1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri libanez Fuad Siniora paraqet një plan shtatë-pikësh për armëpushim me Izraelin

Carsten Kühntropp29 Korrik 2006

Ndërkohë që në Lindjen e Mesme vazhdojnë të vringëllojnë armët, edhe përgatitjet për trupën shumëkombëshe ndërkombëtare që pritet të vendosen në kufirin izraelito-libanez po vazhdojnë me intensitet të lartë. MPJ amerikane Condolizza Rice arriti të shtunën pasdite për një vizitë të dytë Izrael, ku do të përpiqet për një javë me radhë që të arrihet një zgjidhje e arsyeshme.

https://p.dw.com/p/Aqp1
Fotografi: AP

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, ka ftuar një sërë shtetesh që të bisedojnë të hënën mbi pjesëmarrjen në trupën e planifikuar për Libanin. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Havier Solana u shpreh optimist se Këshilli i Sigurimit do të miratojë një rezolutë bashkë me mandatin e nevojshëm për dërgimin e trupe paqesore në Liban.

Libanezët vetë nuk janë optimistë. Vetëm pak prej tyre besojnë se vizita e dytë e MPJ amerikane Rice në Lindjen e Mesme do të sjellë brenda një jave përfundimin e sulmeve izraelite. Qeveria libaneze po punon nga ana e saj me intensitet të madh për përpilimin e një nisme politike për përfundimin e krizës. Para nisjes për në Izrael, MPJ amerikane e lavdëroi për këtë kryeministrin lebanez Fuad Siniora, i cili ia doli mbanë që kabineti i tij ta miratonte planin shtatë-pikësh që ai kishte paraqitur më parë në konferencën e Romës.

Thelbin e këtij plani e përbën marrëveshja e nënshkruar në Taif në vitin 1989, e cila i dha fund luftës civile në Liban. Ministrija e çështjeve sociale, Najla Muavad thotë:

"Ne duam që të vëmë në jetë marrëveshjen e Taifit, e cila parashikonte me saktësi që autoriteti i shtetit duhet të shtrihet në të gjithë territorin e shtetit libanez. Vetëm qeveria libaneze mund të marrë vendim për luftë apo për paqe. Vetëm ushtria libaneze ka të drejtë të jetë e armatosur dhe ajo është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve, të vendit dhe të kufijve."

Ajo që vlen të shënohet është se këtë plan e miratuan të gjith anëtarët e kabinetit, pra edhe përfaqësuesit e lëvizjes Hizbollah dhe aleatët e tyre. Gjithsesi kjo nuk do të thotë patjetër se milicët hizbollah do të lëshojnë armët. Numri dy i organizatës shiite, Naim Kassem, tha se Izraeli dhe SHBA-të nuk duhet të nxjerrin përfitime politike prej "humbjes" së tyre.

Ministrija Muavad beson se punët do të marrin për mbarë:

"Thelbësore ishte që ministrat e lëvizjes Hizbollah votuan njëzëri me ne për shtatë pikat e planit te kryeministrit dhe i mbështesin ato. Tani na duhet të punojmë fort për t'i vënë në jetë. Kjo natyrisht që s'është e lehtë, por besoj se do t'ia dalim mbanë."

Ende është e paqartë, se si do të mund të dërgohet një trupë paqësore në Liban, për sa kohë atje vazhdojnë luftimet.

Siria u shpreh qartë kundër dërgimit të një trupe ndërkombëtare në Liban. Në një artikull të gazetës zyrtare "Tishrin" thuhej: "Kjo trupë do ta pushtojë Libanin dhe do të marrë përsipër në vend të Izraelit detyrën që të shkatërrojë rezistencën kombëtare libaneze."

Ditëve të fundit Siria ka deklaruar disa herë se është në gjendje të ushtrojë ndikim ndaj milicëve hizbollah për qetësimin e gjendjes. Në përgjigje të kësaj ajo kërkon që SHBA-të ta ndryshojnë politikën e tyre kundrejt Sirisë, në mënyrë që kjo të shpëtojë prej izolimit ndërkombëtar. Amerikanët vazhdojnë të mos hyjnë në bisedime me Damaskun.