1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri grek Karamanlis viziton Shqipërinë

27 Prill 2009

E zhvilluar në një sfond elektoral për të dy vendet vizita pritet të konkludojë disa marrëveshje për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, por dhe për çështje me karakter ekonomik.

https://p.dw.com/p/Hf2p
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis
Kryeministri grek, Kostas KaramanlisFotografi: AP Photo

Kryeministri grek pas bisedimeve me homologun shqiptar Sali Berisha do të kontaktojë dhe me presidentin Bamir Topi, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli si dhe me shefin e opozitës, Edi Rama.

Pasdite ai pritet të mbajë një fjalim para deputeteve në parlament, ndërkohë që më pas do të ketë dhe një audiencë në kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë me kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Vizita në nivelin më të lartë nga pala greke është tregues i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Pak kohë më parë Athina bëri dy hapa pozitivë në dobi të Shqipërisë duke ratifikuar marrëveshjes për anëtarësimin në NATO, si dhe duke ratifikuar marrëveshjen tjeter ate Stabilizim- Asociimit me BE-në.

Vija kufitare detare dhe borxhi i Shqipërisë ndaj Greqisë në fokus

Në qendër të bisedimeve mes dy shefave të qeverive fqinje do të jetë përcaktimi i vijës kufitare mes dy vendeve. Ky është një problem i bartur për të cilin ka patur negociata mes ekspertëve grekë dhe shqiptarë për rreth 1 vit. Në bisedimet zyrtare Karamanlis - Berisha pritet të diskutohet dhe për riskedulimin e një borxhi të vjetër që Shqipëria i ka Greqisë, qysh para vitit 1990. Bëhet fjalë për një shumë prej afro 42 milion Euro.

Nazarko: pasuritë e çamëve vazhdojnë të mos diskutohen në marrëdhëniet dypalëshe

Analisti Mentor Nazarko flet për DW
Analisti Mentor Nazarko flet për DWFotografi: Arben Muka

Duke hedhur një vështrim në marrëdhëniet mes dy vendeve, analisti politik Mentor Nazarko thotë për DW-në se mbeten dhe çështje të rëndësishme që dy qeveritë vazhdojnë të mos i bëjnë pjesë të axhendës së diskutimit mes tyre.

"Çështja e parë është ajo që lidhet me pasuritë shqiptare në Greqi. Këtu futen pasuritë e shtetasve shqiptarë kryesisht nga jugu i vendit, nga Korça, Kolonja, Gjirokastra, të cilat janë pezulluar nga hyrja në fuqi e ligjit të luftës, por nuk janë rikthyer mbrapsht sipas akteve ndërkombëtare. Po kështu janë dhe pasuritë e çamëve. Çështja çame kërkon një zgjidhje të drejtë. Është problem i dhjetëra mijëra shtetasve grekë me kombësi shqiptare, pra çamëve. Ata u përzunë në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke u konsideruar në bllok si bashkëpunëtorë të fashizmit. Nuk ka asnjë zgjidhje për këtë çështje tragjike të luftës".

Shoqata Çamëria dhe Partia për Drejtësi e Integrim protestuan në Tiranë

24 orë para mbërritjes së Kostas Karamanlis në Shqipëri, shoqata Çamëria dhe Partia për Drejtësi e Integrim zhvilluan një manifestim në qendër të Tiranës. Ata bënë thirrje për zgjidhjen e problemit të pronave në territorin grek. Drejtues të manifestimit thanë se kishin kërkuar nëpërmjet ambasadës greke në Tiranë që t'u mundësohej dhe një takim me kryeministrin Karamanlis, për të diskutuar për këto çështje.

Sigurimet shoqërore e shëndetësore për emigrantët shqiptarë në Greqi, temë për diskutim

Analisti politik Mentor Nazarko përmend për DW-në dhe një tjetër argument në marrëdhëniet mes dy vendeve që ende nuk po merr zgjidhje.

"Gjykoj edhe çështjen e sigurimeve shoqërore a shëndetësore të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Nëse me vende të tjera ku ka përqëndrime të mëdha emigrantësh shqiptarë ekzistojnë marrëveshje për këtë problem, Shqipëria nuk ka një të tillë me Greqinë. Kur dihet që komuniteti i emigrantëve shqiptarë atje është më i madh se kudo tjeter, atëhere kjo është shumë e rëndësishme dhe kërkon zgjidhje".

Kryeministri grek pas bisedimeve me homologun shqiptar Sali Berisha do të takojë edhe presidentin Bamir Topi, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli si dhe me shefin e opozitës, Edi Rama.

Pasdite ai pritet të mbajë një fjalim para deputeteve në parlament, ndërkohë që më pas do të ketë dhe një audiencë në kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë me kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi