1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova pret njohje të tjera

Bekim Shehu / Prishtinë15 Shtator 2008

Udhëheqësit politik kosovarë, shprehen të bindur se pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të ketë njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Ata besojnë se nisma e Serbisë do të kundërshtohet nga shtetet demokratike.

https://p.dw.com/p/FIPG
Kosovë
KosovëFotografi: AP
Udhëheqësit politik kosovarë, janë të bindur se nisma e Serbisë, që të kërkojë rezolutë nga Kombet e Bashkuara për interpretimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gykata ndërkombëtare e Drejtësisë, do të kundërshtohet nga shtetet me demokratike të botës, që e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se pavarësia e Kosovës do të ketë vetëm njohje të reja dhe kërkon nga Serbia që mos t'i bëjë pengësë Kosovës në integrimin e saj në strukturat euroatlanike. "Serbia po i bën lëvizjet e fundit për t`u arsyetuar para opinionit të saj. Serbia e di mirë se Kosova tashmë është një shtet i pavarur, sovran dhe domokratik i njohur nga 46 vendet më të fuqishme dhe domokratike të botës. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk duhet të frikësohen nga asnjë nismë e Serbisë ," thotë kryeministri Thaçi.

Në të njetën linjë shprehet edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili thotë i bindur se mekanizmat ndërkombëtar të drejtësisë, do të mbështesin gjithmonë të drejtën e popujve për vetvendosje. "Ne kemi besim se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nuk do të marrë ndonjë vendim kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sepse i gjithë aktiviteti politik që është zhvilluar në Kosovë është bërë në koordinim të plotë me autoritetet ndërkombëtare", thotë Jakup Krasniqi.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, që nuk janë përfshirë në institucionet e saj, thonë se Serbia ka të drejtë që të kërkojë mbrojtje të sovranitetit të vet nga institucionet ndërkombëtare. Oliver Ivanoviq, është sekretar shteti në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë:"Serbia ka të drejtën që të kërkojë mbrojtje nga institucionet ndërkombëtare që merren me këtë çështje, në këtë rast nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Serbia në Kosovë tash nuk po dërgon ushtrinë dhe policinë e saj, por po i drejtohet Gjykatës që ta vërtetojë sovranitetin e saj edhe mbi Kosovën dhe për këtë kërkon edhe ndihmën e vendeve evropiane ", thotë Oliver Ivanoviq.

Sidoqoftë, dy udhëheqësit politik kosovar, presidenti Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, më datën 20 të këtij muaji udhëtojnë për në Nju Jork, ku do të marrin pjesë në punimet e asambles së përgjithshme të OKB-së. Ata, shprehen të bindur se pas punimeve të Asamblesë edhe shumë shtete do ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse të gjitha argumentet sipas tyre janë në anën e Kosovës se duhet të jetë një vend i pavarur.