1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë e madhe dhe apel i vogël

Nicolas Martin18 Prill 2016

Me një ceremoni shtetërore Republika Federale Gjermane i dha të dielën lamtumirën ministrit legjendar të punëve të Jashtme, Hans-Dietrich Genscher. Rreth 1000 të ftuar qenë të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës.

https://p.dw.com/p/1IXRB
Deutschland Staatsakt für Hans-Dietrich Genscher in Bonn
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

Dielli shkëlqen, kur Hans-Dietrich Genscher nis rrugën e tij të fundit. Pas ceremonisë shtetërore në nder të tij, atë e çojnë në banesën e fundit. Krahas miqve të ftuar kanë ardhur edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët mbushin tani rrugën.

Wolfgang Richter
Wolfgang RichterFotografi: DW/N. Martin

Wolfgang Richter ka ardhur me gruan e tij. Dy orë ka udhëtuar ai, por ia ka vlejtur. "Genscheri ishte jeta ime politike", thotë 70 vjeçari dhe gëlltit lotët. "Autoritet, besueshmëri, lehtësi dhe konsekuencë", këto cilësi kishte çmuar ai te Genscheri. Richteri ka marrë rrugën, si rreth 100 qytetarë të Bonnit dhe rrethinave për t'i dhënë lamtumirën ministrit të Jashtëm Hans Dietrich Genscher. Një pengesë me kangjella i ndan ata nga ceremonitë zyrtare të aktit shtetëror.

Moment i heshtjes

Rreth dy orë më parë, në fillim të ceremonisë, re të zeza e errësuan ish-sallën plenare të Bundestagut Gjerman. Një mijë mysafirë janë ftuar në World Conference Center të sotme. Ish- Kancelari Gerhard Schröder ndodhet në radhën e dytë dhe përshëndet ministrin e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier. Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ecën në sallë dhe shtrëngon shumë duar. Lista e personaliteteve të shquar është e gjatë. Në radhën e dytë përpara janë ish-Presidentët e Gjermanisë: Roman Herzog, Horst Köhler, Christian Wulff. Papritur në sallë bëhet qetësi absolute. Presidenti Federal, Joachim Gauck sjell për krahu të vejën e Genscherit, Barbara deri në mes të sallës plenare, ku ndodhet arkivoli me burrin e saj - një moment i gjatë i kujtimit dhe heshtjes.

Presidenti gjerman Joachim Gauck
Presidenti gjerman Joachim GauckFotografi: Reuters/W. Rattay

"Ribashkimi i Gjermanisë ishte edhe vepra e tij"

"Një Gjermani pa Genscherin nuk jemi në gjendje fare ta përfytyrojmë", thotë Gauck, i cili është i pari orator që e ndërpret qetësinë. Atë dhe Genscherin i bashkon në radhë të parë ribashkimi i Gjermanisë. Prandaj Gauck flet edhe për momentin me siguri më impresionues në jetën politike të Hans-Dietrich Genscherit: për fjalimin në ballkon në ambasadën gjermane në Pragë, para refugjatëve nga RDGJ, që donin të shkonin në Perëndim - dhe mund ta bënin këtë vetëm me një tren, që përshkonte Lindjen e Gjermanisë. "Vetëm besimi te qytetari nga Halle an der Saale, i cili qe arratisur vetë për të ardhur në liri", i bindi njerëzit të kalonin edhe njëherë nëpër RDGJ.

Rrënjët gjermanolindore të Genscherit - i cili në vitin 1952 u shpërngul nga qyteti i tij i lindjes Halle për në Gjermaninë Perëndimore - tematizohen nga të gjithë oratorët. Pasardhësi i Genscherit si ministër i Jashtëm, Klaus Kinkel kujton edhe se "ribashkimi (i Gjermanisë) ishte fuqishëm vepër e Helmut Kohlit dhe e Hans-Dietrich Genscherit. Ish-ministri i Jashtëm amerikan, James Baker kujton që kur Genscheri shkonte në qytetin e Halles "ai ishte atje si një yll i rokut."

"Më i ndjeshëm se sa dukej"

Familja Genscher dëshiroi shprehimisht që ceremonia shtetërore të mbahej në sallën plenare të ish- Bundestagut. Jeta e tij aktive politike u zhvillua para së gjithash në Bonn. "Ai kishte një ndjesi për pushtetin e emocioneve të politikës", e vlerëson Presidenti Federal Gauck stilin politik të Genscherit.

Genscheri ishte për 33 vjet deputet i Bundestagut, ishte për gati një çerek shekulli ministër, anëtar në nëntë kabinete nën tri kancelarë, gati njëmbëdhjetë vjet kryetar i FDP-së dhe 18 vjet ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar. "Ai nuk është i zëvendësueshëm", thekson Klaus Kinkel. "Ai i donte njerëzit dhe donte që ta donin. Ishte më i ndjeshëm se dukej nga jashtë dhe se donte të dukej."

Krahas ribashkimit të Gjermanisë, oratorët çmuan edhe meritat e Genscherit për Evropën. James Baker e quajti atë një "titan midis diplomatëve të Evropës".

Friedrich Schorlemmer
Friedrich SchorlemmerFotografi: picture-alliance/dpa/R. Vennenbernd

"Nuk është akoma shumë vonë"

Friedrich Schorlemmer, teolog nga RDGJ dhe shok prej shumë vitesh me Genscherin, kujton bisedat e fundit me Hans-Dietrich Genscher-in dhe shqetësimin e tij për ftohjen në rritje të Evropës nga Rusia. Dhe sikur në zërin e tij të ushtonte vullneti politik i Genscherit, ai shton: "Ende nuk është bërë shumë vonë."

Schorlemmer mban edhe fjalimin më emocional të orës solemne. Njëherë ai i drejtohet bashkëshortes së Genscherit, Barbaras: "Na mungon zëri i tij, zëri i tij i ngrohtë, humori i tij dhe mençuria e jetës së tij".

Fjalët e tij gjejnë jehonë në "Himni i Gëzimit" të Ludwig van Beethovenit, luajtur nga formacioni i harqeve i Filharmonisë Klasike të Bonnit. Ushtarët e nxjerrin arkivolin nga salla plenare, të pasuar nga të ftuarit. Automjeti me arkivolin udhëton pranë shtëpisë së Genscherit Wachtberg pranë Bonnit. Këtu ish-ministri i Jashtëm shkon në banesën e fundit, pa praninë e publikut.