citon  mediumi në Serbi Novosti, ministrin e jashtëm serb Ivica Daciq.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që angazhohen për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, thonë se me iniciativa të tilla siç është kjo e institucioneve të Kosovës, nuk mund të krijohet një Tribunal ndërkombëtar, për faktin që sipas tyre, "Tribunalet ndërkombëtare për krime lufte krijohen vetëm nga OKB-ja. Në një intervistë të mëhershme për DW,  Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, pati thënë se nga evidencat e tyre 13,500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq, 1600 persona akoma konsiderohen të zhdukur, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës.