1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kur të them duhet ta sulmosh dikë, atëherë duhet ta sulmosh!" - Mediat në Evropën Juglindore

26 Nëntor 2010

Presionet e sotme ndaj mediave në Evropën juglindore janë shumë më të sofistikuara. Ato janë të natyrës politike, ekonomike, por ka dhe raste të kërcënimeve të drejtëpërdrejta dhe dhunës ndaj gazetarëve.

https://p.dw.com/p/QJEZ
Pamje nga konferencaFotografi: DW

Ndarja në "tradhëtar" dhe "patriotë", presionet politike dhe ekonomike, urdhërat nga lart e madje dhe kërcënimet e drejtëpërdrejta ndaj gazetarëve në Evropën Juglindore nuk kanë marrë fund. Kërcënimet e hapura janë më të rralla se në kohën e luftërave apo thyerjeve të mëdha politike. Presionet sot janë më të sofistikuara, ndonëse shpesh të drejtpërdrejta, thonë ekspertët nga vendet e Evropës Juglindore, të cilët dy ditë me radhë diskutuan në ambientet e Deutsche Welle-s për gjendjen e mediave në këtë rajon.

Konferenz Medien in Südosteuropa
Pamje nga diskutimi mes Slobodan Kremenjak, ekspert serb për të drejtën e medias, Verica Spasovska, drejtuese e programeve të Evropës Juglindore në Deutsche Welle, Milka Tadic Mijoviç, drejtoreshë e programit "Monitor" në Malin e ZiFotografi: DW

Mediat shqiptare ende larg pavarësisë së vërtetë

Gazetaria gjendet sot në një lloj sanduiçi mes politikës dhe ekonomisë, shprehet drejtori i Institutit të Mediave në Tiranë, Remzi Lani. "Kemi të bëjmë me një rreth të gjerë problemesh, duke filluar nga reforma e bllokuar e legjislacionit të medias, nga fakti që mediat gjenden mes presioneve politike dhe ekonomike dhe deri tek problemet profesionale dhe etike".

Në Shqipëri ekzistojnë sot 26 gazeta ditore dhe qindra media elektronike. Shumë prej tyre e cilësojnë veten të pavarur, por pavarësi të vërtetë gazetareske ka shumë pak. "Sfida themelore e mediave sot në Shqipëri është pavarësia e tyre. Mediat mund të cilësohen si të pavarura apo pluraliste, por për fat të keq po forcohet ajo që quhet klientelizëm i medias. Këtë e dëshmoi fushata e kaluar elektorale, ndërkohë që as sot nuk shoh përmirësime të ndjeshme", pohon Lani.

Konferenz Medien in Südosteuropa
Remzi Lani (djathtas) në diskutim me Liana Ganea nga agjencia Active Watch në Rumani, publicisti kroat Srdjan Dvornik, dhe Robert Schwartz, drejtues i redaksisë rumuneFotografi: DW

Mediat në Shqipëri si dhe në shumë vende të tjera u nënshtrohen presioneve politike, por në një formë më të sofistikuar. "Politikanët tani nuk përpiqen më t'ia mbyllin gojën medias, por përpiqen ta përdorin atë. Dhe ky problem në Shqipëri po merr përmasa gjithnjë e më dramatike", pohon Lani.

Media në Kosovë - e varur nga reklamat

Me probleme të ngjashme përballen edhe mediat në Kosovë. Asnjë prej tetë gazetave ditore aktualisht nuk është në gjendje të mbijetojë vetëm nga tirazhi. Një prej fushave ku partitë politike, institucionet dhe ekonomia më së shumti bëjnë presione është ajo e reklamave, prej të cilave varet ekzistenca e shumicës së mediave në Kosovë. Gjendje e ngjashme mbretëron jo vetëm në gazeta, por edhe në mbi 100 media elektronike.

"Realisht, tregu i mediave në Kosovë gjendet në një pozitë të vështirë. Ne kemi media të lira por jo të pavarura. Shumica e gazetave janë të afërta me klasën politike në vend. Situata e tyre ekonomike është shumë e rëndë dhe ato varen nga reklamat e qeverisë. Probleme të mëdha ka edhe me kërcënimet e grupeve të interesit dhe grupeve të krimit të organizuar", pohon Serbeze Haxhiaj - Isufi, nga Radio Televizioni i Kosovës.

Konferenz Medien in Südosteuropa
Serbeze Haxhiaj - Isufi, nga Radio Televizioni i Kosovës në qendër, Ljiljana Zurovac, (majtas) drejtoreshë e Këshillit të shtypit në Sarajevë, gazetari Hristo Ivanovski nga Maqedonia, Hansjörg Brey, drejtor i shoqatës së Evropës Juglindore dhe Ognian Zlatev, drejtor i Qendrës për zhvillimin e mediaveFotografi: DW

"Kur të them duhet ta sulmosh dikë, atëherë duhet ta sulmosh!"

Një shembull të presioneve brutale ndaj gazetarëve paraqiti drejtuesja e Agjencisë për Monitorimin e Mediave në Rumani Liana Ganea. "Kur të them duhet ta sulmosh dikë, atëherë duhet ta sulmosh", urdhëronte gazetarët në mediat e tij milioneri rumun Sorin Ovidiu Vantu, në vitin 2009. Rumania është që nga viti 2007 pjesë e Bashkimit Evropian, por gjendja në media në dy vitet e fundit madje është përkeqësuar. "Gjatë fushatës elektorale presidenciale të vitit 2009 kemi pasur një garë të ndyrë mes kandidatëve, ku një rol të madh kanë luajtur mediat. Mediat dhe gazetarët ndahen në kampe politike dhe kanë harruar standardet elementare të profesionit. Ata lejohen të manipulohen prej faktorëve politikë, ndërkohë që ndodhi edhe kriza e madhe ekonomike."

Përveç politikës dhe ekonomisë një ndikim të madh në disa vende luan edhe feja, si për shembull në Serbi apo Bosnjë-Hercegovinë. Ljiljana Zurovac:

"Për fat të keq ndikimi i fesë në disa media është shumë i fuqishëm. Këto media bashkëpunojnë me përfaqësuesit e fesë ortodokse, myslimane apo katolike. Por edhe pas këtij bashkëpunimi fshihet interesi ekonomik", shpjegon Ljiljana Zurovac, drejtore e Shoqatës së Gazetarëve në Bosnjë-Hercegovinë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi