1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lehne: Duhet ta bindni komunitetin ndërkombëtar se Kosova është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë

Bekim Shehu8 Maj 2007

I ngarkuari i BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Stefan Lehne, tha në Prishtinë, se BE-ja e përkrah planin e Marti Ahtisarit, por ndërmjet fuqive të e mëdha ka ende dallime

https://p.dw.com/p/ArVy
Komisioni Evropian, Bruksel
Komisioni Evropian, BrukselFotografi: AP

I ngarkuari i BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Stefan Lehne tha në Prishtinë se pothuaj i gjithë komuniteti ndërkombëtar është i interesuar që çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës të përfundojë sa më shpejt. Në këtë kohë të mbetur para zgjidhjes së statusit të Kosovës, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të dëshmojnë se janë të gatshme për një status të ri.

Këto komente Stefan Lehne, i bëri në Prishtinë pas disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politik kosovar me të cilët bisedoi për përgatitjet që po i bënë BE-ja, për të instaluar një mision të ri, pas zgjidhjes së statusit.

„Ju duhet ta bindni komunitetin ndërkombëtar BE-së, se Kosova është e gatshme për një status të ri dhe që të marrë të gjitha përgjegjësitë bazuar në planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari. Siç e dini BE-ja e përkrah planin e Marti Ahtisarit, mirëpo ndër fuqitë e mëdha ka akoma dallime. Rusia nuk është e kënaqur me atë plan, prandaj diskutimet po vazhdojnë në mënyrë që të kemi një rezolutë për Kosovën në KS-it“, tha Stefan Lehne.

Puna duhet të vazhdojë me planin e përmbushjes së standarteve posaçërisht me të drejtat e pakicave dhe ju duhet t'i siguroni ata se kanë të ardhme në Kosovë pas zgjidhjes së statusit. Këto çështje padyshim se do ta bëjnë më të lehtë marrjen e vendimit për të ardhmën e Kosovës, u shpreh Stefan Lehne në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se plani i ndërmjetësit Marti Ahtisari, do të jetë baza kryesore e rezolutës së re për Kosovën dhe ai nuk dëshiron të besojë se plani për Kosovën do të pësojë ndryshime.

Pas përcaktimit të statusit final, ndërkaq, në Kosovë do të vendoset një mision ndërkombëtar i BE-së, i cilësuar si misioni më i madh në historinë e unionit. Një grup ekspertësh të BE-së, tashmë kanë përfunduar një plan i cili specifikon fushat në të cilat BE-ja do të jetë përgjegjëse pas përcaktimit të statusit.

Sistemi i drejtësisë dhe policia do të jenë nën mbikqyrjen e misionit të BE-së, mirëpo, i dërguari i BE-së në krye të misionit do të monitorojë nga afër institucionet e Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së statusit. Për këtë janë dakorduar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, mirëpo ata shpresojnë se misioni i BE-së në Kosovë do të jetë afatshkurtër.