1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largimi i UNMIK-ut dhe vendosja e misionit të BE-së do të jetë e komplikuar

Bekim Shehu / Prishtinë12 Mars 2008

Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet që dalin nga paketa e Marti Ahtisarit, konsiderohen si prioritetet e para të Kuvendit dhe Qeverisë. Jetësimi i tyre mund të bëhet vetëm pas largimit të administratës ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/DNCA
Selia e UNMIK, Kosovë
Selia e UNMIK, KosovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Kushtetuta e Kosovës, e cila pritet të miratohet së shpejti dhe ligjet bazë që dalin nga paketa e Marti Ahtisarit, mund të hyjnë në fuqi vetëm pas largimit të UNMIK-ut nga Kosova, thonë autoritetet në Prishtinë. Kjo për faktin se administrata e Kombeve të Bashkuara funksionon në bazë të rezolutës 1244 dhe kjo rezolutë nuk njeh kushtetutën e një shteti të pavarur. Autoritetet në Kosovë, janë zotuar se do ta përmbyllin me sukses fazën e tranzicionit, duke miratuar Kushtetutën dhe ligjet që burojnë nga paketa e Ahtisarit. Ata janë në pritje të zhvillimeve ndërkombëtare rreth asaj se cila duhet të jetë prania ndërkombëtare në Kosovë.

Skender Durmishi, është koordinator i qeverisë për ligjet e pakos së Ahtisaarit. "Çështja e hyrjes së këtyre ligjeve në fuqi është e lidhur me tranzicionin dhe një pjesë e tyre po sajohen dhe do të procedohen në Kuvend. Ideja është që gjatë periudhës së tranzicionit të miratohen të gjitha dhe krahas miratimit të Kushtetutës edhe këto ligje të jenë të përfunduara. Ndërsa, ajo që dihet tash, është se hyrja e tyre në fuqi e këtyre ligjeve lidhet me kalimin e fazës së tranzicionit," thotë Skender Durmishi.

Në fazën e parë të tranzicionit është paraparë që të miratohen 34 ligje, që do t'ia mundësonin Kosovës funksionimin si një shtet normal. Prej tyre, 22 ligje rrjedhin vetëm nga dokumenti i Ahtisaarit. Ndër to është ligji për siguri, ligji për të drejtat e pakicave, ligji i Ministrisë së Jashtme, ai për aviacionin civil dhe ka ligje nga fusha e jurispodencës për prokurorë dhe gjykatës të huaj, që do vijnë në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë, thonë se si çështje më e ngutshme konsiderohet formimi i Ministrisë së Jashtme. Kjo për faktin që shumë vende e kanë njohur dhe do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, dhe kërkojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadësh. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se Kosova ka kapacitete që të krijojë këtë ministri.
Faza e tranzicionit në Kosovë ka filluar që nga shpallja e pavarësisë. Është thënë se do të zgjasë katër muaj, mirëpo qysh tash është theksuar nga zyrtarë të lartë ndërkombëtare se do të ketë tëlashe me largimin e UNMIK-ut, nga Kosova dhe vendosjen e misonit të BE-së. Kjo sepse për largimin e UNMIK-ut nga Kosova nevojitet shfuqizimi i rezolutës 1244 në KS-it. Kjo, tash për tash është e pamundur, sepse Federata Ruse kundërshton pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, diplomatë të lartë që vizituan Kosovën pas shpalljes së pavarësisë u thanë udhëheqësve politik kosovarë që ata tash të koncentrohen në zhvillimet e brendshme në Kosovë, ndërsa problemin se si do të largohet UNMIK-ut nga Kosova tu lihet atyre që ta zgjidhin.