1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lesbosi i shpall ultimatum Athinës

Janis Papadimitriou23 Shtator 2016

Për zjarrin në kampin e refugjatëve Moria, Spiros Galinos bën përgjegjës një klimë frike. Kryetari i bashkisë së Lesbosit kërkon zgjidhje praktike për refugjatët - dhe i vendos një ultimatum Athinës.

https://p.dw.com/p/1K6u9
Griechenland Flüchtlings-Chaos auf Lesbos
Fotografi: DW/D. Tosidis

DW: Zoti kryetar i bashkisë, ku qendron shkaku për shpërthimin e dhunës në kampin e refugjatëve Moria? A ka pasur grindje midis banorëve në kamp apo më tepër ndikim nga jashtë?

Spiros Galinos: Ishulli ynë duhet të mbajë një barrë joproporcionalisht të madhe, për ta mbajtur nën kontroll problemin e refugjatëve. Që verën e kaluar, e cila qe e qetë dhe që i solli Lesbosit shumë turistë, kishte thashetheme, se qarqe të caktuara do t'i shfrytëzonin frikërat dhe do të krijonin një krimë ksenofobe në ishull, në mënyrë që të ketë tensione me popullatën vendase.

A e keni fjalën me "qarqe të caktuara" për "Agimin e Artë"?Sipas medieve, ditët e fundit në ishull qenë aktivizuar mbështetës të kësaj organizate ekstremiste të djathtë, që nuk kontribuan për qetësim të situatës...

Me të vërtetë, disa nxitës të trazirave janë nga radhët e Agimit të Artë. Por besoj që edhe në parti të të ashtuquajturit spektër demokratik ka padyshim njërin ose tjetrin, i cili, qoftë për llogari politike, ose prej keqdashjes personale bën kauzë të përbashkët me nxitësit e trazirave. Mua më duket se Lesbosi u bë peng i interesave të ndryshme, që duan të shkaktojnë probleme në ishullin tonë.

A doni të thoni se shkëndia për shpërthimin e dhunës erdhi nga jashtë?

Shkëndia e dhunës erdhi nga jashtë, kjo është e qartë. Por askush nuk e di se kush është përgjegjës për të. Në fund të fundit, në Moria refugjatët nuk mbahen në kamp, ata janë të lirë të hyjnë dhe të dalin. Teorikisht zjarrin mund ta kenë vënë edhe refugjatët. Ose edhe ekstremistë politikë të të gjitha ngjyrave. Sidoqoftë, të hënën, para se të shpërthente dhuna, banorët e ishullit qenë mbledhur për një aksion proteste. Çfarë donin të arrinin? Jo vetëm banorët, por edhe këshilli i qytetit kërkon që Lesbosi të çlirohet nga barra e madhe e ardhjes së refugjatëve. Në ishull ne kemi vendi Karatepe, për të cilin është përgjegjës qyteti, si edhe Morian. Të dy mund të strehojnë rehat gjithsej 3000 vetë, por ndërkohë në ishull qendrojnë 6000 refugjatë. Ne kërkojmë edhe që të jemi vetë përgjegjës për kampet dhe t'i kemi ne paratë e BE. Për momentin në këtë kuadër janë të angazhuara shumë organizata dhe askush nuk e di se kush jep para për çfarë.

Po tani që u shkatërua kampi, ku do të flenë refugjatët?

Me të vërtetë pati dëme në kampin e refugjatëve, por nuk është e saktë se Moria është djegur krejtësisht. Sipas asaj që di unë, Hotspoti është djegur vetëm dhjetë përqind. Ustallarët tanë dhe ekipet e pastrimit janë në vend të angazhuara, megjithëse ne nuk jemi përgjegjës për Morian.

Spiros Galinos është kryetar i bashkisë së ishullit grek Lesbos, ku të hënën një zjarr ndoshta i qëllimshëm dëmtoi kampin e refugjatëve Moria.