1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Bekim Shehu
14 Janar 2022

Osmani, Kurti dhe Konjufca në një deklaratë të përbashkët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta si me çdo shtet tjetër.

https://p.dw.com/p/45YJd
Kosovo Pristina Stadtansicht
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Megjithë thirrjen e vendeve të QUINT-it, që të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përmes mbledhjes së votave nga OSBE-ja, tre krerët e institucioneve qendrore të Kosovës, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca, njëzëri u deklaruan kundër lejimit të mbajtjes së referendumit në Kosovë. Pas një takimi që patën me të gjithë ambasadorët e vendeve të QUINT-tit dhe përfaqëuesin e BE-së, përmes një deklarate të përbashkët, pas takimit, Osmani, Kurti dhe Konjufca, thanë se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, por vetëm nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë.

Presidentja Vjosa Osmani
Presidentja Vjosa Osmani Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"Institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta si me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND)”.

Kushtetuta e Kosovës nuk lejon referendum në territorin sovran të një shteti tjetër

Në deklaratë qartësohet se Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.

Kryeministri Albin Kurti
Kryeministri Albin KurtiFotografi: Bahri Cani/DW

Në zgjedhjet  e mëhershme që janë zhvilluar në Serbi, qendra votimi janë hapur edhe në lokalitetet më shumicë serbe në Kosovë, por, votat janë mbledhur nga OSBE-ja. Për këtë praktikë, institucionet e Kosovës janë kundër dhe nuk duan të lejojnë që të hapen qendra votimi nga, siҫ thonë, “strukturat paralele të Serbisë”.   

"Para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën”, thuhet në deklaratë. Në të ju kërkohet më tej miqve "që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Kundërshtim edhe nga udhëheqësit e partive opozitare 

Edhe dy udhëheqësit e dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë, kryetari i  PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, u shprehen kundër lejimit të organizimit të Referendumit të Serbisë në teritorin e Kosovës.

"Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Memli Krasniqi.

"Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Lumir Abdixhiku.

Menjëherë pas takimit të tre krerëve të shtetit me ambasadorët e vendeve të QUINT-tit, kryeministri Albin Kurti thirri seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të shtunën, lidhur me synimet e Serbisë për të organizuar referendum edhe në Kosovë.

Paraditën e së premtes, ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara QUINT, nëpërmjet një deklarate të përbashkët i kërkuan Kosovës që të lejojë mbledhjen e votave të referendumit të Serbisë nga OSBE-ja.

"Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. QUINT-i, duke parë kundërshtimin e Kosovës dhe këmbënguljen e Serbisë, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin.

QUINT-i kërkon përmbajtje

"I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërkaq, një ditë më parë tha se moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë "do të ketë pasoja afatgjata”.

Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen "a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”