1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia - Biznesi është 100 hapa para politikës

28 Shtator 2016

Politika është pjesë e problemit, kur bëhet fjalë për raportet Kosovë-Serbi. Bashkëpunimi ekonomik është shumë më i rëndësishëm. Po cili është kontributi i odave ekonomike të këtyre dy vendeve?

https://p.dw.com/p/2QfeN
Safet Gerxhaliu und Marko Cadez Präsidenten der kosovarischen und serbischen Wirtschaftskammer
Fotografi: Tanjug News Agency/Boki

Rreth 30 firma të Serbisë do të prezantohen edhe këtë vit në panairin ekonomik, i cili hap dyert me 28 shtator në Prishtinë. Kjo paraqitje e përbashkët e ekonomistëve është vetëm një pjesë e bashkëpunimit mes odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin flasin Marko Çadezh dhe Safet Gërxhaliu.

Detusche Welle: Si paraqitet aktualisht bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë? Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballen ekonomistët dhe odat ekonomike të këtyre dy vendeve?

Safet Gëexhaliu: Problemi më i madh në Ballkan është që lajmet e mira nuk paraqesin ndonjë lajm, por vetëm lajmet e këqija. Përveç kësaj, në Ballkan është problem edhe fakti që duket se kurrë nuk mund të flitet vetëm për raportet ekonomike mes vendeve, pa e vënë atë në konotacion më të gjerë. Nëse shikoni tendencën e shkëmbimeve të mallrave, nëse shikoni që çdo ditë ka gjithnjë e më pak pengesa, atëherë mund të thuhet se bashkëpunimi Kosovë-Serbi është në nivelin më të mirë. Këtë e kanë influencuar edhe odat ekonomike

Marko Çadezh: Ky bashkëpunim po zgjat prej tre vitesh. Në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë ka filluar edhe dialogu mes dy odave. Së pari kemi përcaktuar atë që mund të bëjnë odat dhe atë që nuk mund të bëjnë, e njëkohësisht kemi përgatitur zgjidhjet për lehtësimin e afarizmit mes ekonomistëve. Ideja elemenare në filim ka qenë që përmes odave të shohim, se cilat janë problemet me të cilat përballen ekonomistët në Kosovë dhe Serbi, me qëllim që të reagojmë dhe t'i evitojmë ato përmes institucioneve - doganave, drejtorive veterinare etj. Këto janë probleme ku odat mund të ndikojnë. Dhe vërtetë, pas nisjes së dialogut, gjërat kanë nisur të lëvizin për të mirë.

Safet Gërxhaliu: Ne thjesht duhet të eliminojmë pengesat, sepse nëse nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë atëherë si mund të tërheqim investimet e huaja në vendet tona. Askush nuk do të investojë në ndonjë treg që ka vetëm dy milionë konsumatorë. Të gjithë përpiqen që mallrat t'i shesin në një treg më të gjërë. Në këtë kontekst duhet të forcojmë dialogun, partneritetin dhe t'i analizojmë format e një bashkëpunimi më të mirë ekonomik mes nesh. Vetëm kështu mund të jemi më konkurentë dhe atraktivë për investrët e huaj.

Deutsche Welle: Sa është Kosova e rëndësishme ekonomikisht për Serbinë dhe anasjelltas, sa Serbia është e rëndësishme për Kosovën?

Marko Çadezh: Ky është thjesht një treg i natyrshëm. Më 2015 kemi pasur një shkëmbim prej 415 milionë Eurosh. Prej tyre, Serbia ka dërguar në tregun e Kosovës mallra në vlerë prej 390 milionë Euro. Pra edhe këto shifra flasin se ky është një treg i rëndësishëm. Ajo që për ne është shumë me rëndësi, për odat ekonomike, është që bashkëpunimi ekonomik nuk duhet të ngelet vetëm tek tregtia. Por duhet të ndërlidhim ndërmarrjet mes tyre, të cilat do të merren me prodhime të caktuara dhe së bashku mund të krijojnë të ashtuquajturat kompani joint-venture dhe të paraqiten së bashku në treg.

