1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në dhjetor do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave

6 Dhjetor 2011

Intervistë me ministren e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Qitaku, tri ditë para se liderët e BE-së të marrin vendim që Kosovës t'i jepet ose jo, udhërrefyesi për liberalizimin e vizave.

https://p.dw.com/p/13NVn
Vlora Qitaku, ministre e Integrimeve Evropiane
Vlora Qitaku, ministre e Integrimeve EvropianeFotografi: DW

DW: Zonja Ministre Qitaku, do ta marrë Kosova këtë javë zyrtarisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave?

Qitaku: Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së të hënën në mbrëmje konfirmoi që deri në fund të këtij viti Kosova zyrtarisht do të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave. Pas vendimit të këshillit të ministrave dhe në fund fare pas takimit të liderëve të BE-së, që do të mbahen me nëntë dhjetor, përfundimisht komisioni evropian do të marrë dritën e gjelbër për hartimin e udhërrëfyesit. Pra e rëndësishme është që procesi të fillojë zyrtarisht. Ju e dini që Kosova para dy vitesh njëanshëm ka miratuar udhërrëfyesin e saj për liberalizimin e vizave dhe ne njëanshëm kemi bërë përmbushjen e shumë kritereve bazuar në proceset, që kanë kaluar vendet e rajonit.

DW: Ministre Qitaku, nga momenti kur Kosova zyrtarisht do ta marrë udhërrëfyesin për vizat, sa mendoni se do t'i duhet Kosovës që të plotësojë kriteret, ne mënyrë që të hiqen vizat. Shumë analistë thonë se do t'i duhet 2 deri në 3 vjet?

Qitaku: Nëse marrin shembull përvojat e rajonit, ky proces ka zgjatur nga 18 muaj deri në 22 muaj. Mirëpo duke marrë parasysh që Kosova njëanshëm para dy vjetësh ka miratuar udhërrëfyesin e saj për liberalizimin e vizave dhe shumë çështje, që do të adresohen në udhërrëfyesin e komisionit evropian ne tashmë i kemi përmbushur, unë besoj, se nëse vazhdojmë me këtë dinamikë të përkushtimit, ne do të jemi në gjendje t'i përmbushim edhe më shpejt. Për shembull pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike. Vendet e rajonit këtë proces e kanë nisur fare pak muaj para liberalizimit të vizave, ndërkohë që ne e kemi filluar ende pa filluar zyrtarisht procesi i negociatave për liberalizimin e vizave. Prodhimi i pasaportave biometrike nuk është thjesht prodhim i një dokumenti. Prodhimi i pasaportave biometrike ka kaluar në një proces skenimi nga komisioni evropian, sepse ndërlidhet me sigurinë e dokumentacioneve. Ne së pari është dashur ta bëjmë digjitalizimin e regjistrit civil. Pra Kosova nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave e fillon nga një pozicion më i mirë sesa vendet e rajonit.

DW: Në cilat pika të kritereve mund të ketë vështirësi në përmbushjen e tyre?

Qitaku: Pika me e ndjeshme, që ne duhet ta adresojmë, është ndalimi i imigrimit ilegal. Ne duhet ta themi shumë hapur, që azili është armiku më i madh i procesit të liberalizimit të vizave. Ne duhet t'ua themi qytetarëve tanë hapur dhe publikisht që koha e azilit ka përfunduar. Ne ose duhet të përcaktohemi për proces të integrimit evropian dhe liberalizim, ose për izolim dhe më pas kërkim azili. Vendet e rajonit, që tashmë i kanë vizat e liberalizuara, po kërcënohen me regjim të vizave për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, sidomos nga Serbia dhe Maqedonia. Pra unë mendoj se një kriter shtesë, që do t'i imponohet Kosovës pikërisht bazuar nga përvojat e rajonit, do të jetë luftimi i migrimit.

DW: Mund ta garantojë Kosova që nuk do të ketë migrim?

