1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kujt i takojnë pronat e sindikatave?

15 Shtator 2009

Në Shqipëri, një projektligj që parashikon kalimin në pronësi të shtetit të pronave të grupimeve sindikale ka ngjallur reagime. Sipas sindikatave ky akt godet direkt aktivitetin e tyre në mbrojtje të punonjësve.

https://p.dw.com/p/Jh2m
Fotografi: Mimoza Dhima

Historia e pronave të grupimeve sindikale ka nisur qysh në fillimet e viteve 90 kur Shqipëria kishte hyrë në proceset demokratike. Me një dekret presidencial të vitit 1992, sindikatave iu kaluan në pronësi pronat e trashëguara nga bashkimet profesionale të kohës së diktaturës. Në vitin 1998 parlamenti miratoi me ligj këtë kalim pronësor, por duke vënë klauzolë që deri në vitin 2020 nuk do të kishte asnjë tjetërsim prone nga sindikalistët.

Tashmë qeveria ka bërë publik një projektligj që në thelb kërkon shfuqizimin e ligjit të vitit 1998. Pra, që shteti të jetë pronari dhe ato të shndërrohen në shoqëri aksionere. Sipas shpjegimeve që ka dhënë kryeministri Sali Berisha, kjo bëhet për t`i shpëtuar abuzimit, në mënyrë që t`i qëndrohet garant rikonstruksionit të plotë të tyre dhe më pas shteti do t`i shesë aksionet e tij. "Që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t`i shesë aksionet dhe të vazhdojnë të tjerët. Përndryshe, nëse nuk do të jetë shteti i pranishëm, do të vazhdojë bixhozi me këto pasuri, ashtu siç ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe," ka argumentuar kryemistri Berisha.

Por aksioni i fundit i qeverisë ka ngjallur reagime kundërshtuese në rradhët e grupimeve sindikale. Presidenti i Konfederatave Sindikale, Kol Nikolli, thotë për DW, se projektligji është si një ligj që bëhët për të shkelur një ligj tjetër. "Pasi më këtë shkelen parimet themeleore elementare jo vetëm të pronësisë, por dhe të demokracisë. Sepse sindikata dhe e gjithë shoqëria civile është një shtyllë e fuqishme e demokracisë. Elementët e pronësisë ndikojnë në forcimin e dhe vitalizimin e çdo grupimi shoqëror, në këtë rast dhe të sindikatave. Është antikushtetues, sepse neni 50 i kushtetutës së Shqipërisë e garanton të drejtën e pronës dhe ne jemi një grup i pronësuar në përputhje të plotë me ligjin. Kjo është një e drejtë e fituar në mënyrë kushtetutese, me vendim parlamenti në vitin 1998".

Sipas Nikollit projektligji është në kundërshtim dhe me Kartën Sociale Europiane të të Drejtave të Njeriut, që garanton lirinë e organizimit dhe funksionimit të sindikatave. "Kjo e rrudhos dhe e atrofizon aktivitetin tonë. Dhe qeveria nuk duhet të kundërvejë një grup interesi me një grup tjetër. Nuk duhet të na i marrë ne pronat për t`ia shpërndarë p.sh ish pronarëve, apo atyre që kanë vuajtur nga rregjimi komunist", thotë Nikolli.

Në lidhje me argumentet e abuzimeve me keto prona, Nikolli pranon që ka patur raste të veçanta, por ato nuk duhen përgjithësuar, pasi kjo do t`i bënte dëm sindikalizmit. "Kryeministri në mënyrë indirekte tha se me këto prona është luajtur bixhoz. Por ai nuk thotë se kush ka luajtur. Ne vazhdimisht jemi përpjekur që ta bëjmë publike që me këto prona ka luajtur bixhoz sistemi i drejtësisë dhe segmente të caktuara të qeverisë. Të gjitha qeveritë, nuk marr përsipër të them kjo apo ajo qeveri. Këto prona janë tjetërsuar me një mal fallsifikimesh, me vërtetime fakti, me fallsifikime të krypleqve, të gjykatave e kështu me rradhë. Ky ligj jo vetëm që nuk hedh dritë mbi këto fallsifikime, por i mbulon ato njëherë e përgjithmonë".

Nga arsyetimi që bën qeveria për projektligjin, theksohet fakti se me të janë dakort dhe një pjesë e mirë e drejtuesve të sindikatave dhe të anëtarësisë së tyre. Por Kol Nikolli nga Konfederatat Sindikale thotë për DW se ky është një nonsens. Sipas tij ka përpjekje që grupet kryesore sindikale të organizohen për ta ndërtuar në tre aspekte kundërshtimin e këtij ligji. "Avokati gjatë kohës kur do të diskutohet në komisionet parlamentare, së dyti, lobim në rradhët e deputetëve, por dhe duke mos përjashtuar opcionin e tretë, protestat masive në të gjitha qytetet ku do të preken pronat tona".

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama