1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do ta drejtojë Evropën?

29 Janar 2018

55 vjet pas Traktatit të Elizesë Gjermania e Franca kërkojnë një marrëveshje të re. Me ardhjen e Macronit diskutohet edhe drejtimi politik i Evropës. Material sfond nga Auron Dodi për bisedën me TV News24.

https://p.dw.com/p/2rfUv
Merkel dhe Macron në Paris, në 55 përvjetorin e Marrëveshjes
Merkel dhe Macron në Paris, në 55 përvjetorin e MarrëveshjesFotografi: picture-alliance/dpa/MAXPPP/T. Padilla

"Çfarë njerëzish" citohet të ketë thënë Presidenti francez Charles de Gaulle për gjermanët, duke parë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Stalingrad përmasat e shkatërrimeve të nazistëve. 

Dhe ishte pikërisht Charles de Gaulle që i njihte mirë fqinjët gjermanët, pasi kish kaluar mbi dy vjet (1916-1918) edhe si rob lufte i tyre, më se i ndërgjegjshëm për gjurmët e thella të armiqësisë shekullore mes Francës dhe Gjermanisë, ai që do të merrte iniciativën për pajtimin e madh me Gjermaninë.

Me Evropën në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore para syve, që në shtator 1946 britaniku Winston Churchill pati kërkuar që „hapi i parë për rindërtimin e familjes evropiane duhet të jetë partneriteti midis Francës dhe Gjermanisë".

Midis vizioneve largpamëse dhe interesave të padeklaruara nacionale

Por siç e përshkruan historiani dhe politologu i njohur francez Alfred Grosser me rëndësi "thelbësore" për rindërtimin e Evropës ishte që de Gaulle aprovoi pas Luftës atë që kishte kundërshtuar më parë si opozitar: ndërtimin e një Evrope të përbashkët dhe "rëndësinë parimore të marrëdhënieve gjermano-franceze".

Filizi i një të ardhmeje pa konfliktin e vjetër me fqinjin gjeti tokë pjellore në shpirtrat evropianë të dërrmuar nga shkatërrimet e luftës së fundit botërore në Francë, por edhe në Gjermani.  Vizita e de Gaulle-t në Bonn në shtator 1962, fjalët e tij në gjermanisht nga ballkoni i Bashkisë së Bonnit, se ai ushqente "vlerësim të thellë për popullin e madh gjerman, për Gjermaninë e madhe" zgjuan entuziazëm për kohë të reja, në Gjermani dhe gradualisht më gjerësisht edhe në Francë.

Përqafim i burrave të vjetër: De Gaulle me Adenauerin sapo kanë nënshkruar marrëveshjen e Elizesë
Përqafim i burrave të vjetër: De Gaulle me Adenauerin sapo kanë nënshkruar marrëveshjen e ElizesëFotografi: AP

Në këtë frymë, shpejt pas kthimit të de Gaulle-t në atdhe përfundoi hartimi i një traktati, i një "marrëveshjeje miqësie" midis Francës dhe Gjermanisë. Ajo u nënshkrua në 22 janar 1963 në Pallatin Elysee.

Miqësia personale që lidhi prej takimit të parë presidentin vizionar francez Charles de Gaulle dhe kancelarin fjalëpak gjerman, Konrad Adenauer shërbeu që mosmarrëveshjet dhe motivet e padeklaruara të mos pengonin pajtimin e madh mes kombeve.

Një nga synimet e de Gaulle-it, siç pohohet nga shumë historianë, ishte që ta shfrytëzonte një Evropë të fortë dhe të bashkuar për të forcuar pozicionin e Grande Nation, të vendit të tij në botë, të dobësuar edhe nga luftërat në kolonitë franceze. Me këtë mendësi kundërshtoi ai më vonë edhe pranimin e Britanisë së Madhe në Komunitetin Evropian.

