1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza bankare pa fund

Karin Jäger 16 Shtator 2008

Ministri gjerman i financave Peer Steinbrück ka paralajmëruar nga dramatizimet e panevojshme të situatës në tregun financiar.

https://p.dw.com/p/FJ8i

Ndonëse kemi të bëjmë me një prej krizave më të mëdha në këtë sektor, që prej dhjetëra vjetësh, në Evropë nuk mund të pritet një efekt domino dhe mbyllje e bankave.

Ministri gjerman i financave Peer Steinbrück paralajmëroi disa herë këto ditë: „Unë nuk kam thënë kurrë se situata është në rregull, por që prej gushtit të vitit të kaluar e kam thënë qartë se kjo krizë financiare do të na preokupojë edhe një kohë të gjatë. Kriza ka të bëjë më shumë me Amerikën se sa me Evropën dhe ajo që ndodhë në Amerikë është alarmuese."

Rolf Peffekoven, drejtor i Institutit për shkencat financiare në Mainz mendon se: „Duhet nisur nga mundësia që këtë vit të kemi rënje të tjera, prandaj me këtë krizë dhe pasojat do të kemi të bëjmë edhe ca kohë. Mirëpo në qoftë se vie deri te recesioni, i cili nuk mund të përjashtohet, atëherë pasojat do të ndihen në mbarë botën, pra edhe në Gjermani."

Kriza e bankave amerikane ka ndikuar edhe tek institucionet financiare gjermane, në radhë të parë tek banka kreditore e industrisë në Düsseldorf dhe shumë banka të landeve, ku humbjet maten me miliarda. Edhe Banka gjermane ka përjetuar humbje. Shefi i Bankës Josef Ackermann në maj përpiqej t'i qetësojë akcionarët, me fjalët se institucionet finanaciare janë nën presione, por jo edhe Banka gjermane. Ai pohonte se kriza i ofron kësaj banke mundësi të reja për forcim.

Analistët dhe ekspertët mendojnë se do të ketë ndryshime të tjera në sektorin financiar. Falimentimi i bankës së katërt më të madhe investuese në Amerikë, Lehman Brothers shokoi tregjet. Frika nga recesioni është e madhe. Cmimet e imobilieve në Amerikë janë në rënje për më shumë se një vit e gjysmë. Gjithnjë e më shumë banesa dhe shtëpi janë të zbrazëta, ndërsa çmimet kanë rënë tejmase.

Në Gjermani nuk do të ketë krizë bankare, mendon Hans Werner Sinn, president i Institutit IFO nga Mynihu. Mirëpo probleme kanë ato banka që janë të përziera me sektorin e imobilieve si ajo IKB apo Banka e landit të Saksonisë. Hans ëerner Sinn nuk beson se kriza do të kaplojë edhe sektorin e ekonomisë. "Fenomeni është prezent në tregjet financiare, por jo edhe ekonomike. Kjo duhet ndarë strikt. "

Bankat e kursimeve, Bankat për ndërtime, Bankat popullore apo Raiffeisenkassen nuk janë të prekura. Megjithatë analistët mendojnë se sipërmarrjet duhet të korrigjojnë prognozat e tyre për këtë vit, sepse koha e tubulencave me siguri që do të ndikojë edhe tek konsumtaorët, të cilët përkohësisht mund të humbasin besimin tek bankat.