1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140510 interview kurteshi kosovo

21 Maj 2010

Si avokat i popullit Sami Kurteshi ka të bëjë përditë me konfliktin e brendshëm serbo-kosovar, i cili vazhdon të mahiset. Qysh prej luftës së vitit 1999 gjendja është përmirësuar, por trupat ndërkombëtare nevojiten ende

https://p.dw.com/p/NRAr
Ushtarë gjermanë në Kosovë kontrollojnë terreninFotografi: Refki Alija

Misioni i Bundesverit në Kosovë do të qëndrojë edhe për një kohë. Kabineti federal para pak ditësh vendosi që mandati i trupave gjermanë të zgjatet edhe për një vit. Në shtetin më të ri të Europës aktualisht janë të stacionuar rreth 1500 ushtarë të Bundesverit. Misioni kishte filluar para më shumë se një dekade, në verën e vitit 1999, direkt pas luftës. Përse është e nevojshme që ushtarët e huaj të kujdesen ende për sigurinë në Kosovë? Lidhur me këtë çështje Gerwald Herter nga radio gjermane, DLF bisedoi me Avokatin e Popullit për të drejtat e njeriut në Kosovë, Sami Kurteshi.

Pyetje: A mund të ndjehen të sigurtë në Kosovë serbët ashtu si shqiptarët, zoti Kurteshi?

Kurteshi: Kjo varet se ku ndodhen ata. Një siguri të përgjithshme 100 për qind në Kosovë nuk ka. Lëvizja e lirë në veri të qytetit të Mitrovicës në Kosovë është shumë e kufizuar për shqiptarët, por edhe për disa grupe të tjera etnike. Në pjesë të tjera të Kosovës nuk ka një kufizim të tillë kaq të madh, as për serbët. Por një ndjenjë sigurie të kënaqshme, siç ka në Europë, në Kosovë ende nuk ka.

Pyetje: Tani lufta ka mbaruar prej më shumë se dhjetë vjetësh. Përse kjo siguri nuk është arritur ende?

Kurteshi: Kemi të bëjmë me një shoqëri të dalë nga lufta dhe madje nuk është fjala vetëm për një shoqëri të tillë, por për një shoqëri, e cila ka kaluar disa luftëra. Unë mendoj që së pari janë antipatitë nga e kaluara, së dyti janë veprimet, që kanë ndodhur gjatë luftës, pra ka familje dhe njerëz, që ende sot janë të mbushur me zemërim dhe urrejtje dhe së treti e gjithë situata në Ballkan nuk është rregulluar ende, si do ta dëshironim.

Pyetje: Tani që si serbët, që jetojnë në Kosovë ashtu, edhe shqiptarët apo pjesëtarët e grupeve të tjera etnike mund t'ju drejtohen juve, në qoftë se ndjehen të kërcënuar, a merrni shumë letra dhe telefonata nga pjesëtarët e këtyre pakicave, që shprehin ankesat e tyre?

Kurteshi: Po, të gjithë qytetarët, por edhe të gjithë njerëzit, që janë aktualisht brënda territorit të Kosovës, mund të kontaktojnë më mua. Secili ka të drejtë të kontaktojë me ne, por kjo varet, edhe se sa i njohur është institucioni ynë tek njerëzit në Kosovë. Në pjesët rurale nuk jemi shumë të njohur, por Secili ka të drejtë të kontaktojë me ne.

Pyetje: A i ndihmon policia shqiptare qytetarët e Kosovës, nëse ata ndjehen të kërcënuar?

Kurteshi: Si jo, por unë duhet të bëj një korigjim: Kjo nuk është policia shqiptare. Ne mund të themi që shumica më e madhe janë shqiptarë, por kjo është një polici kosovare dhe vërtet policia kosovare është një ndër institucionet më të nderuara në Kosovë, më i besueshmi. Por problemet politike, konfliktet vazhdojnë, por policia është vërtet në dispozicion të të gjithëve.

Pyetje: Përse duhet të qëndrojnë ushtarët e huaj, kur kjo polici vepron në mënyrë korrekte dhe gëzon reputacionin e të gjitha grupeve etnike?

Kurteshi: Po, per shëmbull në veri të Kosovës policia kosovare nuk ka qenë për një kohë të gjatë aty. Aty ka edhe struktura të organizuara të policisë serbe, pikërisht aty janë të nevojshëm ushtarët e KFOR-it, pasi policia kosovare nuk mund të garantojë sigurinë.

Pyetje: Ushtarët e KFOR-it, trupat e huaja?

Kurteshi: Po. Unë nuk mund të them që policia kosovare është shumë e fortë dhe e gatshme që të jetë në gjendje të kontrollojë çdo situatë dhe kudo në Kosovë.

Pyetje: Nga ana tjetër zoti Kurteshi: Në të kaluarën ka pasur edhe incidente me ushtarët e huaj, të cilët kanë kryer krime, që kanë shkelur edhe të drejtat e njeriut. Ç'zhvillime ka në këtë drejtim?

Kurteshi: Ka pasur incidente të tilla, por këto janë shumë pak dhe nëse kemi për të thënë diçka për këtë, atëherë ka shumë më tepër raste me policinë e UNMIK-ut se sa me ushtarët e huaj, që në Kosovë njihen si trupat e KFOR-it. Institucioni ynë nuk ka mandat veprimi për trupat e huaja dhe institucionet. Falë zotit që nuk ka pasur kaq shumë raste. Është një rast i hapur me policët rumunë, që ishin të punësuar tek UNMIK-u, të cilët kanë qëlluar dhe vrarë dy demonstrues në fillim të 2007 gjatë demonstratve, po ata janë kthyer në Rumani dhe nuk ka ndodhur më asgjë.

Pyetje: Pra kjo ishte në administratën e mëhershme të Kombeve të Bashkuara, UNMIK?

Kurteshi: Pikërisht, UNMIK-u, administrata e OKB-së.

Pyetje: Si mendoni ju, sa gjatë duhet të qëndrojnë ushtarët e huaj ende në Kosovë?

Kurteshi: Unë mendoj aq gjatë sa është e nevojshme. Pra ka shumë arsye që ata të qëndrojnë dhe unë ju them shumë sinqerisht se megjithë rezervat që kam unë vetë ndaj armëve dhe ushtrive, dhe pavarësisht të gjitha përmirësimeve të gjendjes së sigurisë, duhet të them që për fat të keq ata janë ende të nevojshëm në Kosovë.

Pyetje: Dhjetë vjet, pesë vjet, dy vjet?

Kurteshi: Këtë nuk mund ta them. Unë nuk merrem me çështjet e sigurisë dhe nuk mund të vendos për kriteret. Por siguria është shumë më e mirë dhe për këtë arsye po bëhet zvogëlimi i trupave. Reduktimi i trupave është bërë vazhdimisht. Kështu në vend të 45.000 apo 50.000 ushtarëve që ishin në fund të luftës, tani kemi 10.000. Dhe unë mendoj se ka shenja të mira që ky numër do të reduktohet edhe më tej. Por për fat keq ende ka nevojë për to, për sa kohë që gjendja e sigurisë, situata gjeopolitike në Ballkan është ajo, qö öshtö është tani.

Autor: Gerwald Herter

Redaktoi: Angjelina Verbica