1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Kosovë: "Vetvendosje" kërkon ndryshim të konjukturës politike

Mimoza Cika-Kelmendi2 Qershor 2014

Zgjedhjet në Kosovë: "Vetvendosja" nuk bën koalicion parazgjedhor me partitë e tjera.

https://p.dw.com/p/1CALO
Fotografi: Shpresim.M.Shala

DW: Jeni zëri i vetëm i vërtetë i një opozite të mirëfilltë në Kosovë. Mendoni se mund ta përballoni vetëm sfidën që keni përpara në këto zgjedhje parlamentare të 8 qershorit?

Albin Kurti: Lëvizja "Vetëvendosje" është më shumë se parti, sepse është lëvizje, ndërkohë që në anën tjetër këto partitë e tjera janë më pak se parti, për shkak se janë fraksione të së njëjtës parti. Që të gjitha ato kanë qenë bashkë kur u ratifikua Marrëveshja me Serbinë në Kuvendin e Republikës, kanë qenë bashkë kur u amnistuan kriminelët serbë nga veriu dhe kanë qenë bashkë edhe kur u vendos që presidente të bëhet zonja Jahjaga. Pra në këtë kuptim ne jemi ndryshe dhe ne nuk bëjmë koalicion parazgjedhor me ta. Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë koalicion vetëm pasi të dalë subjekti i parë, sepse ne duhet ti vendosim binarët e programit qeveritar dhe duhet të kemi vizion të përbashkët me patnerët e koalicionit. Nuk do jetë kollaj, mirëpo nuk besoj që do të jetë e pamundur. E rëndësishme është që Vetëvendosja duhet të dalë njëherë subjekti i parë.

DW: Zoti Kurti, përpara se të kalojmë tek zgjedhjet e reja ndalemi pak në atë që pati Kosova deri tani për dy mandate rrjesht në qeverisje, PDK dhe partitë e saj në koalicion. Ju a e keni justifikuar plotësisht zërin tuaj si zë opozitar ndaj këtij koalicioni?

Kurti: Ne jemi dhe autonom dhe autentik dhe kur flasim, flasim me gjuhën e vullnetit tonë dhe të interesit të përgjithshëm. Besoj që kemi qenë koherent dhe konsistent dhe ashtu siç kanë pritur qytetarët prej nesh, ashtu dhe kemi vepruar e qëndruar. Nuk ka qenë mjaftueshëm. Por ne synojmë që sa më shpejt e sa më shumë të rritemi.

DW: A janë shtuar radhët me të rinjë?

Kurti: Duke punuar nëpër aktivitete e tubime publike, duke promovuar alternativën tonë janë, shtuar radhët shumë me veprimtarë të ndryshëm të çështjes kombëtare, me aktivistë të shoqërisë civile, me ekspertë e profesionistë të ndryshëm. Unë jam i bindur që kjo do ta forcojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kjo do të kurorëzohet në zgjedhjet e 8 qershorit.

DW: Ndërkohë kemi fraksione nga partitë tradicionale. Mendoni se mund të gjeni veten tek ato për të folur me një zë në këto zgjedhje?

Kurti: Në partitë e tjera mund të ketë individë, ish-deputetë që janë shumë afër lëvizjes Vetëvendosje dhe mbase më këta mund të bashkëpunojmë dhe duhet të bashkëpunojmë pas zgjedhjeve. Mirëpo ka dhe nga ata që janë diamtralisht të kundërt prej nesh dhe me të cilët nuk është i mundur bashkëpunimi në rrafshin politik, ideologjik apo edhe në rrafshin etik, sepse fatkeqësisht në Kosovë ka në politikë shumë njerëz të korruptuar dhe hipokritë, të cilët kanë qenë vazhdimisht të udhëhequr nga interesi vetjak. Unë mendoj se nëse ka një fjalë që do të mund ti përshkruante ata, është oportunizmi.

DW: Cila është motoja kryesore e Vetëvendosjes që do të sfidonte partitë tradicionale dhe që do të bentë një hop në shoqërin civile ?

Kurti: Motoja jonë është “Tash”. Kjo do të thotë që tash po bëhemi bashkë, tash është e mundshme, tash me lëvizjen Vetëvendosje do të mund të fitojmë dhe kështu do ta sjellim ndryshimin e vërtetë. Partitë e tjera kur janë në qeverisje kanë pasur ndërrim fytyrash të politikanëve me politika të njejta. Ne do të dëshirojmë që ta ndryshojmë tërësisht politikën duke kombinuar në njërën anë shtetin republikan dhe në anën tjetër social- demokracinë. Pra të kombinojmë zhvillimin e ekonomisë të bazuar në prodhimin me politikën sociale, e cila zbut pabarazinë shoqërore.