Safet Gërxhaliu: Po, tradita e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë ekziston. Tek e fundit, tregtia ka gjetur rrjedhat e veta edhe në kohërat më të vështira. Kosova është një treg ku mund të shiten mallrat serbe, por edhe Serbia duhet të jetë një treg ku të shiten mallrat nga Kosova, ndonëse jo në masën që Serbia shet mallra në Kosovë. Ekziston edhe një gjë tjetër të cilën ne thjesht nuk e respektojmë, e kjo është që Serbia ka marrëveshje strategjike me shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Nëse ia dalim që përmes Serbisë do futemi në këto tregje dhe atje të dërgojmë mallrat tona, kjo do të ishte për ne një mbështetje e madhe. Përveç kësaj, duhet të pranojmë që edhe me shtetet e pavarura, pavarësisht se ne nuk jemi anëtar në OKB, përmes Serbisë mund të hapet perspektivë e re. Ekzistojnë pra mundësi të mëdha, jo për shitjen e mallrave por edhe shërbimeve - në veçanti në ndërtimtimin, industrinë IT-së dhe në fusha të tjera.

Marko Çadezh: Ajo që është interesante për bashkëpunimin tonë është që ne me Odën Ekonomike të Kosovës, kemi nisur edhe iniciativën e themelimit të një forumi për investime në të gjithë rajonin. Në të janë futur tetë oda ekonomike, pra të gjitha odat nga hapsirat e ish-Jugosllavisë, plus Shqipëria. Po përpiqemi të identifikojmë problemet e ngjashme në tërë rajonin dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë, në mënyrë që qeverive tona t'u themi: "Kjo mund të lehtësohet, kjo duhet të zgjidhet...". Nga ana tjetër, duam që të vendosim lidhjet mes firmave, në mënyrë që ato së bashku të paraqiten në tregjet e treta.

Safet Gërxhaliu: Ekzistojnë fije të rëndësishme që na lidhin, të cilat duhet t'i shfrytëzojmë. Tek e fundit, nëse analizoni shtetet e Bashkimit Evropian, mos mendoni se mes tyre ka shumë dashuri. Pikërisht bashkëpunimi ekonomik i afron këto vende mes tyre, thyen barrierat dhe forcon urat e bashkëpunimit. Në këtë kontekst, mendoj se ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë atë që ka bërë Bashkimi Evropian që në vitin 1958.

Deutsche Welle: Por sa ndikojnë mosmarrëveshjet politike në frenimin e bashkëpunimit ekonomik?

Marko Çadezh: Natyrisht që është me rëndësi që të ekszitojë një kornizë stabile politike. Pa këtë nuk mund të kemi bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ekonomia është si uji  - gjithmonë e krijon shtratin e vet. Por kur kemi një kornizë të duhur politike, kur kemi siguri dhe stabilitet - atëherë gjërat shkojnë shumë më lehtë. Atëherë kemi një bashkëpunim më të drejtpërdrejt, që funksionon më mirë. Ne natyrisht që e kuptojmë kompleksitetin e problemit politik. Por është shumë me rëndësi të theksojmë edhe atë që është bërë kohët e fundit, për dy vite e gjysmë, kur bëhet fjalë për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, përmes dialogut që po vazhdon në Bruksel. Kjo ua lehtëson punën edhe odave ekonomike dhe ekonomisë në përgjithësi.

Safet Gërxhaliu: Do të ishte e pa sinqertë nëse themi se potlika nuk e ka rolin e vet në krijimin e pengesave. Por duhet të jemi të hapur dhe t'u shprehim mirënjohje njerëzve të ekonomisë, sepse tek e fundit, është fakt që biznesi dhe bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë janë 100 hapa përpara politikës. Nëse dikush e meriton të jetë hero i kohës moderne, atëherë ata janë njerëzit e ekonomisë, të cilët i shikojnë punët e tyre dhe punojnë. Nëse e bëjmë një lloj krahasimi mes politikanëve dhe ekonomistëve e shohim se politikanët gjithmonë flasin për atë që ka ndodhur në të kaluarën - me 1974, me 1981, asaj që ka ndodhur në vitin 1990, dhe në vitin 1999. Ndërsa biznismenët gjithmonë thonë:  'Sot jemi këtu, por të shohim se ku do të jemi për pesë, 10 apo 20 vite...'. E çfarë është më e rëndësishme për Ballkanin, se e ardhmja?