Kurse Gjermania Perëndimore ishte e interesuar të bëhej pjesë e bashkësisë së civilizuar të kombeve evropiane, që ishte tepër skeptike ndaj saj, për shkak të barbarive naziste në Evropë. Nën presionin e një agresioni sovjetik ndaj Evropës, Gjermanisë i qe lejuar vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore të riarmatosej. Por sovraniteti gjerman administrohej krejtësisht nga fuqitë pushtuese.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe përvojave me nazizmin, Gjermania Perëndimore u ngjiz që në krye, u konceptua nga amerikanët me një antipati ndaj çdo modeli centrist - të favorizuar nga Franca.  Ky është një nga shpjegimet pse në ratifikimin e Traktatit të Elysee-së, Bundestagu i shtoi Traktatit një preambul, ku dilte në pah mbështetja e një mendësie multilateraliste: në preambul theksohej vullneti për forcimin e NATO-s dhe shpresa për një anëtarësim të Britanisë së Madhe në Komunitetin Evropian.

Origjinali i Marrëveshjes së Elysee-së
Origjinali i Marrëveshjes së Elysee-sëFotografi: picture-alliance/Auswärtiges Amt

Deri ku ushqeheshin nga një besim i vërtetë tek miqësia dhe ku ushqeheshin thjesht nga pragmatizmi, vizionet e pasluftës për marrëdhëniet midis dy shteteve më të fuqishme të Evropës, kjo sot është e vështirë të përcaktohet, por edhe ka pak rëndësi. Shumë vite më vonë, në një kontekst tjetër, de Gaulle do të thoshte se në jetën e tij ai kishte bërë shumë herë "sikur" dhe shumicën e herëve kishte funksionuar.

Në themel të pajtimit: Marrëveshja e Elysee-së

Sidoqoftë, marrëveshja e Elysee-së i hapi rrugë një dinamike shkëmbimesh dypalëshe, që rezultoi me rëndësi vendimtare për pajtimin e dy kombeve. Themelimi në këtë kuadër i Zyrës Gjermano-Franceze të Rinisë bëri që brezat e rinj në Francë e Gjermani të njohin gjerësisht, në kontakte të drejtpërdrejta njëri-tjetrin. Të rinjtë punojnë me sukses në përmasa të gjera dhe jo formalisht për rrëzimin e paragjykimeve.

Politikisht, takimet e nivelit të lartë deri në mbledhje të përbashkëta të kabineteve qeveritare në Paris dhe në Berlin janë kthyer në normalitet. Sot konsiderohet e vetëkuptueshme që ministrat e dy vendeve të takohen rregullisht, siç e përcakton kjo marrëveshje e vitit 1963. Një veprim normal është që në takime të tilla ata të propagandojnë pikëpamjet vetjake e të gjejnë kompromise.

Edhe pakënaqësitë reciproke në to diskutohen më lehtë: gjermanët ankohen për pengesat burokratike, për masat proteksioniste me të cilat Franca izolon tregun e saj ndaj botës; francezët shprehih habi për frikën gjermane, se francezët duan ta zhvillojnë Evropën me para gjermane, duke kërkuar që gjermanët ta financojnë këtë zhvillim.

Bundestagu përkujton 55 vjetorin e Marrëveshjes së Elizesë
Bundestagu përkujton 55 vjetorin e Marrëveshjes së Elizesë Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Traktati i Elysee-së është një model suksesi, të cilit sot i referohen në Evropë. Iniciimi nga Berlini më 2014 i atij që njihet si "Procesi i Berlinit", që synon ndër të tjera afrimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit, orientohet shprehimisht te pajtimi historik i Gjermanisë me Francën.

55 vjet më vonë kërkohet një marrëveshje e re bilaterale

55 vjet pas Traktatit të Elizesë në Berlin dhe në Paris nuk shohin alternativë tjetër veç thellimit të bashkëpunimit. Fryma antigjermane e pranishme te shumë socialistë francezë, jo më larg se katër vjet më parë, kur ata shpallnin fajtore Gjermaninë për lëngimin e ekonomisë franceze, për shkak të koncepteve ekonomike gjermane të kursimit në Evropë, sot duket e harruar.

Në 22 janar 2018 paradite, në Berlin foli para Bundestagut Presidenti i parlamentit francez, François de Rugy. Pasdite për thellimin e miqësisë foli në Paris, Presidenti i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble. Në përkujtim të 55 vjetorit të marrëveshjes mes Konrad Adenauerit dhe Charle de Gaulle-it shkoi në Paris edhe kancelarja Angela Merkel.

Në këtë kuadër është përsëritur edhe nevoja për zgjerimin apo për një marrëveshje të re midis Gjermanisë e Francës. Kjo ka kohë që kërkohet, por qeveria aktuale franceze, shumë ministra të së cilës janë njohës të mirë të gjermanishtes dhe Gjermanisë, duket se do ta mbështesë seriozisht këtë hap.

Asambleja Nacionale në Paris përkujton 55 vjetorin e Marrëveshjes së Elizesë
Asambleja Nacionale në Paris përkujton 55 vjetorin e Marrëveshjes së ElizesëFotografi: Reuters/G. Fuentes

Për një marrëveshje të re mes Gjermanisë dhe Francës ka disa arsye: zhvillimi i mëtejshëm i Eurozonës si dhe sistemi evropian i mbrojtjes duan përgjigje të reja. Për to dy shtetet drejtuese të Bashkimit Evropian mund të pajtohen më lehtë se një tërësi 27 shtetesh të BE. Si utopi u duket disa analistëve në Gjermani plani që marrëveshja e re bilaterale të hapë rrugën edhe për një legjislacion të përbashkët për tatimet. Gjermania dhe Franca duan të përafrojnë kuotat e tatimit të sipërmarrjeve në të dyja vendet.

Sidoqoftë: BE ka nisur dhe gjithmonë është zhvilluar përmes bashkëpunimit Gjermani-Francë.

Emmanuel Macroni - lideri i Evropës së ardhshme?

Kancelarja Merkel tha në Davos të Zvicrës se me zgjedhjen e Macronit në Francë në Bashkimin Evropian ka ardhur një vrull i ri. Dhe padyshim, me Emmanuel Macronin Gjermania ka tani në Francë një partner në të njëjtin nivel me veten.

Macroni njëkohësisht ka treguar me veprimet e tij që prej zgjedhjes President se është i ndërgjegjshëm që Evropa nuk drejtohet dot pa Gjermaninë. Kaq i ndërgjegjshëm është për këtë sa fjalimin, që mbajti vjet në fund të shtatorit në Sorbonë me vizione për Evropën, Macroni ia nisi paraprakisht që ta lexonte kancelares Merkel. Dhe bëri më pas disa modifikime me dëshirën e saj. Këtë ai e tregoi vetë në një intervistë me mediat gjermane.

Njëkohësisht Macroni nuk harron të kujtojë se Franca është e vetmja fuqi atomike e Evropës kontinentale. Dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme e BE. Dhe ngjizja e Evropës së re, krijimi i Komunitetit Evropian nisi me ekonominë, me krijimin e komunitetit të Çelikut dhe Qymyrit mes Francës e Gjermanisë. Edhe Evropa e ardhshme nuk mund të përfytyrohet me themele ekonomike të dobëta. Gjermania është kontribuesja më e madhe në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Macroni ka ritheksuar se BE është një projekt politik, duke aluduar për rolin drejtues të Francës në konfigurimin politik të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht, roli politik i Gjermanisë është forcuar gjatë krizës së eurozonës dhe krizave të fundit në botë. Dhe në vitet e gjata të dobësisë së Francës.

Se kush do ta drejtojë Evropën në të ardhmen, kjo mbetet të shihet. Ndoshta një kombinim i aftësive, i vizioneve të Presidentit Macron dhe i pragmatizmit të Kancelares Merkel mund të jetë një zgjidhje e mirë për Evropën.