1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Shqipëria trajtohen nga Parlamenti Europian

Viron Gjymshana6 Shtator 2006

Eurodeputetët e Parlamentit Europian kërkuan që bisedimet për statusin e Kosovës të mos zgjaten përtej fundit të këtij viti. Njëkohësisht ata bënë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe eleminimin e sistemit të « Dushkut ».

https://p.dw.com/p/Arcv
Parlamenti Europian në Bruksel
Parlamenti Europian në BrukselFotografi: AP
Statusi i Kosovës dhe roli i Bashkimit Europian pas përcaktimit të tij si dhe marrëveshja e asocim -stabilitetit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së - ishin sot dy çështjet e vetme që u trajtuan për mbi tre orë nga deputetët e Parlamentit Europian të mbledhur në seancë plenare në Strasburg.

Duhet thënë se shumica dërrmuese e europarlamentarëve e konsideronin pavarësinë e Kosovës si diçka të pashmangshme, madje shumica prej tyre siç ishte psh rasti i eurodeputetëve Doris Pack, Johannes Swoboda, Joos Lagendajk, Wiersma, Gisela Kallenbach etj e vunë më shumë theksin në rolin ekonomik, politik, ushtarak, etj që duhet të luajë BE-ja pas përcaktimit të satusit të saj, sesa në përcaktimin e tij. Por njëkohësisht europarlamentarët nënvizuan me forcë nevojën e respektimit të të drejtave të pakicës serbe atje, prandaj ata u shprehën me shumicë në favor të një sovraniteti të kufizuar.

Eurodeputeti socialist austriak Johannes Swoboda e bëri të qartë se bëhet fjalë për një për sovranitet të kufizuar në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-së, dhe kurrsesi jo me Beogradin.

Nga ana e saj eurodeputetja gjermane Doris Pack kritikoi praninë e shumë delegacioneve dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë që vepronin të shkëputur nga njëri tjetri.

Baronesha britanike Sarah Ludford theksoi se BE-ja duhet ta trajtojë Kosovën si një shtet të saj të ardhshëm.

Nga ana e saj përfaqësuesja e presidencës finlandeze të BE-së pranoi se pas përcaktimit të statusit bashkësia ndërkombëtare do të tërhiqet nga Kosova dhe vendin e saj do ta zëjë Bashkimi Europian.

Komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn, nënvizoi me këtë rast se BE-ja po parashikon të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh për Kosovën, pas përcaktimit të statusit të saj. Ai bëri të ditur po ashtu se, sipas Ahtissarit, ka pak gjasa që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë në një zgjidhje të përbashkët të statusit, prandaj BE-ja së bashku me Grupin e Kontaktit dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të përgatiten për imponimin palëve të një zgjidhjeje përfundimtare.

Shumica e diskutantëve pasi shprehën mbështetjen e tyre ndaj rolit të Ahtissarit në bisedimet e Vienës kërkuan që këto bisedime të mos zgjaten pafundësisht dhe që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti.

Përsa i takon marrëveshjes së asocim - stabilitetit me Shqipërinë Parlamenti Europian u shpreh në përgjithësi në favor të tij, por si presidenca finlandeze e BE-së, po ashtu si dhe Komisioni Europian e konsideruan nënshkrimin e marrëveshjes më 12 qershor vetëm si hapin e parë në rrugën e gjatë të Shqipërisë drejt BE-së. Presidenca finlandeze pohoi se mbeten ende shumë reforma për tu kryer në vend, sidomos përsa i takon administratës, ligjit të pronave, lirisë së shtypit etj.

Komisioneri Olli Rehn, pasi përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar javën e kaluar ndërmjet PD-së dhe PS-së kërkoi që të vihet në jetë sa më shpejt reforma zgjedhore.

Hartuesi i raportit për Shqipërinë Hendrik Ilves, kërkoi që të hiqet eleminohet një herë e mirë sistemi i Dushkut, ndërsa Doris Pack nënvizoi se BE-ja ka dhënë fonde për hartimin e rregjistrit të ri të zgjedhjeve, i cili duhet që tani të jetë i saktë. Parlamenti Europian, presidenca finlandeze si dhe Komisioni Europian e cilësuan mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale në Shqipëri si gurin e provës në afrimin e Shqipërisë me BE-në.