1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kronikë e një konflikti

Jürgen Hanefeld7 Shkurt 2006

Katër muaj kanë kaluar, që kur një gazetë daneze publikoi 12 karikatura të Muhametit. Tanimë thuajse e gjithë bota myslimane është përfshirë nga protesta, rrjedha e të cilave deri tani është e paparashikueshme

https://p.dw.com/p/Aqqz
Pamje nga protestat në Iran
Pamje nga protestat në IranFotografi: AP

30 shtator 2005: Gazeta daneze "Jyllands Posten" boton 12 karikatura me temën e Muhametit. Ajo reagon kështu ndaj ankesave të një autori kritik ndaj islamizmit, se nuk mund të gjejë në Danimarkë një ilustrues të librit të tij të ri. 12 karikaturistë ju përgjigjën thirrjes së gazetës, për të dërguar karikatura lidhur me temën e Muhametit.

Më 19 tetor 2005: Ambasadorët e 11 shteteve arabe në Danimarkë i kërkojnë kryeministrit Anders Fogh Rasmussen një takim. Ai refuzon. Si pasojë përfaqësues të myslimanëve të Danimarkës shkojnë në vendet islame, ku ua tregojnë karikaturat autoriteteve fetare dhe politike.

7 dhjetor 2005: Në Pakistan zhvillohet demonstrata e parë antidaneze.

19 dhjetor 2005: Në një letër ish ambasadorët danezë, të cilët kanë sherbyer në vendet muslimane, kritikojnë qëndrimin e qeverisë Rasmussen.

1 janar 2006: Kryeministri Rasmussen në përshëndetjen e vitit të ri u kërkon ndjesë muslimanëve danezë.

10 janar 2006: Një klerik i lartë në Arabinë Saudite kërkon nga qeveria daneze të dënojë gazetën "Jylland Posten". Një ditë më vonë Arabia Saudite tërheq ambasadorin e tij nga Danimarka.

27 janar 2006: Protesta antidaneze në Irak

28 janar 2006: Kuvajti thërret ambasadorin danez. Shtete të tjera arabe pasojnë. Libia tërheq ambasadorin e saj nga Kopenhageni. Në ditët që pasojnë zhvillohen protesta dhe aksione bojkoti kundër produkteve daneze dhe norvegjeze në të gjitha vendet arabe. Në Gaza digjen flamujtë danezë.

30 janar 2006: Kryeredaktori i gazetës "Jyllands Posten" shpreh keqardhjen që nga botimi i karikaturave janë cënuar ndjenjat fetare.

1 shkurt 2006: Gazeta franceze dhe gjermane shtypin karikaturat.

2 shkurt 2006: Në bregun perendimor të Jordanit kidnapohet përkohësisht një gjerman. Ai ishte pandehur si francez, apo danez.

3 shkurt 2006: Protesta të dhunshme antidaneze për herë të parë edhe në Xhakarta. Përveç kesaj pas lutjeve të së premtes përshkallëzohen protestat antievropiane në shumë vende arabe. Edhe në Iran protestojnë dhjetëramijëra vetë kundër karikaturave të Muhamedit.

4 dhe 5 shkurt 2006: Një fundjavë në të cilën dhuna përshkallëzohet më tej. Palestinezë të zemëruar sulmojnë qëndrën e kulturës gjermane në Gaza. Demonstrues u vënë zjarrin ambasadave skandinave në Damask. Presidenti iranian Mahmud Ahmedinexhad, i cili ndodhet nën presionin ndërkombëtar për shkak të programit atomik të Teheranit, deklaron se vendi i tij shqyrton sanksione ekonomike kundër vendeve evropiane.

Politikanë gjermanë të rangut të lartë dhe politikanë të tjerë evropianë shprehin keqardhjen, që janë prekur ndjenjat fetare dhe kerkojnë dhënien fund të dhunës.

6 shkurt 2006: Aksionet e protestës zgjerohen në vende të tjera myslimane dhe kushtojnë për herë të parë tri jetë njerëzish. Në Afganistan vdesin dy demonstrues në shkëmbimet e zjarrit me policinë, në Liban një demonstrues vdes nga një plagosje e rëndë në kokë, të cilin e kishte marrë një ditë më parë gjatë mësymjes në konsulatën daneze.

Irani ndërpret të gjitha kontaktet tregtare me Danimarkën. Gradualisht edhe në vendet islame shtohen zërat e politikanëve dhe klerikëve të lartë, që dënojnë kërcënimet dhe shpërthimet e dhunës dhe paralajmërojnë nga përshkallëzime të reja.