1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt

9 Mars 2017

Parlamenti i Kosovës miraton një rezolutë ku kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

https://p.dw.com/p/2YuAj
Kosovo Prishtina - Bürgerprotestete bezüglich ehemaligen Premierminister Ramush Haradinaj
Fotografi: DW/B. Shehu

Haradinaj, po mbahet në Francë, në pritje të vendimit nga një gjykatë në Kolmar, nëse do ta lirojë, apo, ekstradojë  atë në Serbi. Ai u arrestua me (04.01) nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte. Rezoluta me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut  me Serbinë, u propozua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, dhe ajo mori 78 vota të deputetëve.

Lirim pa kusht i Ramush Haradinajt

"Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Bashkimi Evropian, që ta detyrojë Serbinë për t'i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë-arrestet e  lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës”.

Kosovo Parlament macht Weg für Sondertribunal frei
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Po ashtu rezoluta i bën thirrje qeverisë së Kosovës që t'i informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se "refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkohet edhe lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj".

Më 2 mars gjykata në Colmar të Francës,  vendosi që ta shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e Ramush Haradinajt.

Dialogu Kosovë-Serbi

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua me 19 prill të vitit 2013. Që nga ajo kohë janë zhvilluar shumë takime të nivelit të lartë politik dhe janë nënshkruar edhe  një sërë marrëveshjesh ndërmjet të dy vendeve. Për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, foli  në vizitën e saj të para pesë ditösh nö Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini.  Ajo tha në Prishtinë se "përshëndet angazhimin e Kosovës në dialog me Serbinë, duke ritheksuar që "dialogu me Serbinë mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Partia e zotit Haradinaj i kërkoi Mogherinit që BE,  të ndikojë në lirimin  e zotit Haradinaj, mirëpo, përgjigja e Mogherinit ishte se BE-së nuk mund të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë franceze.