1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuta serbe: Reagime nga Kosova

Bekim Shehu30 Tetor 2006

Grupi negociator i Kosovës u shpreh sot se, miratimi i kushtetutës serbe, nuk do të ketë ndikim në përcaktimin e statusit final

https://p.dw.com/p/ArbY

Grupi negociator i Kosovës, shprehet me keqardhje për pjesëmarrjen masive të serbëve të Kosovës në referendumin për kushtetutën e Serbisë e cila në preambulën e saj, Kosovën e përcakton si pjesë integrale të Serbisë.

Megjithatë, mekanizmi më i lartë politik në Kosovë, fton pjestarët e komunitetit serb, që t'u bashkohen proceseve politike në Kosovë dhe të integrohen në shoqërinë kosovare. Sipas grupit negociator të Kosovës miratimi i kushtetutës serbe, nuk do të ketë ndikim në përcaktimin e statusit final të Kosovës.

Grupi negociator i Kosovës, do të vazhdojë të punojë sipas axhendës së përcaktuar nga ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari. Grupi negociator, sipas zëdhënësit të tij Skënder Hyseni pret që shumë shpejtë, ta marrë zyrtarisht propozimin për statusin final të Kosovës, nga zoti Ahtisari.

Sidoqoftë, pala kosovare është e bindur se statusi final i Kosovës do të zgjidhet deri në fund të këtij viti dhe ai jetë pavarësia e Kosovës me të drejta të plota për pakicat. Rikujtohet se procesi i definimit të statusit të Kosovës është një process ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë asgjë me zhvillimet në Beograd.

Çdo vendim tjetër pos pavarësisë, sipas anëtarëve të grupit negociator do të binte në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës.