1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri maqedonas, Gruevski fton opozitën për bisedime

Fatos Musliu12 Shtator 2006

Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe ligji për policinë janë dy projekte ligjore, të cilat duhet të miratohen nga parlamenti para fillimit të bisedimeve të anëtarësimit

https://p.dw.com/p/Arcg
Kryeministri i Maqedonisë
Kryeministri i MaqedonisëFotografi: dpa

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i ka ftuar në një takim të veçantë liderët e opozitës për t'i konkretizuar prioritetet strategjike të veprimit politik të kabinetit të ri qeveritar. Në prioritetet strategjike, gjithnjë sipas kryeministrit, hyn miratimi i ligjeve nga marrëveshja e Ohrit që në parlament duhet të miratohen me shumicën e Badenterit, shumicë kjo, e cila për momentin nuk mund të sigurohet nga koalicioni qeveritar.

Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe ligji për policinë janë dy projekte ligjore për të cilat ndërkombëtarët insistojnë që të miratohen nga Parlamenti para se të caktohet data e fillimit të bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është i pari nga liderët e opozitës që iu është përgjigjur ftesës së kryeministrit. Në takimin me Gruevskin, Ali Ahmeti do të parashtrojë 7 kërkesa, të cilat qeveria aktuale duhet ti realizojë.

"Vendosja e votimit sipas parimit të Badenterit për t'u zgjedhur Qeveria. Ndryshimi i kushtetutës për të garantuar që partitë fituese nga blloku maqedonas dhe shqiptar të formojn qeverinë ,ligji për përdorimin e gjuhëve dhe ligji për polici janë disa nga shtatë kerkesat e BDI-së"-ka deklaruar Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.

Mosrespektimi i vullnetit të shumicës të elektoratit shqiptar rrezikon të shkatërrojë besimin midis dy komuniteteve më të mëdha në vend atij maqedonas dhe shqiptar. Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve në Maqedoni, udhëheqësia e BDI-së ka pranuar që të takohet me Gruevskin. Ky takim nuk do të realizohet as në Tetovë e as në Shkup, por në Shipkovicë, thotë Ali Ahmeti

"Publikisht ftoj mandatarin Nikolla Gruevski që të vij dhe të takohemi në ish-shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në fshatin Shipkovicë, sepse ky vend për popullin shqiptar paraqet vend që simbolizon paqën, fillimin e ndërtimit të mirëbesimit mes komuniteteve, përpjekjet për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit për të përfunduar konfliktin dhe për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarsim në BE "

Shipkovica si propozim i vendtakimit për analistët maqedonas ka një mesazh politik, i cili mund të interpretohet edhe si një kërcënim i opozitës shqiptare pas mospërfshirjes së tyre në qeverinë e re. Kryeministri Nikolla Gruevski ende nuk është përgjigjur për këtë propozim të BDI-së, meqë ai gjendet për vizitë zyrtare në Bruksel.

Në Bruksel përveç delegacionit qeveritar, po qëndron edhe një delegacion i koalicionit BDI-PPD, të cilët siç thonë po e informojnë BE-në dhe NATO-në për situatën politike në Maqedoni në periudhën pas zgjedhore.