1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj bashkimit të PPD-së në PDSH-së në Maqedoni

Fatos Musliu25 Korrik 2008

Baza kërkuan zhvillimin e kuvendit të jashtëzakonshëm të PPD-së, ku do të diskutohej e ardhmja e partisë së parë politike shqiptare në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/EjiN
Stema e PDSH-së
Stema e PDSH-sëFotografi: Petar Stojanovski

Iniciativa e kryetarit të PPD-së, Abdylhadi Vejseli për shkrirjen e partisë dhe bashkangjitjen e saj me Partinë Demokratike Shqiptare ka shkaktuar një sërë kritikash brendapartiake, të cilat kanë qenë kundër kësaj ideje. Forumi rinor i PPD-së këtë hap të kryetarit Vejseli e ka cilësuar si qyqar dhe tradhëtar. Më pas akuzave u janë bashkangjitur edhe disa degë të PPD-së të cilat me këmbëngulësi kanë kërkuar mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë ku do të diskutohej e ardhmja e partisë së parë politike shqiptare në Maqedoni PPD. Më të zëshëm në kundërshtimin e shkrirjes së PPD-së në PDSH ka qenë dega e Tetovës. Kryetari i saj Ilir Luma tha: "se çdo iniciativë për shkatrimin e PPD-së që në fillim është e dështuar." Ai nuk përjashton mundësinë që individët që kanë inicuar shkrirjen e PPD-së në PDSH të menjanohen nga partia. Forma e veprimit te ruajtjes së partisë PPD do të jetë institucionale dhe konform rregullores së partisë, thotë Ilir Luma kryetar i degës së PPD-së në Tetovë.

Pas akuzave të njëpasnjëshme brendapartiake për iniciativën e shkrirjes së PPD-së në PDSH, nënkryetarët e PPD-së, Ismet Ramadani dhe Riza Shabani si dhe anëtari i kryesisë Halit Hajdari kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre. Mënyra se si u zhvilluan Zgjedhjet Parlamentare 2008, dhuna dhe manipulimi, si dhe rezultati i dobët i PPD-së dhe i yni në zgjedhje, diktojnë ndërgjegjen tonë të japim dorëheqje të parevokueshme nga funksionet e larta partiake, thuhet në deklaratën me shkrim të të dy nënkryetarëve dhe anëtarit të kryesisë.

Nënkryetarët e PPD-së Ismet Ramadani dhe Riza Shabani kanë qenë edhe anëtarët e komisionit treanëtarësh për udhëheqjen e negociatave për bashkim me PDSH-në.

Kryetari i PPD-së, Abdulhadi Vejseli, ka paralajmeruar mbajtjen e mbledhjes së kryesisë dhe degëve partiake për të diskutuar zhvillimet dhe opcionet e reja politike brenda këtij subjekti. Krahu tjetër që është kundër bashkimit të PPD-së në PDSH do të konvokojë mbledhje për formimin e kryesisë së përkohshme që do të ketë për obligim mbajtjen e Kongresit i cili do ta rikthente PPD-në në skenen politike në Maqedoni.