1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ratifikoi marrëveshjen e përcaktimit të kufirit me Maqedoninë

17 Tetor 2009

Kuvendi ratifikoi marrëveshjen e përcaktimit të kufirit me Maqedoninë. Në bazë të saj dhjetëra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedonas, por hapet rruga e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

https://p.dw.com/p/K92k
Parlamenti i Kosovës i tha po marrëveshjes me MaqedoninëFotografi: AP

Ka afro dy vjet që grupet e punës nga Kosova dhe Maqedonia kanë punuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth vijës kufitare mes këtyre dy vendeve. Më në fund të dy komisionet ranë dakord dhe përcaktuan vijën kufitare, ndërsa marrëveshja u nënshkrua nga të dy qeveritë. Disa dhjetëra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin e Maqedonisë, por marrëveshja u lejon banorëve kosovar që t'i punojnë tokat e tyre. Për futjen në fuqi të marrëveshjes, ajo duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Maqedonisë.


Fillim i një epoke të re në raportet Prishtinë - Shkup

Parlamenti i Kosovës e miratoi këtë dokument në një seancë të jashtazakonshme, megjithë kundërshtimet dhe debatet e shumta. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nënshkrimin e saj e cilëson si fillim të një epoke të re ndërmjet Kosovës dhe Maqeodnisë.

Kosovo Unabhängigkeit Präsident Fatmir Sejdiu im Parlament in Pristina
Sejdiu në ParlamentFotografi: AP

"Marrëveshja do të përmbyllë një kapitull që nënkupton sqarimin e detajuar të vijës kufitare. Me këtë do të fillojë një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Maedoninë", thotë Sejdiu. Mirëpo, në bazë të kësaj marrëveshje kufitare Kosovë - Maqedoni, disa dhjetëra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedonas. Kryeministri Hashim Thaçi siguron banorët kosovar të brezit kufitar për qasje të plotë në tokat e tyre.

"Qytetarët e Kosovës do të mund të punojnë tokën e tyre pa frikë, pa u penguar dhe me një qasje të pandërprerë. Kjo do të rregullohet me formimin e komisioneve përkatëse ndërshtetërore", theksoi kryeministri Thaci.

Marrëveshja rikonfirmon subjektivitetin e Kosovës

Marrëveshja ndërshtetërore për vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, sipas kryeministrit Thaçi, rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe forcon pozitën e saj, lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Mazedonien hat Kosovo als unabhängigen Sttat anerkannt
Pritet edhe ratifikimi i Parlamentit të MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Arritja e marrëveshjes ndërmjet dy qeverive për kufirin është përshendetur nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Ambasadat e vendeve perëndimore thonë se udhëheqësitë e dy vendeve kanë treguar vendosmëri dhe kanë bërë hap të rëndësishëm në drejtim të sigurimit të stabilitetit në rajon. Ata presin vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, thuhet se do të bëhët gjatë javës së ardhshme, me një vizitë që do ta realizojë në Maqedoni kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani