1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova diskutohet këtë javë në Berlin

Anila Shuka5 Nëntor 2007

Megjithë shansin shumë të vogël që të arrihet një zgjidhje në kuadër të bisedimeve aktuale mes shqiptarëve dhe serbëve Gjermania vazhdon përpjekjet serioze për ta shfrytëzuar këtë shans deri në fund.

https://p.dw.com/p/C2vj
Ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer
Ministri i jashtëm gjerman, ShtajnmajerFotografi: DW/F.Craesmeyer

Nga bisedimet e drejtuara nga Troika nuk priten çudira. E megjithatë, përpjekjet e Gjermanisë për t'i dhënë atyre një shans janë të mëdha. Këtë e theksoi të hënën në konferencën e rregullt për shtyp, zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane Martin Jeger (Jaeger): "Të gjithë pjesëmarrësit janë realistë që nuk ka garanci për zgjidhje. Përkundrazi dihet që ka kundërshtime të mëdha për ta zgjidhur statusin bashkarisht. Megjithatë vendet anëtare të Grupit të Kontaktit përpiqen me të gjitha forcat dhe shumë seriozisht që të gjejnë një zgjidhje," tha ai. "E kemi lënë pas fazën e testimit dhe tani kemi hyrë në fazën e mirëfilltë të negociatave," tha Jeger duke komentuar bisedimet aktuale në kuadër të Troikës.

Steinmeier, Bakojanis dhe Jeremiç flasin për Kosovën

Këtu hyjnë edhe takimet e ministrit të jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, gjatë kësaj jave në Berlin: Të mërkurën me homologen greke, Dora Bakojanis, dhe homologun serb Vuk Jeremiç. Të enjten në kryeqytetin gjerman pritet të vijnë të pesë antarët e grupit të unitetit, që përfaqësojnë Kosovën në bisedimet për statusin. Jeger nuk donte të thoshte se e kujt ishte nisma për këtë takim: Se kush telefonoi i pari këtë nuk mund ta them, por të gjitha palët pjesëmarrëse kanë një interes të madh të takohen, tha ai. Qëllimi i këtyre takimi është gjithsesi mbështetja ndaj punës së diplomatit gjerman Volfgang Ishinger, që përfaqëson BE-në në bisedimet e Vjenës.

Merkel dhe Bush flasin për Kosovën

Kosova do të jetë temë bisedimesh edhe në takimin që do të ketë kancelarja gjermane Angela Merkel me presidentin amerikan George Bush në rezidencën e tij në Teksas, të premten. Divergjenca mes Merkelit dhe Bushit për statusin e Kosovës nuk ka, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Urlih Vilhelm (Ulrich Wilhelm): "Si qeveria gjermane ashtu edhe ajo amerikane janë të një mendimi që
bisedimet duhet të kenë një shans e për këtë duhet bërë gjithçka, tha Vilhelm. Ai megjithatë shtoi se nuk ka garanci që këto bisedime do të sjellin zgjidhje.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Gjermania ""përrallë ballkanike"

Jeger i hodhi poshtë njoftimet e mediave kosovare, sipas të cilave Gjermania e ka marrë tashmë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe e quajti atë "përrallë ballkanike". Më shumë nuk dua të komentoj, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme. Të hënën e përditshmja kosovare, Koha Ditore, se Gjermania e ka vendosur tashmë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gazeta në fjalë i referohej një diplomati të lartë gjerman, pa i përmendur emrin. Një raport i ngjashëm në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk dy javë më parë ishte bërë shkak për irritime në Berlin. Nga qeveria gjermane u tha disa herë se ky lajm ishte spekulim dhe se Gjermania nuk ka vendosur asgjë për statusin e Kosovës.