1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryesorja është të mos lihen vetëm në mjerimin e tyre

19 Janar 2010

Komentet e të përditshmeve gjermane për gjendjen në Haiti.

https://p.dw.com/p/LZzm
Haiti
HaitiFotografi: AP
Lidhur me ndihmën e Kombeve të Bashkuara për të prekurit nga katastrofa e tërmetit në Haiti, shkëpusim nga "Süddeutsche Zeitung": Polemika rreth kompetencave dhe mungesa e parave e dobësojnë OKB-në. Por vërtet i rëndësishëm roli i organizatës bëhet atëherë kur nevojat nuk janë më aq emergjente dhe kur bëhet fjalë për ndërtimin e strukturave funksionale. Që tani dëgjohet mërmërima ndërkombëtare se amerikanët mund të arrijnë pozita afatgjata pushteti. Të hënën u mblodh edhe Këshilli i Sigurimit për të bërë të qartë se misioni në Haiti duhet të mbetet një detyrë ndërkombëtare në të cilën drejtimin e ka bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka mandat për marrjen në duar të drejtimit të një shteti të tërë, as përkohësisht. Për këtë arsye vetëm OKB-ja mund të mbajë mbi shpatulla eksperimentin e rëndë, që së bashku me njerëzit në Haiti t'i japë sërish një profil këtij shteti."

Ndërsa "Westdeutsche Zeitung" komenton: "Nëse detyrën herkuliane që paraqet situata në Haiti nuk e merr përsipër fuqia botërore SHBA me ushtrinë e saj atëherë kush? Për njerëzit në Port-au-Prince nuk ka rëndësi se kush u vjen në ndihmë, kryesorja është të mos lihen vetëm në mjerimin e tyre. Kjo të kujton vitet 1948/49 kur njerëzit në Berlinin e rrethuar furnizoheshin nga ajri nga bombarduesit e flotës ushtarake të SHBA-së."

Lagjia qeveritare në kryeqytetin afgan Kabul të hënën u sulmua nga një grup talibanësh të armatosur. Disa prej tyre kryen atentate vetëvrasëse.

Lidhur me këtë temë "Volkstimme" që del në Magdeburg komenton: "(...) Talibanët kërkojnë të përhapin tmerr dhe të dërgojnë sinjale. Të hënën një pjesë e ministrave të kabinetit të ri të Presidentit Karzai do të bënin betimin. Sinjali: ata nuk mund të jenë askund të sigurtë, ne, talibanët, thyejmë çdo masë sigurie. Së dyti, ky sulm është edhe një fyerje jo vetëm për ofertën e hapur të qeverisë në Kabul, për të siguruar punë për rreth 35000 luftëtarë talibanë, por edhe për bisedimet që bëhen në provinca me përfaqësues të tyre. Dhe mesazhi i drejtohet edhe Nato-s: mos u lodhni më kot, ne jemi të fortë, kudo në Afganistan. Në fund të janarit Aleanca do të zhvillojë konsultime rreth temave siguri, kompetencë qeverisëse, integrim i talibanëve, ekonomi dhe shoqëri në Afganistan. Kush i merr seriozisht sinjale të tilla nuk ka më iluzione për Afganistanin. Por kush lejon të trembet nga terrori, e ka humbur Afganistanin."

Autor : Eliana Xhani /dpa Redaktoi : Aida Cama