1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kush bisedon me Serbinë për marrëveshjen finale?

Bekim Shehu
4 Shtator 2018

Dy seanca të jashtëzakonshme janë thirrur në kuvendin e Kosovës një nga pozita dhe një nga opozita për të diskutuar për dialogun me Serbinë. Palët nuk po bien dakord për udhëheqësin e delegacionit.

https://p.dw.com/p/34HZm
Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë nuk po arrijnë të merren vesh për një platformë të përbashkët dhe ekip negociues për dialogun final me Serbinë. Deputetët u mblodhën në një seancë të jashtëzakonshme e thirrur nga qeveria e Kosovës, për ta mandatar ekipin negociator të Kosovës që kryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, propozim ky i qeverisë së Kosovës. Pjesë e ekipit negociator do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, ndërsa vendet e tyre në këtë ekip i kanë të rezervuara edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile. Seanca e thirrur nga qeveria i paraprinte një seance tjetër të jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare, të cilat synojnë ta nxjerrin një rezolutë që ia ndalon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të diskutojë me Serbinë çështjen e korrigjimit të kufirit, ide kjo e vet presidentit. Seanca e thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj u bojkotua nga opozita. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kritikoi veprimin e opozitës për bojkotimin e seancës, ndërsa paralajmëroi që edhe qeveria do ta bojkotojë seancën e thirrur nga opozita. "Opozita mund të mos marrë pjesë në votim, por do të duhej të vinte në seancë e t'i tregojë mendimet e veta, mendoj se më e mira ka qenë që të vihet në seancë dhe të thuhen ato pikëpamje çka nuk është në rregull, a janë emrat, a është logjika apo çka nuk qëndron, por vetëm

mospjesëmarrja në seancë nuk mendoj që është ndihmë dhe me këtë ata nuk po dëshmojnë që e kanë qëllimin që po thonë të ruajnë territorin", tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë inicuese e seancës së jashtëzakonshme thotë, se "ekipi negociator i propozuar nga qeveria nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe do të përligj në emër të qeverisë marrëveshjet e fshehta të presidentit Thaçi me Serbinë. Shteti i Kosovës po hyn në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pa negociueshëm", thuhet në një deklaratë të LDK-së në opozitë.

Në këtë linjë shprehet edhe partia tjetër opozitare lëvizja Vetëvendosja. Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të vetëvendosjes tha, se qeveria e Kosovës po dorëzohet përballë trysninë së presidentit të vendit, dhe kjo sipas tij është e papranueshme.

"Sot çka kemi parë është vagonët që do t'i shtohen Hashim Thaçit në negociatat me Serbinë. Duke u bërë bisht i Thaçit duke shkuar në Bruksel me gjysmën e spektrit politik, përkundër që ne i refuzojmë vendet e rezervuara, këtu nuk po ndryshon kurrgjë", thotë Glauk Konjufca duke shtuar se "ekipi negociator i kryeministrit është vetëm për t'ia bërë agjendën e presidentit Thaçi".

Debati në kuvendin e Kosovës po vazhdon pa prezencën e opozitës, ndërsa, pritet të votohet propozimi i kryeministrit për ekipin negociator të Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Ndërsa, seanca e jashtëzakonshme e opozitës që tenton me anë të një rezolute të parlamentit t'ia ndalojë presidentit që të flasë për korrigjimin e kufirit akoma nuk ka filluar. Kjo seancë mund edhe të dështojë nëse opozita nuk mund ta mbledhë kuorumin e nevojshëm me 61 deputet pjesëmarrës nga 120 deputet sa i ka kuvendi i Kosovës.

Dy seancat e jashtëzakonshme të kërkuara njëra nga partitë në pushtet dhe njëra nga opozita bëhen vetëm tri ditë para se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuciq, të takohen më 7 shtator në Bruksel në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Kjo e fundit që lehtëson këtë dialog, u shpreh të premten (310.08)se "pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet edhe nga disa vende të BE-së, (më e zëshme në këtë mes është Gjermania) si kusht që Serbia të mund të përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.