1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lehmann: Ndoshta ne e kemi përdorur shumë lehtë fjalën dialog

28 Nëntor 2006

Dialogu është mjaft kërkues dhe madje i vështirë, sepse pikërisht ajo çfarë është e rëndësishme për dikë vendoset në peshore, shprehet kardinali gjerman Karl Lehmann, kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane në intervistë për Deutsche Welle

https://p.dw.com/p/Aqnv
Kardinali Karl Lehmann
Kardinali Karl LehmannFotografi: AP

Deutsche Welle: Vizita e papa Benediktit në Turqi zhvillohet në një kohë mjaft të rënduar. Si mendoni ju si kryetari i konferencës gjermane të kardinalëve, çfarë mesazhesh dhe çfarë ndikimi do të ketë një vizitë e tillë për bashkëjetesën mes myslimanëve dhe të krishterëve edhe në Turqi.

Karl Lehmann: Para së gjitash kjo është një shenjë e qartë që na tregon se Papa viziton edhe vende myslimane dhe me këtë sinjalizon mesazhin e respektit dhe vlerësimit. Papa fillimisht shkon në Ankara, ku ai do të takohet me autoritetet dhe presidentin e vendit. Gjithashtu ai do të shkojë edhe në memorialin e Ataturkut duke nderuar me këtë edhe epokën e re të zhvillimit modern të Turqisë. Një rëndësi të veçantë për Papën ka edhe takimi me patriarkun ikumenik, Bartolemeun. Këto takime janë pjesë e traditës tashmë, sepse edhe papa Pauli i VI e ka takuar patriarkun. Papa Benedikti do të takohet me përfaqësues të krishterë, por edhe me përfaqësues të fesë myslimane për të zhvilluar dialogun mes feve.

Mendoj se përmes kësaj vizite shqetësimet e ngritur muajt e fundit do të fashiten disi, jo për të devijuar nga serioziteti i problemeve ekzistuese, por për të përmirësuar sa më shumë klimën e përgjithshme. Jam i bindur se ky papë me dinamikën e tij, me sovranitetin e tij intelektual do të kontribojë në uljen e tensioneve të muajve të fundit dhe në përmirësimin e marrëdhënies mes besimeve fetare.


Deutsche Welle: Në këtë vizitë bëhet fjalë para së gjithash për Turqinë. Turqia është anëtare e Natos, ky vend po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Çfarë prisni ju si kishë katolike konkretisht nga Turqia, aktualisht në kohën e një dialogu vërtet të vështirë mes kulturave dhe feve, të prekur edhe nga aktivitete ekstremiste, të cilat për fat të keq ndikojnë në çimentimin e paragjykimeve.

Karl Lehmann: Ajo që është më e rëndësishmja fillimisht është që të arrijmë të kuptohemi më mirë, që të njohim më mirë njëri-tjetrin, që të mos biem pre e parullave, të cilat thjesht bëjnë të keqkuptojmë tjetrin. Nuk bëhet fjalë që njëra palë, - si i themi në gjermanisht- të vërë në lojë palën tjetër, sot çelësi për një marrëdhënie të mirë qëndron tek pranimi i tjetrit. Kjo do të thotë që unë duhet të bëj të qartë edhe ndryshueshmërinë e tjetrit, natyrisht përkrah shumë të përbashkëtave. Vetëm kështu ne do të mund të kemi një bashkëjetesë të mirë. Për ne është e rëndësishme që të kemi mundësi që të praktikojmë fenë edhe në vendet islamike, po ashtu si edhe në vendet e tjera të botës. Pra të kemi liri fetare në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo vetëm një tolerancë fetare.

Deutsche Welle: Cilat janë vështirësitë konkrete?

Karl Lehmann: Ne kemi vështirësi në Turqi për shembull që të ngremë qendra për shkollimin klerik katolik. Unë personalisht megjithëse jam katolik, do të dëshiroja që të rihapej shkolla e lartë e famshme ortodokse pranë Bosforit. Ajo ka merita të mëdha si shkollë e larë klerike dhe unë jam i bindur se një shkollë e tillë kaq e kualifikuar do të ndikojë më shumë në paqen e përbashkët dhe do të japë orientim drejt një argumentimi racional. Pra ka shumë për të bërë. Në këtë kuptim, konfliket e kohëve të fundit, kam para sysh fjalimin e papës në Regensburg, janë edhe një lloj ndihme. Ndoshta ne e kemi përdorur shumë lehtë fjalën dialog. Kjo është ajo qe ne në gjermanisht e quajmë mendjelehëtsi. Në të vërtetë dialogu është mjaft pretendues, kërkues, dhe madje i vështirë, sepse pikërisht ajo çfarë është e rëndësishme për dikë vendoset në peshore. Dialogu nuk duhet zhvilluar thjesht në sipërfaqe. Ne duhet që të shkojmë më thellë, ateherë ne mund të zbulojmë me siguri edhe gjëra të përbashkëta, që kanë mbetur për ne të panjohura.

Le të marrim për shembull Abrahamin. Unë kam folur para pak kohësh për Abrahamin si baba i besimit për islamin, fenë hebreje dhe krishtërimin. Abraham përmendet 48 herë në kuran. Ai është një figurë madje themelore. Shumë gjëra të tilla mund të shihen në këtë mënyrë, nëse është fjala për figurën e Jezu Krishtit, Maries apo figura të tjera. Kurani në të vërtetë ka brenda tij edhe një nderim të madh për Marien. Pra kemi të përbashkëta.

Deutsche Welle: Për çfarë mund të dialogohet?

Karl Lehamnn: Ka sigurisht edhe pika konflikti, pra pika ku besimet fetare pikërisht për shkak të historisë së tyre aq të ndryshme mund të mësojnë prej njëra-tjetrës. Kam parasysh këtu për shembull një moment: Nga njëra anë besimi fetar synon përhapjen e tij dhe ushtrimin e misionarizmit, sepse përndryshe nuk do të ishte fe, nga ana tjetër sot në punën për përhapjen e fesë duhet hequr dorë nga çdo lloj dhune. Në këtë pikë kurani është kontrovers. Për shembull nga njëra anë në suren nr. 2 thuhet shume qartë se, për përhapjen e fesë nuk lejohet përdorimi i asnjë lloj dhune, ndërsa në suren nr. 9 për shembull thuhet se nevojitet edhe shpata për të përhapur besimin. Për këtë pikë për shembull mund të dialogojmë për ta kuptuar atë. Islami duhet të pyesë vetveten se çfarë bën ai, se sa i lejon ai metodat shkencore, për të parë kushtëzimin historik të disa thënieve, apo varësinë e tyre nga konteksti për ta kuptuar kuranin. Kristianizmi ka lënë pas vetes një histori të vështirë 200 vjeçare, pasi e lejuan përdorimin e këtyre metodave. Nayrisht kjo nuk bëhet pa rreziqe. Hapja e dialogut pikërisht për këto çështje, është e një rëndësie të veçantë.