1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuarteti për Lindjen e Mesme me perspektiva të pakta për sukses

Peter Filip2 Shkurt 2007

Sot mblidhet në Uashington kuarteti për Lindjen e Mesme i përbërë prej përfaqësuesve të SHBA, Rusisë të PKB-së dhe BE-së.

https://p.dw.com/p/AqnB
Fotografi: AP/DW

Kontradiktat izraelito-palestineze në kuadër të intifadës së brigadave Al Aksa kishin hyrë në vitin e dytë dhe Izraeli kishte filluar me ndërtimin e një gardhi gjigand përreth territoreve palestineze, kur presidenti Bush, duket se e mori vesh në prill të vitit 2002 se duhej të kujdesej për konfliktin klasik në Lindjen e Mesme. Më 4. prill 2002 ai dërgoi në rajon MPJ, Colin Powell. Në përfundim të vizitës në Lindjen e Mesme ai u takua në Madrid me përfaqësues të BE-së, Rusisë dhe të OKB-së, për të gjetur një rrugëzgjidhje për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Kështu lindi "kuarteti i Lindjes së Mesme". Ky përfaqëson një transferim të qartë të përgjegjësisë për Lindjen e Mesme nga deri asokohe kryesisht amerikane, në përgjegjësi ndërkombëtare. Për ta theksuar edhe më tepër këtë kuarteti përcaktoi edhe planin "road map" përmes së cilit do të arrihej paqja në Lindjen e Mesme.

Pikat thelbësore të tij janë të thjeshta:

Paqja në rajon mund të arrihet përmes përfundimit të dhunës, krijimit të një shteti palestinez, njohjes reciproke dhe kthimit të territoreve të pushtuara. Këto qëllime pritej të arriheshin përmes një plani gradual me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Si izraelitët edhe palestinezët kanë mendime të ndryshme në lidhje me ambiciet dhe aftësitë e kuartetit. Megjithatë zyrtarisht ata bazohen gjithmonë tek plani "road map" edhe pse ndoshta secili prej tyre nënkupton një gjë tjetër.

Ideja e mirë për bashkëpunimin ndërkombëtar nuk pati jetë të gjatë. Lufta në Irak hodhi hijen e saj në rajon dhe Uashingtoni nuk qe as në gjendje dhe as i vullnetshëm që të kujdesej paralelisht edhe për konfliktin izraelito-palestinez. Gjendja u vështirësua edhe më tej prej fitores në zgjedhje të hamasit islamik, i cili e hedh poshtë procesin e paqes me Izraelin.

Pas këtyre zgjedhjeve gjendja e palestinezëve është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të operacioneve masive ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës si dhe të luftrave të brendshme për pushtet në radhët e vetë palestinezëve.

Për këtë shkak evropianët dhe amerikanët po përpiqen ta rigjallërojnë kuartetin, por perspektivat e tij për sukses nuk duken shumë të mira.