1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libia - vatër e rrezikshme konflikti para dyerve të Europës

12 Mars 2017

Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller e cilëson katastrofike gjendjen në Libi. Ky vend është kthyer në një trampolinë për mijëra refugjatë. Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare për heqje dorë nga përgjegjësia.

https://p.dw.com/p/2Z2I2
Migranten in Libyen
Fotografi: Sara Prestiani

Gjendja në shtetin afrikano-verior është alarmuese, paralajmëron Gerd Müller. Të dërguarit e OKB-së raportojnë për tortura, për gjendje të mjerueshme në kampe, ku izolohen pas gardheve me gjemba qindra vetë që vuajnë nga uria. Müller kërkon një plan Marshall për Afrikën.

Libia u la vetëm

Në një intervistë me gazetën"Neuen Osnabrücker Zeitung" (NOZ), ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller kërkon që këto kampe të vihen nën mbikqyrjen e OKB-së. Sipas Müller, 200.000-300.000 vetë ndodhen në kushte të papërfytyrueshme. OKB dhe BE duhet të reagojnë, dhe „të krijojnë struktura në këtë vatër konflikti".

Müller kritikon bashkësinë ndërkombëtare që e ka lënë vendin në kaos, pasi shtetet e NATO-s në vitin 2011 e bombarduan masivisht Libinë për të rrëzuar, diktatorin, Muamar al-Gaddafi. Nuk ka pasur plan për periudhën pas Gaddafit. Shteti u shpërbë, milicët u ngjitën në pushtet.

Bundesentwicklungsminister Gerd Müller
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Ndihmë për të ndihmuar veten

„Duhet të shkojmë tek njerëzit tani", kërkon ministri gjerman i Zhvillimit. Ai ka folur me njerëz që kishin përjetuar tortura, apo me ata që kanë përshkuar rrugën e mundimshme përmes Saharës. Gjermania po jep shembullin e para duke ngritur gjashtë qendra konsultimi për migrantët në Tunizi, Marok e në vende të tjera në Afrikë për të ofruar ndihmë për ta. Politikani kristiansocial e quan „turp që bashkësia ndërkombëtare i ikën përgjegjësisë së saj".

Ai kërkon një menaxhim ndërkombëtar të krizës në kontinentin afrikan dhe një fond të OKB-së me së paku 10 miliardë euro, me një përqasje të shpejtë në rast katastrofe. Një shumë minimale krahasuar me shumën që kërkohet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes në NATO. Politika më e mirë për paqen është politika e zhvillimit, ka kërkuar Müller, që shpreson në mbështetjen amerikane edhe nën Donald Trump. „Kemi nevojë për amerikanët si superfuqi humanitare", ka thënë Müller.