1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krasniqi humbi nga Dimitrenko

Bahri Cani16 Nëntor 2008

Të shtunën në Dyseldorf, boksieri kosovar Luan Krasniqi humbi nga ukrainasi Aleksandër Dimitrenko.

https://p.dw.com/p/Fuqu
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ishte ky ndoshta edhe rasti i fundi i Luan Krasniqit për t´u kthyer në skenën e madhe të boksit ndërkombëtar dhe për të konkuruar sërish për ndonjë titull kampioni botëror në peshën e rëndë. Për 37-vjeçarin me nënshtetësi gjermane dhe origjinë kosovare, ishte ky rast i mirë edhe për rehabilitim, pas humbjes bindëse në qershor të vitit të kaluar, kundër amerikanit Tony Thompson.

Deri në raundin e tretë para tifozëve të tij, Krasniqi ishte në rrugën më të mirë që të rikthehet në arenën e madhe të boksit. Deri atëherë Luani ishte më i mirë. Mirëpo një pakujdesi dhe një goditje në mëlqi, pak para përfundimit të raundit të tretë i dhanë fund të gjitha shpresave të tij. Krasniqi fitoi rreth një milionë euro, por humbi ndoshta edhe shansin e fundit. Ndërsa Dimitrenkos iu hap rruga për të ëndërruar edhe më tej per titullin e kampionit të botës.

Aleksander Dimitrenko, në konkurrencën e WBO-së radhitet i dyti, menjëherë pas kampionit Vlladimir Kliçko.

26 vjeçari Dimitrenko i ka fituar të gjitha 29 duelet e deritanishme. Ndërsa bilanci i Luan Krasniqit është 35 duele, 30 fitore, 4 humbje dhe një barazim.