1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush gënjen këtu? Shtypi gjerman i ditës

S.H27 Shkurt 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek artikulli i gazetës amerikane `New York Times`, i cili shkruan se shërbimi sekret gjerman BND ka vite që informon SHBA-s mbi aktivitetet e saj në Bagdad.

https://p.dw.com/p/ArrA
Fotografi: AP

Gazeta TZ nga Mynihu shkruan:

"Pra SHBA-s kanë arritur t´i mbledhin informacionet e rëndësishme në lidhje me luftën e Irakut falë ndihmës gjermane, ndërkohë që në raportin e shërbimit sekret gjerman BND, qëndron qartë se Gjermania ka qënë gjithmonë kundër kësaj lufte. Kush gënjen këtu? Sigurisht që pas këtyre informacioneve qëndrojnë qëllime të veçanta politike. Por fakt mbetet se qeveria gjermane duhet ta sqarojë sa më parë kaosin që kanë shkaktuar informacionet mbi shërbimin e saj sekret. Këtu bëhet fjalë për besimin e popullit dhe për pyetjen që shtron ai, nëse Gjermania mban gjithashtu përgjegjësi për vrasjen e dhjetëra mijra njerëzve në Irak."

Gazeta Kölner Stadt-Anzeiger shkruan:

"Pas artikullit të gazetës `New York Times`, opozita gjermane nuk ka alternativë tjetër, përveç se të kërkojë sqarimin e menjëhershëm të kësaj çështjeje. Por kjo do të ishte e vetmja pikë në të cilën janë dakord liberalët, të gjelbërit dhe demokratët socialë, të cilët përbëjnë opozitën gjermane. Por fakt mbetet se në politikë nuk mund të zgjidhet mes të zezës dhe të bardhës. Realiteti është në shumicën e rasteve gri, madje nganjëherë gri e errët."


Gazeta Süddeutsche Zeitung nga Mynihu komenton:

"Kaq pa rëndësi dhe kaq i vetëkuptueshëm sa përpiqet ta bëjë qeveria gjermane komunikimin që ka pasur ajo me qeverinë amerikane, nuk ishte ky bashkëpunim. Në rast se raporti prej 90 faqesh, që qeveria e Merkelit i dërgoi komsionit parlamentar, do të ishte publikuar që në vitin 2003, atëherë në Gjermani do të kishte ndodhur një tërmet politik, i cili do ta kishte shkatërruar përgjithmonë qeverinë e Schröderit."

Gazeta Der Tagesspiegel nga Berlini shkruan:

"Duhet të kemi parasysh se ata që kanë ndërmend të zhvillojnë një fushatë, duhet t´u përgjigjen shumë pyetjeve. Por as Bush dhe as shërbimi sekret CIA nuk kanë ndonjë interes që të krijohet një komsioni hetimor mbi shërbimin sekret gjerman BND. Gazetat e mëdha amerikane si `New York Times" apo `Washington Post` nuk manipulohen nga qeveria. Nganjëherë rastësitë që ndodhin krejt papritur, sjellin me vete probleme të mëdha. Por shpesh herë, ato mbeten thjesht rastësi."


Gazeta Abendzeitung nga Mynihu shkruan:

"Artikulli i gazetës `New York Times`, sipas të cilit spiunët gjermanë i kanë dhënë informacione SHBA-s mbi planet e mbrojtjes së Sadam Hyseinit, erdhi në një kohë tepër të vështirë për qeverinë kuq e zi. Berlinit zyrtar ju deshën 12 orë për të formuluar një deklaratë, në të cilin i përgënjeshtrojnë këto informacine. Artikulli i gazetës së shquar amerikane shtron mbi të gjitha një pyetje shumë interesante: Kush politikan amerikan ka interes ta shtojë konfliktin intern gjerman dhe ta vërë në pyetje kompetencën e parlamentit të këtij shteti? Nuk mund të jetë e vërtetë se amerikanët vazhdojnë të lajnë haqet me ish kancelarin Shrëder."


Gazeta Berliner Zeitung shkruan:

"Katastrofale nuk është sjellja apo qëndrimi i BND-së në Bagdad. Ndihma e kësaj organizate është pak a shumë normale. Katastrofale janë gënjeshtrat dhe përgënjeshtrimet. Në një situatë të tillë nuk është e pranueshme që unioni dhe social demokratët të vendosin nëpërmjet një votimi të fshehtë, se gjithçka u zgjidh. Në një situatë të tillë, krijimi i një komisioni hetimor është i domosdoshëm."

Dhe së fundi në gazetën Nürnberger Zeitung lexojmë:

"Qeveria gjermane dhe BND-ja përgënjeshtrojnë me vrull çdo informacion të artikullit të `New York Times`, madje më shumë se ç´shkruante kjo gazetë. Por as qeveria e Merkelit dhe as BND-ja nuk thonë ndonjë fjalë mbi faktin e çuditshëm se komisioni parlamentar ka kontrolluar aktivitetet e BND-së në Bagdad që prej 15 shkurtit 2003. Pra mesa duket amerikanët kanë vite që kanë marrë informacione nga shërbimi sekret gjerman BND."