1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim pas në krizë

Klaus-Dieter Frankenberger
1 Qershor 2018

Kaosi dhe mungesa e stabilitetit presin prapa derës në Itali, edhe këtë herë kështu duken punët. Nga duhet të vijë fuqia për reforma rrënjësore, kur qeveritë janë tradicionalisht mbi themele të lëkundura?

https://p.dw.com/p/2yiqC
Symbolbild italienische Ein-Euro-Münze sinkt in Italiens Farben
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Pleul

Berlusconi, Monti, Letta, Renzi, Gentiloni dhe tani, ndoshta për pak muaj, Cottarelli - vetëm lista e kryeministrave italianë në këtë dekadë tregon se ku dallohet ky vend nga vendet e tjera të mëdha të BE. Kaosi dhe mungesa e stabilitetit gjithmonë presin prapa derës, dhe kështu po ndodh edhe në këtë rast.

Nga duhet të vijë fuqia për reforma rrënjësore, kur qeveritë janë mbi themele jashtëzakonisht të lëkundura? Kjo në një kohë kur për Bashkimin Evropian nuk do të ishte situata më e keqe, sikur Italia të ishte një faktor i fortë, i parashikueshëm, i cili të bashkëpunojë në mënyrë të fuqishme për aftësimin e BE për të ardhmen.

Presidenti Mattarella dhe kryeministri Cottarelli
Presidenti Mattarella dhe kryeministri CottarelliFotografi: Reuters/Italian Presidential Press Office

Por tani, ky vend po humbet kapitalin ndoshta më të rëndësishëm: besimin. Atë po e gërryejnë rreziqe të reja politike. Po të kemi me të vërtetë një fushatë elektorale në vjeshtë, në të cilën në thelb do të jetë në diskutim e ardhmja evropiane e vendit, zgjedhësit do të ndodhen para një vendimi me rëndësi ekzistenciale. Por panorama evropiane, e cila sapo ishte çelur lehtë, po errësohet që tani.