1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kultura në Gjermani

Aja Bah13 Dhjetor 2007

Bundestagu gjerman diskutoi sot (13.12) për një raport për gjendjen e kulturës në Gjermani. Atë e ka hartuar pas një punë katërvjeçare një komision deputetësh dhe ekspertësh.

https://p.dw.com/p/CbDl

Komisioni kreu inspektim në të gjithë Republikën Federale Gjermane dhe konstatoi një peizazh të pasur kulturor, tha kryetarja e komisionit studimor, Gitta Conemann nga CDU-ja: "Vetë shifrat paraqesin një tabllo shumë të qartë, po të shohim që jemi një vend me më shumë se 150 teatro dhe opera, me 48 orkestra kulturore, me më shumë se 6 mijë muzeume, më shumë se 1.000 teatro të lira dhe disa mijëra biblioteka, shkolla muzike dhe shkolla artistike të rinisë."

Gjermania vend kulture

Ky bilanc të lë një përshtypje të qartë se Gjermania është një vend i kulturës. Por kjo është vetëm një anë e realitetit. Sepse njëkohësisht, komisioni bën një konstatim që nuk të çudit, se financimi i kulturës ka bërë vitet e fundit hapa drastike pas: "Nëse financimi kulturor nga financat publike ishte 8,4 miliardë Euro më 2001, në vitin 2005 ai ishte 7,8 miliardë Euro- me këtë nuk rrezikohet financimi i kulturës, por kjo lë gjurmë në çdo institucion kulturor"

Kultura të sigurohet me kushtetutë

Kjo i përgjigjet një kuote prej 0.35 përqind të produktit social bruto- e kjo me të vërtetë që nuk është shumë për një shtet, i cili përdor me dëshirë për vete fjalën "komb kulturor". Për ta gjallëruar pak kombin kulturor, edhe komisioni studimor ngul këmbë që kultura të përfshihet si synim i shtetit në Kushtetutën e Gjermanisë. Ky diskutim i vjetër tani po dëgjohet sërish. Nëse kultura do të qe e sanksionuar në kushtetutë si synim i shtetit, përfitim nga kjo do të kishte pikërisht kultura komunale. Sepse deri tani, kultura konsiderohet si shërbim vullnetar, për të cilin komunat nuk janë të detyruara- ligji i detyron madje që të kursejnë në radhë të parë shërbimet vullnetare. Këtu bën pjesë deri tani kultura, por jo ndërtimi i rrugëve.

400 rekomandime për veprim

Raporti prej 500 faqesh i komisionit përmban shumë rekomandime për veprim, që u drejtohen federatës, komunave dhe bashkive. Mbështetja e bibliotekave shtetërore dhe institucioneve sociokulturore ndodhet njësoj në program si edhe roli i formimit kulturor të popullatës, që për një kohë të gjatë është lënë pas dore në RFGJ. E njëjta gjë mund të thuhet për mbështetjen kulturore të emigrantëve. Për ta duhet të përmirësohen mundësitë për mësimin e gjermanishtes.