1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika të ashpra ndaj deklaratave raciste dhe antisemitiste të Sarazzinit

30 Gusht 2010

Ndaj deklaratave të anëtarit të kryesisë së Bankës Federale, Thilo Sarrazin, reaguan kancelarja Angela Merkel, ministri i Jashtëm Guido Westerwelle.... Partia SPD po shqyrton mundësinë e përjashtimit.

https://p.dw.com/p/OzLi
Thilo Sarazzin prezanton librin kontestuesFotografi: AP/DW-Fotomontage

Pas deklaratave të tij të diskutueshme për mungesën e vullnetit të myslimanëve për integrim dhe dominimin e së huajës në Gjermani, anëtari i kryesisë së Bankës Federale, Thilo Sarrazin, shkoi edhe një hap më tej. Teoria e tij lidhur me trashëgiminë e hebrejve ka hasur në kritika të ashpra të qeverisë gjermane.

Merkel: "Deklarata përbuzëse..."

Bundeskanzlerin Angela Merkel Energieboerse EEC
Merkel: "Kështu s'shkon...."Fotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel i quajti ( të dielën 29.08.) këto deklarata si tërësisht të papranueshme. Ato janë përjashtuese dhe përbuzin grupe të tëra të shoqërisë. "Më e keqja për mua është ajo, që me sa duket, zoti Sarrazin po merret me një temë, por ai po e komplikon diskutimin rreth kësaj teme. Çështja e 'integrimit' është në shoqërinë tonë një temë shumë e madhe. Unë e kam sjellë në zyrën e kancelares të Ngarkuarën me Çështjet e Integrimit. Kemi bërë shumë, shumë punë dhe kemi ende shumë për të bërë. Por mënyra se si flitet këtu ´nxit përçarjen në shoqëri dhe e rëndon diskutimin për këtë çështje", theksoi kancelarja.

Nxitje e racizmin dhe antisemitizmit

Balkanreise Westerwelle
Westerwelle kundër nxitjes së racizmitFotografi: picture alliance/dpa

Fjalimet, të cilat nxisin racizmin dhe antisemitizmin, nuk kanë vend në diskutimin politik, tha edhe zëvendëskancelari dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, e vuri në dyshim, nëse Sarrazini ende vazhdon të jetë personi i përshtatshëm si anëtar i kryesisë së Bankës Federale. Çdo provokim i ka kufijtë e tij, tha zu Gutteneberg dhe Sarrazini me deklaratat e tij i ka kaluar qartë ato. Ndërkaq kancelarja gjermane ishte më e përmbajtur. Sipas saj Banka Federale është institucion i pavarur.

"Kështu që unë mund të them vetëm se jam shumë e sigurtë, që për këtë do të flitet edhe në Bankën Federale, pasi aty nuk bëhet fjalë vetëm për paratë dhe problemet financiare. Për ne të gjithë Banka Federale është një simbol i tërë vendit, i rëndësishëm si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dhe unë mendoj që për këtë do të diskutohet edhe në Bankën Federale", theksoi ajo.

Indinjata është shkaktuar nga deklaratat e reja të Sarrazinit. Në intervista për gazetat ai ka thënë se njerëzit me origjinë të ndryshme kanë gjene të ndryshme. Konkretisht ai thotë se hebrejtë, por edhe baskët kanë gjenet e veta. Këshilli Qendror i Hebrejve në Gjermani foli menjëherë për ideologji raciste.

Në SPD shtohen zërat për përjashtim nga partia

Deutschland Parteien SPD Sigmar Gabriel und Andrea Nahles
Sigmar Gabriel para një vendimi të rëndësishëmFotografi: AP

Ndërkohë në Partinë Socialdemokrate (SPD) sa vijnë e shtohen zërat, që kërkojnë përjashtimin e Sarrazinit nga partia. Kryetari i SPD-së për landin e Berlinit Müller tha se urgjentisht dhe seriozisht duhet të shqyrtohet një procedurë e re për rregullat brendapartiake. Një parti nuk mund të durojë përgjithmonë që një anëtar i saj vazhdimisht të bjerë ndesh me vlerat themelore të saj. Sarrazini flet për përjashtim të grupeve të popullsisë dhe kjo nuk është ajo, që përfaqëson Partia Socialdemokrate.

Ndërkaq drejtues të lartë të Partisë Socialdemokrate presin që Sarrazini të largohet vetë nga partia. Por një gjë e tillë refuzohet nga ish-senatori i Berlinit, Thilo Sarrazin.

Autor: Andrea Müller / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani