1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza politike rrezikon aspiratën e Maqedonisë për integrim

Srecko Matic23 Shkurt 2013

Në mbyllje të vizitës së tij dyditore në Ballkan, ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle, vizitoi Maqedoninë. Në Shkup ai bëri thirrje për një zgjidhje të shpejtë të krizës politike dhe zgjidhjen e zënkës për emrin.

https://p.dw.com/p/17kYc
Fotografi: MIA

Afrimi i Maqedonisë me Bashkimin Evropian aktualisht duket i rrezikuar. Vendi është tronditur nga një krizë e rëndë politike. Opozita kërcënon me bojkot të zgjedhjeve komunale që mbahen në 24 mars. Mesa duket kështu synohet të arrihet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Konflikti ka shpërthyer për shkak të buxhetit shtetëror. Në fund të dhjetorit të kaluar deputetë nga opozita u nxorrën nga Parlamenti, në mënyrë që partitë qeverisëse të mund të miratonin buxhetin. Qysh atëherë puna e parlamentit në Shkup bojkotohet sistematikisht.

Në BE kriza shihet me shqetësim të madh. "Për këtë arsye unë bëj thirrje me insistim për një rikthim në rregullat demokratike të lojës dhe në punën serioze parlamentare", tha kryediplomati gjerman pas takimit me homologun maqedonas, Nikola Poposki.

Mbështetje nga Berlini

Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, për këtë arsye Gjermania do të mbështesë edhe më tej Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, deklaroi Westerwelle në vizitën e tij të parë zyrtare në Shkup.

Zënkat politike ndërpartiake nuk janë i vetmi problem për Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Prej vitesh Greqia bllokon të gjitha planet e rëndësishme në politikën e jashtme të qeverisë në Shkup. Athina nuk është dakord me emrin e ish-republikës jugosllave dhe pretendon që vendi fqinj nuk duhet të quhet Maqedoni. Në zënkën për emrin zhvillohen aktualisht negociata nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara.

Zënka për emrin me Greqinë

Westerwelle inkurajoi qeverinë maqedonase të zgjidhë çështjet e hapura me Greqinë. Qeveria gjermane do ta mbështese Shkupin në këtë drejtim. Ky është kusht për fillimin së shpejti të negociatave për anëtarësim me BE-në, theksoi ministri i Jashtëm gjerman: "Ka ende çështje që duhen sqaruar dhe këtu bën pjesë çështja e emrit. Vendimet ne do t'i marrim pasi të kemi raportet përkatëse dhe të gjitha faktet."

Poposki deklaroi se vendi i tij dëshëron bashkëpunim me Greqinë. Maqedonia synon të nxisë dhe forcojë marrëdhëniet dypalëshe, por edhe të zgjidhë problemet dhe zënkat aktuale: "Ne mund të ecim përpara vetëm me mbështetje reciproke dhe kjo është në interes të të dy vendeve."

Në Shkup ministri i Jashtëm Westerwelle u takua me Presidentin Gjorgje Ivanov dhe bisedoi edhe me liderin e opozitës Branko Crvenkoski, nga Unioni Socialdemokrat i Maqedonisë (SDSM).

Partner i rëndësishëm ekonomik

Që prej pavarësisë së Maqedonisë në shtator 1991 Gjermania ka marrëdhënie të ngushta me Shkupin, dhe është një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik për Maqedoninë.

Në dhjetor 2005 Këshilli Evropian i dha vendit statusin e kandidatit për anëtarësim. Hapi i radhës në procesin e afrimit me BE-në do të ishte një vendim i BE-së për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Që prej dhjetorit 2009 qytetarët maqedonas mund të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen për një afat kohor deri në tre muaj.

Trazira në rajon

Ballkani Perëndimor është zhvendosur sërish në fokus të politikës së jashtme gjermane. Rajoni nuk po gjen qetësi. Në Maqedoni ka tronditje politike, në Shqipëri pak para zgjedhjeve parlamentare dëgjohet retorikë nacionaliste. Pas pak muajsh në Bruksel do të vendoset për afrimin e mëtejshëm të shumë vendeve të Ballkanit me BE-në. Duke iu referuar javëve vendimtare, Westerwelle siguroi për mbështetjen e plotë të Berlinit. Zgjidhjen për problemet e veta megjithatë vendet e Ballkanit duhet ta gjejnë vetë: "Besoj se nuk mund të thuhet se Gjermania premton shumë. Ne nuk jemi për premtime boshe. Premtimet e dhëna ne i mbajmë. Ky është mesazhi im për ju: e keni vetë në dorë.“