DW: Pse nuk bëheni koalicion me LDK?

Kurti: Për shkak se LDK i ka ndihmuar gjatë dhe shumë PDK që të mbetet në pushtet dhe këtë e ka bërë prej marrëveshjes midis Pacollit, Thaçit dhe Mustafës kur zonja Presidente u nxorr nga zarfi në Ambasadën amerikane e deri te ratifikimi i pazarit të turpshëm midis Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel, ratifikim ky i bërë në Kuvendin e Kosovës. Pra ka shumë votime të përbashkëta PDK-LDK. Por ata nuk e kanë zhvilluar vendin, pra nuk e kanë ndihmuar as prodhimin industrial, as zejtarinë, as bujqësinë. Tani nuk e di sa do të ndryshojë LDK-ja, mirëpo ne hymë të vetëm në garë, për shkak se koncepti ynë i drejtë është unik dhe alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes është e pangjashme me të tjerat dhe për bindjen time, e papërsëritshme në Kosovën e pasluftës.

DW: Ndonëse për shumë gjëra ndaheni me LDK dhe PDK, lidhur me marrëdhënien me Serbinë zoti Kurti, a keni gjëra të përbashkëta?

Kurti: Fatkeqësisht jo, për shkak se ne nuk jemi për dialog me Serbinë pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës.

DW: Edhe kur ky dialog inicohet nga BE?

Kurti: Bashkimi Evropian është ndërmjetësues dhe natyrisht që vjen me kërkesa të caktuara, por ai po has shumë më tepër vështirësi në rezistencën e Beogradit sesa të Prishtinës, ndonëse rezistenca e Beogradit është jo parimore, ndërkaq rezistenca e Prishtinës do të ishte parimore. Ne nuk do të dialogojmë me Beogradin për çështje të Kosovës derisa Beogradi nuk e heq Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë si pjesë integrale e Serbisë. Derisa nuk na kërkon falje, nuk na i paguan dëmet e luftës, derisa nuk na i kthen depozitat bankare të plaçkitura, kontributet pensionale dhe gjithashtu përderisa nuk e pushon shtypjen dhe diskriminimin në Luginën e Preshevës. Ne mendojmë që Beogradi na ka shumë borxhe dhe në marëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do doja të ndryshonte Serbia e jo Kosova siç po ndodh aktualisht. Ne jemi për dialog me serbët e Kosovës si qytetarë të Republikës duke i parë në rolet e tyre shoqërore si punëtorë, taksistë ,studentë, pensionistë, sepse të gjithë jetojmë në Kosovë.

DW: Cila do të ishte arma më e fortë për të pasur një strategji më afatgjatë për të ndryshuar kreun e politikës prej kaq vitesh në Kosovë?

Kurti: Ne kemi arritur një fitore të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe këtë e kemi bërë pa pasur miliona euro, pa pasur media që do të punonin për ne dhe mbi të gjitha pa bërë koalicion. Mendoj që kjo qeveri duhet të largohet, por problemi më i madh pse po zvarritet ikja e kësaj qeverie dhe e kësaj konjekture politike janë pazaret për interesa të ngushta të partive të tjera me PDK, përkatësisht me kryeministrin Thaçi.

DW: Mos kemi të bëjmë me papjekuri politike?

Kurti: Problemi lind atëhere kur interesin vetjak, personal e vë mbi interesin e përgjithshëm dhe mbi legjitimitetin e organizatës politike të partisë që përfaqëson. Këtu ka shumë interesa personale dhe ato po i udhëheqin shumë deputetë.

DW: Ajo është pjesa e tyre, por edhe mos vetë qytetari nuk është pjekur ende për të kuptuar çfarë është mirë dhe çfarë është keq, zoti Kurti?

Kurti: Mendoj që nuk ka faj qytetari. Sot për një fjalë goje humbet vendin e punës, shumë më kollaj mund ta humbasësh vendin e punës se sa ta gjesh një vend nëse nuk e ke. Gjëndja e rëndë ekonomike në njërën anë e kombinuar me një propagandë të madhe mediale që vjen prej mediave të pushtetit ka bërë që edhe ata qytetarë, të cilët në një farë mënyre nuk janë të kushtëzuar nga pushteti të jenë të mashtruar prej tij dhe besoj se shanci që kjo të ndryshojë është më 8 qershor. Në Prishtinë është parë që kjo është e mundshme dhe duhet ta bëjmë të mundshme në të gjithë Kosovën.

Intervistoi: Mimoza Cika - Kelmendi