1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ende pa ligj pune

3 Korrik 2009

Kosova ende nuk e ka ligjin e saj të punës. Qeveria thotë se po harton një ligj funksional me përparësi zbutjen e papunësisë. Sindikalistët thonë se ligji duhet të përfshijë edhe sigurimin e atyre në punë._

https://p.dw.com/p/IggO
Kosova vuan nga një papunësi e lartë. Ne foto:pamje nga qendra e Prishtines
Kosova vuan nga një papunësi e lartëFotografi: picture-alliance/dpa

Janë mijëra punëtorë kosovarë, të drejtat e të cilëve nuk i mbron askush. Kjo për faktin që Kosova ende nuk e ka miratuar ligjin e punës. Kjo bën poashtu që statistikat zyrtare të papunësisë të jenë shumë të larta. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se po hartojnë një ligj të zbatueshëm e funksional që përparësi do të ketë fillimisht zbutjen e papunësisë. Nga ana tjetër, sindikalistët kosovarë thonë se ligji i punës duhet të përfshijë edhe sigurimin e kushteve më të mira për ata që tashmë kanë një vend pune. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, thotë se Ligji i punës duhet të jetë në pajtim me standardet ndërkombëtare në mënyrë që të jetë i dobishëm. Ai thotë se tani për tani për qeverinë e rëndësishme është që të ulet shkalla e papunësisë.

“Nëse tani e kemi sipas të dhënave zyrtare papunësinë në shkallën prej 44 për qind, atëherë çfarë kuptimi do të kishte ligji nëse kjo përqindje është vazhdimisht e tillë. Prandaj përparësi e qeverisë është pikërisht kjo zbutje e papunësisë”, thotë ministri Rashiç.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se papunësia në Kosovë është në shifra alarmante, mirëpo edhe ata që janë në marrëdhënie pune nuk i mbron askush. Sipas tij, më të goditurit nga mungesa e ligjit të punës janë ata që punojnë në sektorin privat. Në këtë sektor janë punësuar rreth 250 mijë punëtorë. Në të shumtën e rasteve këta punëtorë nuk kanë kontratë pune, nuk kanë mbrojtje në punë e as mbrojtje shëndetësore.

“Ky shtet duhet të funksionojë me ligje, sepse ligji është ai që obligon, garanton dhe sanksionon. Pra në një anë punëdhënësin e obligon, në anën tjetër garanton dhe në fund ligji sanksionon, pra edhe punëdhënësin edhe punëmarrësin. Edhe punëtorin e sanksionon nëse nuk i kryen obligimet e veta që i ka ndaj punëdhënësit,” thotë Haxhi Arifi.

Por, prapë se prapë shqetësuese për sindikalistët është papunësia në shkallë shumë të lartë në Kosovë. Kryesindikalisti Haxhi Arifi, thotë se të dhënat e qeverisë sipas të cilave shkalla e papunësisë në Kosovë është 44 përqind nuk janë të sakta, sepse ka një numër të madh të papunëve që nuk janë regjistruar në entet statistikore si të papunë.

“Realiteti është se përmbi 60 % janë të papunë, ata që evidentohen në entin e punësimit janë statistika që i grumbullojnë entet, por ne kemi punëtorë, që i kanë humbur të gjitha shpresat që të gjejnë një vend pune përmes enteve."


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi