1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në BE

28 Maj 2010

Qytetarët e Shqipërisë do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së nga vjeshta e këtij viti. Lidhur me këtë vendim për Deutsche "ellen flet Michele Cercone, shef i kabinetit të Komisioneres së BE, Sesilia Malstrom.

https://p.dw.com/p/NcIi
Michele CERCONE
Michele CERCONEFotografi: European Union, 2010

Deutsche Welle: Zoti Cercone, propozimi i Komisionit Europian drejtuar Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, u kushtëzua dje me përmbushjen e disa kërkesave shtesë. Pse ndodhi kështu, ku u mbështetet ky kushtëzim shtesë?

Michele Cercone: Propozimi është i kushtëzuar për të dyja vendet, por sidomos për Shqipërinë e cila duhet të përmbushë disa kërkesa ende të paplotësuara. Gjithsesi, Komisioni Europian vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina në arritjen e standarteve të kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave. Fjala është lidhur me përmirësimin e masave të sigurisë së pasaportave, kontrollit kufitar dhe kuadrit institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Megjithatë, Shqipërisë i duhet të shënojë përparime edhe në tre drejtime: së pari në zbatimin e një strategjie dhe politike që mbështret ri-integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE në atdheun e tyre: së dyti në zbatimin në mënyrë aktive dhe efikase të kuadrit ligjor për të konfiskuar asetet e vëna nga krimi i organizuar. Drejtimi i tretë ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për të zbatuar me efikasitet kuadrin ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi heqja e vizave nuk duhet të krijojë probleme për vendet e BE-së, që janë destinacioni i fundit i një qytetari, në rastin konkret nga Shqipëria dhe në përgjithësi nga vendet që përfitojnë nga ky proces. Plotësimi i këtyre tre kërkesave shtesë është shumë i rëndësishëm për një vendim pozitiv. Komisioni Evropian do të monitorojë përmbushjen e tyre gjatë kësaj vere, që të sigurohet për këtë. Misioni monitorues do t`i japë Këshillit të Ministrave të BE dhe Parlamentit Europian një vlerësim të qartë dhe në detaje për përparimin e arritur në këto tre drejtime. Nëse kjo do të ndodhë ka shumë të ngjarë që Këshillii Ministrave dhe Parlamenti Europian t`i i japin këtij propozimi, në vjeshtën e këtij viti, dritën e gjelbërt.

Deutsche Welle: Liberalizimi vizave e sjell më pranë realizimin e aspiratës për integrim në BE, të Shqipërisë dhe të B-H, në rastin e propozimit të fundit, të 27 majit, të KE. Por nuk mungon perceptimi i qytetarit të thjeshtë në Shqipëri, për t`u punësuar apo tentuar të vendoset në vendet e BE. Dhe kjo ka ndodhur edhe më parë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj?

Michele Cercone: Ideja e procesit të liberalizimit të vizave lidhet me mundësinë e udhëtimit pa viza në vendet anëtare të BE-së dhe në ato të hapësirës Shengen edhe të qytetarëve shqiptarë që posedojnë një pasaportë biometrike. Pra, liberalizimi i vizave heq ose zhduk detyrimin për të aplikuar për një vizë afatshkurtër të personave që kanë të tillë pasaportë dhe u jep atyre të drejtën për të udhëtuar dhe hyrë në vendet e BE-së dhe të hapësirës Shengen, kryesisht për qëllime turistike, për një periudhë tremujore pa patur nevojë për vizë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, por liberalizimii vizave nuk krijon mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj, për t`u vendosur apo për të shkuar për të punuar në vendet e BE dhe në ato të hapësirës Shengen.

Intervistën e zhvilloi Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama