1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do të ulet në kryesinë e Fondacionit është e parëndësishme

18 Nëntor 2009

Nga shtypi i sotëm kemi përzgjedhur dy tema: propozimet për emrimin e Erika Steinbachut në kryesinë e Fondaciont për të dëbuarit dhe emërimet e ardhshme në postet kryesore të BE-së.

https://p.dw.com/p/KZZx
Erika Steinbach
Erika SteinbachFotografi: AP

Lidhur me mosmarrëveshjet rreth emërimit të Erika Steinbachut, gazeta "Offenburger Tageblatt", komenton: "Përplasjet e para janë shënuar tani dhe në koalicionin qeveritar. Ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle i Partisë Liberale, kundërshton zgjedhjen e Erika Stainbachut, ndërsa shefi i Partisë Kristiansociale Horst Seehofer mbështet emërimin e saj. Kancelarja gjermane Angela Merkel po hesht, por ajo për momentin ka gjëra të tjera për të bërë. Tek e fundit, kush do të ulet në kryesinë e Fondacionit është e parëndësishme. Të gjithë duhet ta ndjejnë veten mirë dhe të synojnë pajtimin. Në qoftë se Erika Steinbach me të vërtetë është e interesuar për këtë çështje, atëherë duhet të heqë dorë nga ky post", konstaton gazeta "Offenburger Tageblatt".

Ndërsa në "Nordwest - Zeitung" lexojmë: "Njeriu vetëm mund të fërkojë sytë. Pikërisht Guido Westerwelle konteston zgjedhjen e Erika Steinbachut në kryesinë e Fondacionit për të dëbuarit. Vetoja vjen nga një parti e cila angazhohet në masë të madhe për lirinë e mendimit dhe tolerancën. Westerwelle shkel në këtë mënyrë vlerat elementare, që do të ishte gabimi i parë i rëndë i ministrit të Jashtëm. Erika Steinbach për vite të tëra sulmohet prej disa politikanëve polakë, ndërkohë që presidentja e të dëbuarve shpesh është angazhuar për pajtim dhe mirëkuptim. Rastin Steinbach duhet ta sqarojë vetë Kancelarja Merkel", konstaton kjo gazetë.

Në fund shkëpusim edhe një koment lidhur me emërimet, nominimet dhe zgjedhjet e ardhshme për postet kryesore në Bashkimin Evropian. Lidhur me këtë temë, gazeta "Handelsblatt" që botohet në Dyseldorf shkruan: "Gati një dekadë jemi munduar me procesin e reformave të Bashkimit Evropian. Tani kur me 1 dhjetor duhet të futet në fuqi Marrëveshja e Lisbonës dhe krijohet baza ligjore për reforma, duhet të fillojnë edhe ndryshimet. Duhet të krijohet një fuqi e marrjes së vendimeve, që në fakt paraqet një fuqi të re ekonomike. Është ky një vizion i mirë dhe asgjë më shumë. Me vendimet e para, për emërimin në postet kryesore, Evropa do të kthehet në binarin e politikës së shteteve anëtare, sepse egoizmat nacionalë do të bëjnë që xhindi ekonomik të prezantohet prej xhuxhëve politikë", konstaton "Handelsblatt".

Autor : Bahri Cani /dpa

Redaktoi : Aida Cama