Qitaku: Ky nuk është proces, që mund të parandalohet përmes apeleve politike. Ky është një angazhim, që duhet të bëhet nga strukturat institucionale të Kosovës, por edhe atyre ndërkombëtare. Unë tashmë kam pasur një takim të përbashkët me ministrin e Brendshëm, drejtorin e policisë dhe shefin e misionit EULEX dhe ata tashmë kanë vendosur si prioritet luftimin e këtyre rrjeteve kriminale, të cilët po përfitojnë nga gjendja e rëndë, që po jetojnë një kategori e qytetarëve të Kosovës, duke u premtuar statusin e azilit nëpër vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Ne tashmë i kemi venë vetes prioritet luftimin e këtyre rrjeteve kriminale dhe nëse do të demonstrojmë përkushtim dhe nëse do të kemi rezultate të prekshme vitin e ardhshëm, unë besoj se do të prodhojmë një partner të fuqishëm, si në komisionin evropian, ashtu edhe në vendet anëtare.

DW: Ministre Qitaku, mendoni se marrëveshja për menaxhimin e integruar te kufirit Kosove Serbi ishte një shtytje, që Kosova ta marrë udhërrëfyesin për vizat?

Qitaku: Gjithmonë na është thënë që procesi i integrimit evropian, sidomos procesi i liberalizmit të vizave, është një proces kryesisht teknik, i cili ndërlidhet me përmbushjen e kritereve, mirëpo aq sa është një proces teknik, përvoja e ka dëshmuar se është një vendim politik, i cili diktohet nga disponimet politike nëpër kryeqendrat e Bashkimit Evropian. Konstruktivitetin, që e ka dëshmuar Kosova në procesin e bisedimeve me Serbinë, e ka krijuar një atmosferë pozitive te qendrat e Bashkimit Evropian, mirëpo kjo atmosferë pozitive nuk do të ishte e mjaftueshme, nëse Kosova paraprakisht të mos i kishte përmbushur kriteret teknike.

DW: Në një dokument, që tashmë është publikuar ne media, thuhet se Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëdha posaçërisht për forcimin e reformës së administratës publike dhe konsolidimin e sundimit të ligjit, posaçërisht duke dhënë dëshmi për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformave gjyqësore dhe lirinë e shprehjes. Pse tash e 12 vjet pas luftës Kosova nuk arriti përparim në këto fusha?

Qitaku: Nëse e merrni dhe e krahasoni raportin e progresit për Kosovën dhe raportin e progresit për rajonin, ju mund ta shihni që të njëjtat sfida janë adresuar për të gjithë ne, krimi i organizuar, korrupsioni dhe ky nuk është një fenomen kosovar, por është një fenomen rajonal, të cilin mund ta luftojmë vetëm, nëse bashkëpunojmë si shtete njëra me tjetrën. Normalisht që Kosova ka një aset më shumë sesa vendet e tjera të rajonit. Ne kemi këtu misionin EULEX, që ka mandat së bashku me institucionet e Kosovës, të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Unë mendoj që vitin e kaluar, sidomos me plotësimin e infrastrukturës ligjore, me ngritjen e pagave në sistemin e drejtësisë dhe policisë, ne kemi bërë një hap përpara për të akomoduar shtyllat kryesore institucionale, të cilat kanë për detyrë të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Po ashtu kemi pasur disa raste të profilit të lartë, që janë akuzuar për korrupsion dhe ka shumë raste tjera, që janë nën hetime. Është e rëndësishme që jo vetëm ta luftojmë korrupsionin aty, ku shfaqet, por ta luftojmë kulturën e korrupsionit. Ju e dini që Kosova me dekada deri në çlirim në vitin 1999 ka qenë e privuar nga pjesëmarrja në institucione dhe hapësira publike dhe shmangia nga sistemi ka qenë formë e mbijetesës. Ne tashmë duhet t'i bindim qytetarët, që pjesëmarrja aktive në institucione, në bërjen e politikave, posaçërisht kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie, janë shtylla kryesore e funksionit të një shteti demokratik.

DW: Cilat janë shpresat që Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian?

Qitaku: Në raportin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që u publikua të hënën në mbrëmje, ministrat e jashtëm rekomanduan që Kosova duhet të hyjë në marrëdhënie tregtare dhe Kosovës duhet t'i ofrohet qasje në programet e komunitetit dhe këto do të shënonin edhe marrëdhëniet e para kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica