1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës miraton themelimin e Gjykatës Speciale

Bekim Shehu23 Prill 2014

Në seancën e kuvendit të Kosovës u ratifikua marrëveshja Kosovë-BE, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e madatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qeshor të vitit 2016.

https://p.dw.com/p/1BnJW
Fotografi: Ajete Beqiraj

Me një shumicë votash parlamenti i Kosovës ratifikoi të merkurën me datën 23.04 marrëveshjen Kosovë-Bashkim Evropian, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qeshor të vitit 2016. Për këtë të fundit do të duhet amandamenitimi i një serë ligjesh të kuvendit të Kosovës. 89 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundër.

Të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të lëvizjes Vetvendosja, votuan në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, ndonëse pothuaj të gjithë thanë se janë në presion nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë para një fakti të kryer. Ose Kuvendi i Kosovës ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, ose këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Thaçi: Institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare.

Kryeministri Hashim Thaçi tha para deputetëve se "kërkesa për themelimin e kësaj Gjykate Speciale është padrejtësia më e madhe dhe fyerja më e madhe, që mund t'i bëhet shtetit të Kosovës". Megjithatë ai tha se kuvendi i Kosovës duhet të votoje themelimin e Gjykatës Speciale, duke e ruajtur besimin e plotë në SHBA-së dhe Bashkimin Evropian, edhe pse: "Imponimi, që po i bëhet Kosovës është krejtësisht jo i ndershëm dhe jo i drejtë nga bashkësia ndërkombëtare", tha Thaçi.

89 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundër
89 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundërFotografi: picture-alliance/dpa

"Por ndërgjegjja jonë do të mbetet e njollosur, në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës Speciale për të trajtuar pretendimet për pretendimet e ngritura të Raportit të Dick Martit, i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010", tha kryemnistri Hashim Thaçi.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës në cilësinë e mysafirëve, prezent ishin pothuaj të gjithë ambasadorët në Kosovë të vendeve perendimore dhe atyre të rajonit. Vetëm një ditë më parë të gjithë ambasadorët me një deklaratë të përbashkët kërkonin nga deputetët që ta votojnë projektligjin për themelimin e gjykatës speciale.

"Aprovimi i shkëmbimit të letrave do të fuqizojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe do të ngrejë imazhin ndërkombëtar të Kosovës duke dëshmuar kështu se Kosova nuk ka çfarë të fshehë lidhur me pretendimet e Raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011", thuhej në deklarimin e QUINT-it.

Mbi pretendimert e senatorit zviceran Dick Marty u themelua Gjykata Speciale
Mbi pretendimert e senatorit zviceran Dick Marty u themelua Gjykata SpecialeFotografi: picture-alliance/dpa

Detajet dhe veprimet e Gjykatës Speciale akoma nuk janë të qarta

Ajo, që është thënë deri tash, është që Gjykata Speciale do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, mirëpo pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, në një vend të Bashkimit Evropian. Prokurorët dhe gjykatësit e kësaj gjykate do të jenë të gjithë ndërkombëtarë.

Pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, të miratuara në një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2010 janë dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi këto pretendime u themelua edhe Gjykata Speciale. Themelimi i kësaj gjykate nuk është parë me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, ndërsa ajo kundërshtohet haptas nga lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë votimi në kuvendin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, shmangu mundësinë, që kjo gjykatë të themelohet nga KS-it i OKB-së.