1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë për plotësimin e vendeve bosh në Gjykatën e Lartë

Arben Muka / Tiranë18 Qershor 2008

Konstitucionalisti i njohur Rustem Gjata mendon se presidenti në bazë të Kushtetutës mundet dhe të konsultohet me parlamentin, "por për këtë nuk ekziston një detyrim kushtetues. As detyrim ligjor".

https://p.dw.com/p/EM9g
Tirana
TiranaFotografi: DW / Aida Cama

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata duke komentuar mbi krizën institucionale mes presidentit dhe parlamentit per emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së lartë shprehet se presidenti Topi duhet te propozojë 5 kandidatura të reja për tu votuar në parlament.

Por konstitucionalisti i njohur Rustem Gjata mendon se presidenti i republikës nuk detyrohet nga ligji themelor i shtetit që të konsultohet paraprakisht me parlamentin për kandidaturat që ai propozon. "Presidenti në bazë të Kushtetutës mundet dhe të konsultohet me parlamentin, por për këtë nuk ekziston një detyrim kushtetues. As detyrim ligjor. Nga ana tjetër po kështu dhe parlamenti. Por këto mund të shkaktojnë pastaj dhe efekte jo fort të dëshirueshme"- deklaron Gjata.

Konstitucionalisti Rustem Gjata shprehet se ky ngërc mes presidentit dhe parlamentit duhet të zgjidhet sa më parë në mënzrë që të plotësohen vendet e mbetura bosh në Gjykatën e lartë nga përfudnimi i mandatit të disa anëtarëve të këtij institucioni. Në mënyrë që këto fenomene të mos përsëriten në të ardhmen konstitucionalisti Rustem Gjata mendon se duhet hartuar një ligj i ri për kopetencat e presidentit të republikës.

Në lidhje me rrëzimin e dekreteve të presidentit nga parlamenti kanë reaguar dhe 5 juristët e kandiduar, të cilët e konsiderojnë vendimin e parlamentit si të paragjykuar. "Zvarritja e procesit, shkelja e procedurës ligjore dhe praktikës së ndjekur deri më sot, por ndoshta edhe keqinterpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin pjesë e faktorëve që më pas u shtuan me etiketime të pabaza ndaj nesh dhe paragjykime të dëmshme", u shprehën 5 juristët në një deklaratë të shpërndarë për mediat.

"Duke vlerësuar institucionin e Presidentit të Republikës për dekretimin që u bëri emrave tanë, nisur nga kontributi ynë në sistemin e drejtësisë, shfrytëzojmë rastin të rikonfirmojmë rëndësinë e procesit dhe nevojën urgjente të ndarjes së të gjithë shoqërisë nga paragjykime dhe paravlerësime, që mund të dëmtojnë dhe thelbin e një aksioni të drejtë, të ndershëm dhe transparent. Ne jemi të gatshëm nëse kërkohet të afrojmë kontributin tonë profesional", përfundonte deklarata e 5 ish kandidatëve për anëtar të Gjykatës së Lartë, të cilat u rrëzuan nga votimi në parlament në fillim të javës.