1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundër indiferencës

24 Shkurt 2012

Me një ceremoni përkujtimore Gjermania kujtoi viktimat e terrorit të ekstremizmit të djathtë. Familjarët dhe kancelarja Merkel gjetën fjalët e duhura në këtë ceremoni prekëse.

https://p.dw.com/p/149Po
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Një ceremoni përkujtimore (23.02) prekëse, emocionale, që të hynte drejt e në zemër. U përkujtuan dhjetë vetë, tetë turq, një grek, një punonjëse policie - të gjithë viktima të bandës neonaziste. Trioja terroriste ka vrarë në mënyrë të pashembullt ne Gjermani. Dhe ato nuk kanë qenë thjesht vrasje, - Jo - njerëzit që jetonin në këtë vend u vranë, dhe lufta e tyre me vdekjen u filmua për tallje.

Kjo mbeti dhjetë vjet pa u zbuluar. Një shembull i padurueshëm i dështimit të autoriteteve hetimore gjermane. Sepse askush nuk ka menduar këto dhjetë vjet që viktimat mund të jenë vrarë nga ekstremistët e djathtë, - madje as mediat. Viktimat u bënë anëtarë të bandave të mafias, apo celulave të tjera kriminale - dhe familjarët e tyre vuajtën akuzën, pa arritur as të mbanin zi për të afërmit e tyre. Deri sa më në fund, por shumë vonë, kjo bandë vrasësish u zbulua.

Semiya Simsek (djathtas) dhe Gamze Kubasik (majtas) flasin
Semiya Simsek (djathtas) dhe Gamze Kubasik (majtas) flasinFotografi: dapd

Një ditë për viktimat

Më në fund dje (23.02) ishte dita e viktimave. E dhjetë viktimava të njohura të vrasësve neonazistë. E 25 të plagosurve dhe të plagosurve rëndë të trios terroriste. Për viktimat e pazbuluara të dhunës së ekstremistëve të djathtë kujtonte një qiri i 11-të në sallën e koncerteve të "Xhendarmenmarkt" në Berlin. Ishte dita e të afërmve të viktimave dhe ndjenjave të tyre, për të cilat ata folën. Për zemërimin dhe dhimbjen e tyre, për dëshpërimin, sepse askush nuk iu besonte. Dy vajza folën për dhimbjen e tyre, një baba për humbjen e djalit, vdekjen e të cilit ai e pa me sy. Ata rrëfyen për dhimbjen, thjesht, në mënyrë prekëse, por ata drejtpërdrejt apo tërthorazi folën edhe për jetën e tyre në vendlindje e në Gjermani - vendin e tyre, folën ashtu si e ndjenin dhe kuptonin. Një baba falënderoi kancelaren "e tij" në gjuhën turke për mirëkuptimin e saj dhe ngushëllimin e saj.

Një gjest i fuqishëm dhe njerëzor. Ai falënderoi edhe presidentin e mëparshëm Christian Wulff, i cili e kishte inicuar këtë ceremoni përkujtimore, dhe ishte përpjekur për organizimin e shpejtë të saj.

Në vend të presidentit të dorëhequr, foli kancelarja gjermane, Angela Merkel. Me shumë keqardhje e dhimbje për viktimat, plot përbuzje për autorët e krimeve. E tronditur për dështimin e autoriteteve hetimore. Një turp për Gjermaninë janë këto vepra, - dhe kësaj ajo i shtoi -një turp për Gjermaninë është edhe sa të verbër kanë qenë autoritetet gjermane. Sa të njëanshme. Sa të paafta.

Pamje nga ceremonia
Pamje nga ceremoniaFotografi: AP

Gjesti i duhur

Gjermania përkujtoi dhjetë viktima me një minutë heshtje në të gjithë Gjermaninë, në Veri, Jug, Perëndim e Lindje. Një gjest i duhur, i nevojshëm, i cili tregon tronditjen e thellë që ka përfshirë vendin. Tronditje për vrasjet qytetare në mesin e shoqërisë sonë. Tronditje edhe për atë që ishte e mundur të ndodhnin këto vrasje. Dhe pikërisht për këtë arsye, Angela Merkel e tha, duhet që Gjermania, duhet që gjermanët, duhet që ne gjermanët, të jemi të më të vëmendshëm ndaj racizimit, kundër urrejtjes ndaj të huajve. Në nivel të lartë dhe të ulët, në politikë dhe në përditshmëri. Kush do një shoqëri të hapur, duhet të kapërcejë indiferencën kundër armiqve të kësaj shoqërie. Ky ishte mesazhi i kësaj dite, ky ishte mesazhi i një ceremonie përkujtimore, prekëse, ky është mesazhi kundër heshtjes së gjermanëve: Ne të gjithë luftojmë kundër indiferencës.

Autor: Alexander Kudascheff

Redaktoi: Lindita Arapi