1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligje të reja për luftën kundër terrorizmit në Itali

Konsuelo Skuilante31 Korrik 2005

Parlamenti në Romë të shtunën miratoi paketën e ligjeve të reja për sigurinë, nëpërmjet të cilave shtetit i garantohen më shumë kompetenca në luftën kundër terrorizmit. Parashikohet një mbikqyrje më intensive e telefonatave dhe internetit. Do të aplikohet edhe analiza e ADNS-ë për të huajt e dyshuar që nuk posedojnë dokumenta identifikimi.

https://p.dw.com/p/AqjK
Fotografi: AP

Një unanimitet i pazakontë në paralmentin italian, ku kampet politike rëndom replikojnë me kritika të ashpra. Por shërbimet sekrete paralajmërojnë, se Italia mund të jetë shënjestra e ardhshme e akteve terroriste. Në internet ka pasur deri tani disa herë kërcënime nga grupet islamiste, që kërkojnë tërheqjen e trupave italiane nga Iraku. Pas atentateve të Londrës dhe Sharm el Sheikut, si pasojë e të cilave pati edhe viktima italiane dhe nisur nga fakti tjetër, se të premten e javës së shkuar u arrestua në Romë një prej të dyshuarve si atenator i serisë së sulmeve në Londër, qeveria dhe opozita janë në unanimitet për të bashkëpnuar në këtë drejtim. Uniteti kombëtar ishte në plan të parë. Në këtë mënyrë presidenti i parlamentit Ferdinando Kazini, më së fundi të shtunën mundi t´u japë leje deputetëve në sfondin e vapës përvëluese të Romës, pasi u mblodh seanca e jashtëzakonshme për miratimin e ligjit përpara sezonit të pushimeve verore: "Të nderuar kolegë, mendoj, se kemi bërë një punë të mirë, si qeveria ashtu edhe opozita. Ne kemi dhënë një përgjigje ndaj problemeve në kohët e vështira që ka vendi përpara."

Vetëm e majta radikale votoi kundër ligjit. Madje partia separatiste italiano-veriore, Lega Nord, abstenoi. Qëndrimi kategorik i kësaj partie një javë më parë për pak bëri që të dështojë procedura e shpejtuar e miratimit të ligjit, sepse Lega Nord kërkoi që të kontrollohen kufijtë e Italisë në Evropë dhe ngjashëm si edhe në Francë të pezullohet marrëveshja e Shengenit. Madje pati edhe një grindje për matjen e forcave brenda koalicionit qeverisës mbi çështje përmbajtësore. Opozita, që pat sinjalizuar aprovimin qysh në fillim, të shtunën u tërhoq nga rezervat e shfaqura lidhur me kushtetueshmërinë e disa pjesëve të ligjit.

Në vjeshtë mund të përpunohen disa pika të paketës ligjore. Ministri i brendshëm, Xhuzepe Pizanu, pranoi, se disa paragrafë të ligjit kanë nevojë të përmirësohen: "Megjithatë iu lutem t´i miratoni këto masa kështu siç janë formuluar tani. Kjo do të ishte përgjigja e duhur ndaj rrezikut të terrorizmit."

Të gjitha palët u shprehën të kënaqura pas aprovimit të paketës ligjore. Politikani i opozitës Françesko Ruteli deklaroi: "Nëse ekziston dëshira për të reaguar ndaj një rreziku të tillë, atëherë është edhe mundësia që të biem dakord, për t´i dhënë një përgjigje preçize kërcënimeve terroriste."

Pikat kyçe të paketës anti-terror janë: lehtësimi i procedurës për dëbimin e të huajve të dyshimtë, edhe pa vendim juridik. Një mbikqyrje më intensive e telefonatave dhe internetit. Të dhënat duhet të regjistrohen dhe të ruhen për 24 muaj. Do të aplikohet edhe analiza e ADNS-ë për të huajt e dyshuar që nuk posedojnë dokumenta identifikimi. Në këtë pikë Lega Nord ia arriti që të përmbushet kërkesa e saj. Përveç kësaj të dyshuarit për terror mund të mbahen në arrest pa aktpadi deri në 24 orë nga 12 që kanë qenë deri më sot.

Megjithatë pas një dite harmonike nga pikëpamja politike në fund nuk mungoi shpërthimi i polemikave midis kampeve. Kandidati me më shumë shanse i opozitë për zgjedhjet parlamentare të shtatorit, Romano Prodi, i përkufizoi trupat italiane në Irak si forcë pushtuese dhe deklaroi, se në rast të fitores në zgjedhje ai do t´i kthejë ushtarët në atdhe. Sapo ligji kundër terrorizmit u aprovua, kampi qeveritar nisi breshërinë e kritikave kundër Prodit: sipas mazhorancës me të tilla deklarata ai u jep drejtpërdrejt material terroristëve në Irak.