1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush i prezanton minoritetet në Shqipëri?

8 Gusht 2009

Në Shqipëri interesat e komuniteteve etnike i ka përfaqësuar, që prej 17 vitesh Partia " Bashkimi për të Drejtat e Njeriut." Por ajo në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit fitoi vetëm një deputet.

https://p.dw.com/p/J656
Në parlament vetëm një përfaqësues i minoriteteveFotografi: AP Photo

Komunitetet etnike në Shqipëri përbëjnë rreth 2% të popullsisë, prej 3.200.000 banorësh. Kushtetuta e vendit njeh si pakica etnike komunitetin grek, më të madhin në numër, të ndjekur nga ai maqedonas, malazez, vllah dhe komuniteti rom.

Partia " Bashkimi për të Drejtat e Njeriut" është organizata politike që përfaqëson interesat e këtyre komuniteteve në Parlament. Që nga krijimi i saj në vitin 1992, përfaqësuesit e saj në parlament i përkasin minoritetin grek dhe jo minoriteteve të tjera etnike.

Profesor Kosta Barjaba, një nga sociologët më të njohur në Shqipëri, duke paraqitur situatën e aksesit politik të komuniteteve etnike, në Parlament, thotë: "Grupet etnike që janë në përbërje të Partisë "Bashkimi për të Drejtat e Njeriut" kërkojnë ta fitojnë këtë akses. Por bashkëjetesa e tyre në këtë parti me komunitetin grek, që është më i fuqishmi dhe më i përfaqësuari në politikë është i vështirë për shkak të interesave të ndryshme. Për shembull, komuniteti rom ka probleme të integrimit në jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Kurse minoriteti grek nuk i ka këto probleme, sepse është një grup etnik koherent, i mirëarsimuar, i fuqishëm ekonomikisht. Grupet e tjera etnike, me përjashtim pak a shumë të vllehëve, janë të varfër dhe vulnerabël."

Meleqe Rrenja, roma, kandidiert für die Demokristianische Partein in Albanien.
Meleqe Rrenja ishte kandidate në listën e PD-sëFotografi: Arben Muka

Grupet tjera përfaqësohen vetëm në nivelin lokal

Kjo situatë ka sjellë si pasojë që grupet e tjera etnike, të kenë arritur vetëm përfaqësim në nivele lokale: në këshillat e komunave dhe të bashkive dhe jo në parlament. Faktori kryesor mbetet pesha e vogël që ato zënë në kontekstin e popullsisë, situata e dobët ekonomike, që nuk i ka ndihmuar të rriten në nivelin e përfaqësimit politik kombëtar, në parlament.

Në kushte të tilla, komuniteteve etnike u mbetet të kërkojnë që interesat e tyre të përfaqësohen në dy partitë e mëdha të spektrit politik të Shqipërisë, PS dhe PD. Partia e tyre, PBDNJ, fitoi vetëm një deputet në parlament, duke u futur në garë si pjesë e koalicionit të majtë opozitar, të kryesuar nga PS. Përfaqësues të minoritetit grek fituan mandate për në parlamentin e ri, duke konkurruar me koalicionin e djathtë, të kryesuar nga PD.

Edhe në LSI, që rezulton forca e tretë politike në Shqipëri dhe do të bashkëqeverisë me të djathtën, konkurruan përfaqësues të komuniteteve etnike, pavarësisht që nuk fituan. Petrit Vasili, Sekretar i Përgjithshën i LSI thotë: "Ka patur kandidatë me përkatësi vllahe, malazeze, të komunitetit grek, që vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave të LSI."

Roma-Familie in Tirana, Albanien
Familje rome nëTiranëFotografi: DW

Integrimi është çelësi i suksesit

Çelësin e përmirësimit të përfaqësimit politik të komuniteteve etnike Petrit Vasili e gjen tek integrimi. "Integrimi i tyre në shoqëri dhe të qenit të barabartë është elementi bazë që zgjidh raportet mes komuniteteve. Të jenë të gjithë në garë dhe të fitojë më i miri, më i zoti, pavarësisht nga përkatësia etnike, kjo është mottoja e LSI-së," thekson ai.

Për sociologun Kosta Barjaba, trendi i përfaqësimit politik të komuniteteve etnike në partitë e mëdha dhe i përfshirjes së interesave të tyre në axhendat politike të këtyre partive, nisi të përvijohet pikërisht nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Kjo ndodhi së pari si pasojë e aplikimit të sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal. Në zgjedhjet e mëparshme, të kryera me sistemin maxhoritar-proporcional, PBDNJ fitonte deputetë nga proporcionali, sepse dy partitë e mëdha, PD dhe PS, i bënin thirrje elektoratit të tyre të votonin në proporcional për kandidatët e PBDNJ, që mbron interesat e komuniteteve etnike.

Por përfaqësimi i interesave të tyre në partitë e mëdha ndjek edhe një trend global. Shembulli më i freskët dhe më elokuent vjen nga SHBA ku Presidenti Obama i përket komunitetit afrikano- amerikan.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani