1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj vëzhguesve të OSBE-së

PP (dpa, Reuters, AFP)5 Maj 2014

Ushtarët vëzhgues gjermanë nuk i përkisnin misionit diplomatik vëzhgues të OSBE-së.

https://p.dw.com/p/1Bthc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas përfundimit pa probleme të krizës me vëzhguesit e OSBE-së që ishin marrë peng në Ukrainë në drejtim të ushtrisë gjermane Bundeswehr dhe të qeverisë federale gjermane po dëgjohen kritika të forta.

Zëvendëskryetari i partisë CSU Peter Gauweiler e kritikoi ministren e Mbrojtjes Ursula von der Leyen duke thënë se veprimet e ushtarëve gjermanë të veshur me rroba civile në Ukrainën lindore - në të njëjtën kohë me por edhe jashtë misionit të posaçëm diplomatik të OSBE-së nuk ishin "në interes të Gjermanisë." Gauweiler tha për revistën "Der Spiegel" se nuk e kupton "se pse duhet të jetë në interesin tonë për t'u futur në një mënyrë të tillë në konflikt."

Para tij dërgimin e grupit të vëzhguesve e kishte kritikuar edhe partia E Majta, e cila e quajti këtë veprim si jo të mençur dhe "tejet joprofesonal". Alexander S. Neu, përfaqësues i kësaj partie në Komisionin parlamentar për Mbrojtjen tha se : "Pyetja është se pse pikërisht tani dhe në lindje të vendit."

Ushtarët nuk i përkisnin misionit diplomatik vëzhgues të OSBE-së

Sipas zëvendëskryetarit të qendrës së OSBE-së për parandalimin e krizave Claus Neukirch, ushtarët nuk i përkisnin misionit diplomatik vëzhgues të OSBE-së. Përkundrazi ky ishte një mision i udhëhequr nga ushtria gjermane me ftesë të qeverisë ukrainase. Inspektive të tilla sipas "Dokumentit të Vjenës" nuk kanë mandatin e gjerë të Misionit të OSBE-së, por janë marrëveshje mes vetë shteteve pjesëmarrëse.

Von der Leyen mbron misionin

Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen (CDU) i kodhi poshtë kritikat se misioni nën drejtimin e kolonelit të Bundeswehr-it Axel Schneider kishte qenë tepër i rrezikshëm. Qeveria gjermane nuk duhet të trembet, tha ajo në stacionin televiziv gjerman ZDF, dhe marrja peng e inspektorëve ishte fillimi i acarimit të gjendjes në rajon.

Von der Leyen tha se OSBE-ja duhet të mbrojë mision e saj, që është realizimi i sigurisë dhe i bashkëpunimit edhe përmes transparencës dhe masave për krijimin e besimit. Tani duhet bërë gjithçka që zgjedhjet presidenciale në Ukrainë të zhvillohet sikurse është planifikuar më 25 maj dhe nën vëzhgimin e OSBE-së.