1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa pozitive e Erdoganit

Baha Güngör1 Nëntor 2012

Në vizitën e tij në Gjermani kryeministri turk përdori papritur tone të buta: turqve në Gjermani ai u bëri thirrje për të shtuar përpjekjet për integrim.

https://p.dw.com/p/16aRe

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan është gjithmonë i aftë për surpriza: nëse në qëndrimet e mëparshme në Gjermani ai pati kritikuar me ashpërsi politikën e integrimit në Gjermani duke e quajtur për shembull asimilimin "një krim kundër njerëzimit", ai këtë herë i çuditi të pranishmit me tone të buta.

Po, me se lidhet kjo kthesë pozitive e Erdoganit? Pse kërkon ai tani prej njerëzve në Gjermani një integrim në "Almanya"?

Turqia ndodhet në rrugë për t'u bërë një fuqi rajonale, krenare për një zhvillim ekonomik të pashembullt në Evropë dhe veç kësaj ajo ka marrë përsipër një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si mbështetëse e strategjive perëndimore në konflikte të ndryshme në vendet fqinje në jug. Por që ky vend anëtar i NATO-s të jetë në gjendje ta vazhdojë këtë tendencë pozitive zhvillimi, nga një vend i parëndësishëm në ekspansion në një fuqi ekonomike, ai ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga BE- në radhë të parë nga Gjermania. Turqia zhvillon rreth 37% të tregtisë së saj të jashtme me vendet e BE. Ajo dëshiron të bëhet anëtare e BE dhe këtë synim - nëse do ta arrijë ndonjëherë - mund ta arrijë vetëm me mbështetjen e Gjermanisë. Erdogani e di se tensionet në raportet gjermano-turke do t'i dëmtonin ambiciet e tij në BE.

Turqia duhet t'i përmbahet BE si objektiv

Gjermania nga ana e saj e di se Turqia, e cila është e vendosur në një pikë takimi të Evropës dhe Lindjes së Afërme, duhet ta ruajë edhe më tej synimin e saj për t'u bërë pjesë e BE. Shumë e rëndësishme është Turqia në pikëpamje gjeostrategjike, për shembull, për të mbuluar nevojat energjitike të Evropës. Një Turqi, e cila e sheh veten të detyruar ta ripërkufizojë veten dhe të kalojë në distancë ndaj Evropës do të ishte qartësisht në dëm të BE - dhe kjo jo vetëm në pikëpamje ekonomike-politike.

Situata jetësore e minoriteteve jomyslimane në Turqi vërtet që po përmirësohet, por ajo është larg gjendjes ideale. Grupe të mëdha popullate si për shembull alevitët, por edhe gazetarët dhe intelektualët ankohen për pengesa të mëdha, për përndjekje dhe për valë arbitrare arrestimesh. Reformat që priten nga Turqia mund të kërkohen prej saj seriozisht për aq kohë sa ajo nuk heq dorë nga BE si objektiv.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të shkojë në shkurt 2013 për vizitë në Turqi. Një hap i guximshëm po të kesh parasysh se 2013-a është vit i zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Deri atëherë qeveria gjermane duhet të ketë mbaruar disa detyra shtëpie. Këtu bën pjesë lehtësimi i dhënies së vizave për biznesmenët, artistët dhe studentët si dhe pranimi i nënshtetësisë së dyfishtë. Do të ishte veç kësaj një sinjal shumë pozitiv në drejtim të Ankarasë nëse Turqinë do ta ftonin sërish në takimet e nivelit të lartë të BE. Në fund të fundit, Turqia nuk është një vend çfarëdo dhe e ka merituar që të shihet si partner me të drejta të plota i Evropës.