1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj debatit dhe rezolutës

Bekim Shehu
28 Tetor 2016

Bashkimi Evropian dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se debati dhe rezoluta e parlamentit për vendimet e gjykatave, shënon ndërhyrje të politikës në sistemin e drejtësisë.

https://p.dw.com/p/2RpzE
Bildergalerie Kosovo Krieg 15 Jahre 15.06.1999 UCK Kämpfer
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kuvendi i Kosovës me një seancë të jashtëzakonshme në mbrojtje të siç thuhet, "vlerave të luftës së UÇK-së”,  zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim. Seanca e jashtëzakonshme që zgjati për dy ditë radhazi dhe rezoluta e nxjerrë nga kjo seancë, u inicua nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit të  dënimit ndaj disa ish-komandantëve të UÇK-së, të njohur në rastin  "Drenica 1 dhe 2”. Në këtë rast u dënuan për krime lufte,  një ish-ambasador, një deputet, një kryetar komune dhe disa ish pjesëtarë të UÇK-së. Ky proces gjyqësor dhe një tjetër që tashmë është në proces ”Drenica 1”,  me po të njëjtit emra, udhëhiqen nga gjykatës të misionit EULEX.

Kritika ndaj debatit dhe rezolutës

 Në rezolutën e kuvendit të Kosovës, e cila  jo pak u kritikua nga analistët dhe debate që u zhvillua për këtë çështje, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe në këtë drejtim duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kosovo Parlament macht Weg für Sondertribunal frei
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

"Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatave që t'i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësinë e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në rezolutë.

Ndarja e pushteteve mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit

Përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, thanë  për mediet lokale se deputetët duhet ta dinë ndarjen e pushteteve dhe nuk duhet të përzihen në vendimet e gjykatave.

"Në një demokraci, parlamenti është vendi për debat politik rreth çështjeve kryesore në interes të njerëzve. Ky debat megjithatë duhet të bëhet gjithmonë në respekt të plotë të ndarjes së pushtetit të gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit, si themele të demokracisë. Zyrtarët e zgjedhur dhe autoritetet publike, përfshirë edhe deputetët, duhet që megjithatë të përmbahen nga thirrjet që vënë në pikëpyetje vendimet e gjykatës pasi që zbatimi i sundimit të ligjit kërkon respektim të pakusht të vendimeve të gjykatës dhe ndarjes së pushteteve”, citojnë mediet lokale deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe analistët politikë dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se është gabim që kuvendi i Kosovës diskuton vendimet e gjykatave, për më shumë vendime këto  që merren nga gjykatës të misionit EULEX, mision ky që është ftuar nga vetë parlamenti i Kosovës.

UCK-Armee
Fotografi: picture-alliance/dpa

Debati në parlament bie ndesh me kushtetutën e Kosovës

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Blerim Burjani,  i tha DW-së, se debati në parlament për vendimet e gjykatave bie ndesh me kushtetutën e Kosovës, e cila e përcakton qartë ndarjen e pushtetit.

"Në aspektin e brendshëm i bëhet dëm drejtësisë dhe zgjidhjes së rasteve në mënyrë të pavarur dhe profesionale pa marrë parasysh se cili është epilogu i gjykimit, kjo seancë është ne kundërshtim me vlerat dhe parimet që ka kushtetuta e shtetit, kjo i bjen që shteti beson në demokracinë kushtetuese që buron nga populli dhe ekzekutivi i shtetit qeveria po u dashka me u marr me këtë temë. Padrejtësia dhe drejtësia zbardhet përmes fakteve jo përmes politikës”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës  dhe për këtë fakt nëse politika pretendon që ka shkelje të drejtave të njeriut  si pretendon "në rastin e ish-komandantëve të UÇK-së”, atëherë, mund ta bëjë kërkesën për monitorim të gjykimeve nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. 

Gjykata speciale e cila do të gjykojë për krimet e mundshme të bëra nga ish pjesëtarët e UÇK-së, tashmë është në përfundim të konsolidimit të saj me staf. Selia e gjykatës speciale tashmë është vendosur në Holandë dhe të dënuarit e saj të mundshëm, dënimin do ta  vuajnë po ashtu jashtë Kosovës, në vende të ndryshme të BE-së.