1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krastev: Turqia dhe Rusia që thonë "jo"

Alexander Andreev12 Dhjetor 2015

Rusia dëshiron më tepër ndikim në Lindjen e Afërt, Turqia ka një rol kyç në krizën e refugjatëve. Në këtë sfond, një zgjidhje e konfliktit bilateral është shumë e vështirë, mendon Ivan Krastev.

https://p.dw.com/p/1HM5R
Ivan Krastev,
Fotografi: Ivan Krastev

DW: Pas rrëzimit të një avioni luftarak rus nga ushtria ruse, tensionet midis Rusisë dhe Turqisë janë shtuar. A do ta ndryshojë ky konflikt rolin e Moskës në skenën botërore?

Ivan Krastev: Nuk është konflikti me Turqinë, por "Shteti Islamik" (IS) dhe frika në rritje nga terrori i tij po e ndryshojnë gradualisht rolin e Moskës në politikën botërore. Operacioni ushtarak në Siri e ndihmon Rusinë që gradualisht të shkëputet nga izolimi. Atentatet në Paris veç kësaj i kanë bërë shumë në Evropë që ta shohin Rusinë më tepër si partnere potenciale, se sa si armike kryesore. Konflikti me Turqinë në këtë kuadër është joproduktiv për Moskën. Turqia është në fund të fundit jo vetëm anëtare e NATO-s, por - dhe kjo është më e rëndësishmja - ai vend, që luan një rol qendror në strategjinë e BE për përballimin e krizës së refugjatëve.

Gjatë historisë, Rusia dhe Turqia kanë qenë armike. Sot, të dyja vendet kanë shumë përbashkësi. Si do të zhvillohen në këtë sfond marrëdhëniet bilaterale?

Ngjashmëria midis Rusisë dhe Turqisë konsiston para së gjithash në faktin se të dyja janë trashëgimtare perandorish në periferi të Evropës. Të mezi presin që të respektohen nga Evropa, por janë gjithmonë kritike përballë Perëndimit. Kjo ambivalencë e bëri të mundur, që të dyja vendet të bashkëpunojnë shumë mirë në dhjetë vitet e fundit. Jo vetëm për shkak të interesave të përbashkëta ekonomike, por sepse e shohin sovranitetin si me rëndësi thelbësore të politikës së tyre. Këtë sovranitet përballë Perëndimit ato e shohin para së gjithash si aftësi për të thënë "jo". Turqia është i vetmi vend i NATO-s, që nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Gatishmëria e Turqisë për të thënë "jo", edhe vetë përballë SHBA - çmohet shumë lart nga Rusia. Edhe për këtë shkak, Rusia e ka bërë Turqinë në qendër të diplomacisë së saj të gazit. Megjithatë, përpjekja e Moskës për të luajtur një rol qendror në Lindjen e Afërt i hodhi në erë me plotëkuptimin e fjalës marrëdhëniet dypalëshe. Sepse objektivat e Rusisë në Siri jaë saktësisht e kundërta e atyre që do Turqia atje.

Përsa u përket ngjashmërive midis Putinit dhe Erdoganit: ajo ka më tepër efekt negativ ndaj një zgjidhjeje të konfliktit bilateral. Të dy presidentët besojnë në një pushtet të pakufizuar, nuk durojnë kritika dhe janë të gatshëm t'i vënë pikëpyetje gjithçkaje, për të arritur synimet e tyre. Ata u besojnë teorive të komploteve, por përballë politikës së tyre agresive fshihet një ndjesi pasigurie, të cilën e kanë të përbashkët.

Por midis shoqërisë turke dhe asaj ruse ka dallime të mëdha. Ndryshe nga shoqëria ruse, shoqëria turke është shumë e re dhe dinamike. Në dallim nga Putini, Erdogani ka një ideologji stabile dhe mbështetet tek feja islame, të cilën nuk e përdor thjesht për qëllime taktike. Përkundrazi, kohezioni politik i brendshëm i Rusisë është shumë më i madh, në një kohë kur shoqëria turke është e përçarë: si etnikisht, për shkak të kurdëve, por edhe në qytetarë fetarë dhe laikë. Në Turqi, AKP mund të mbijetojë edhe pa Erdoganin, kurse një Rusi pas Putinit është e vështirë të përfytyrohet për momentin. Në këtë kuadër, Turqia për momentin duket më e plagosshme, në një kohë që Rusia është e paparashikueshme në plan afatgjatë.

Ivan Krastev është ekspert për Rusinë, Permanent Fellow i "Institutit për shkencat e njeriut" në Vjenë dhe autor rubrike në New York Times.