1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lehtësim i shpejtë vizash për vendet e Europës juglindore

Viron Gjymshana5 Maj 2006

Komisioneri i Bashkimit Europian, Franko Frattini shpreson të fillojë para kësaj vere negociatat për lehtësimin e dhënies së vizave për të gjitha vendet e Europës Juglindore.

https://p.dw.com/p/ArBF
Rradha për viza në konsullatën gjermane Kiev
Rradha për viza në konsullatën gjermane KievFotografi: dpa

Komisioni Europian është i vendosur për të nxitur shtimin e kontakteve dhe lëvizjen e qytetarëve të vendeve të Europës Juglindore në vendet e BE-së. Pas njoftimit se kanë filluar tashmë procedurat për lehtësimin e vizave për shtetasit e Maqedonisë, u bë e njohur në thellësi edhe strategjia e Komisionit Europian, dhe përkatësisht e Komisionerit përgjegjës për rendin dhe drejtësinë Franko Frattinit për lehtësimin e dhënies se vizave edhe për shtetasit shqiptarë, serbë, malazezas dhe boshnjakë.

Frattini bëri të njohur dëshirën e tij për të filluar që gjatë kësaj vere negociatat për lehtësimin e vizave për të gjithë qytetarët e vendeve të Europës Juglindore.

«Së shpejti unë do i kërkoj Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian të më autorizojë që të filloj negociatat si me Maqedoninë, por po ashtu edhe me Federatën serbo - malazeze, Bosnjën dhe Shqipërinë për lehtësimin e procedurave të dhënies së vizave për qytetarët e këtyre shteteve » - deklaroi zyrtari i lartë i Komisionit Europian.

Madje ai shprehu shpresën se këtë mandat, pra lejen për të nisur negociatat me vendet e sipërpërmendura, ai do ta marrë nga Këshilli i Ministrave i BE-së para fillimit të pushimeve të verës.

Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit Frattini thekson se kut të hyjë në fuqi regjimi i ri i vizave, do të jetë shumë më e lehtë marrja e tyre si për qytetarët maqedonas, por po ashtu edhe për ata serbë, shqiptarë, apo boshnjakë.

Njëkohësisht Frattini bëri të ditur se mandati i negociatave të ardhshme do të sigurojë një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet lirisë së lëvizjes për banorët e Ballkanit dhe sigurisë për qytetarët e BE-së. Nënshkrimi i marrëveshjeve të ripranimit nga ana e vendeve të Europës Juglindore, dmth të kthimit në vendet e tyre të prejardhjes të klandestinëve dhe imigrantëve të paligjshëm, përbën, sipas Brukselit, njërën nga kërkesat kryesore të BE-së para fillimit të lehtësimit të vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

« Vendet e Ballkanit kanë një vokacion të vërtetë europian. Prandaj ato duhen ndihmmuar » - pohoi komisioneri i Bashkimit Europian, Franko Frattini, kur bëri të ditur këtë nismë të tij të re ndaj vendeve të Europës Juglindore.